Albspirit

Media/News/Publishing

Firmoset marrëveshje e AQSH me Yad Vashem të viktimave të Holokaustit

ardit-bido

Arkivat Shqiptare nënshkruan dje marrëveshje bashkëpunimi me Yad Vashem, institucionin lider te përkujtimit të viktimave të Holokaustit, ndryshe “Autoriteti  Përkujtimit të Martirëve të Heronjve të Holokaustit “Yad Vashem”.

Bujaria, njerëzia dhe krenaria e kombit tonë, si kombi i vetëm evropian që shpëtoi të gjithë hebrenjtë do të jetë së shpejti një histori globale nëpërmjet arkivave të dy palëve.

“Nuk mund të mos vizitoja edhe qendrën e Botës, Varrin e Krishtit, Xhaminë e Omerit e Murin e Lotëve, vendin nga është pikënisja e shumicës së qytetërimeve bashkëkohore: qytetin e vjetër të Jeruzalemit. Hapësirë mahnitëse!”-shkruajti në profilin e tij në Facebook, drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, Ardit Bido.

“Shqipëria kishte një komunitet prej vetëm 200 hebrenjsh në fillim të Luftës, por në fund të saj kishte mbi 2000 të tillë. Ky numër, pavarësisht se ishte i vogël, vlen për të treguar historinë e veçantë të një populli që kontribuoi për shpëtimin e hebrenjve”, tha kreu i bordit të drejtorëve Yad Vashem, Prof. Dr. Avner Shalev, i cili firmosi marrëveshjen me zotin Bido në Izrael.

Drejtori Bido thekosi se “historia e Shqipërisë gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore, është një moment krenar për vendin tim. Kjo histori nuk duhet fshehur më, nuk duhet të mbetet në Arkiva, pa qenë e aksesueshme për sytë e publikut.”.

Andaj, ai vlerësoi se burimet arkivore duhet të promovohen dhe të shpërndahen në mbarë botën, nëpërmjet mjeteve që na ofron teknologjia.

“Kjo nuk duhet të bërë për të mirën e hebrenjve dhe Izraelit, e as për të mirën e shqiptarëve e Shqipërisë, por për të mirën e njerëzimit; një provë që edhe gjatë vështirësive, edhe gjatë luftës, edhe gjatë periudhave të errëta të ideologjive ekstreme, ka mjete që njerëzit e zakonshëm mund të përdorin për të shpëtuar konceptet bazike të të qenit qenie njerëzore.

Nuk mund të mendoj një vend më të mirë për të gjetur prova të tilla sesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe nuk mund të gjej një bashkëpunëtor më të mirë për një projekt të tillë sesa Yad Vashem, një institucion udhëheqës në përpjekjen për të bërë njerëzit të mos harrojnë të shkuarën për të mos u përsëritur marrëzia e shekullit të kaluar”-tha zoti Bido.

 

Please follow and like us: