Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Arsimi i Lartë në udhëkryq!

Me shqetësim sot dëgjova lajmin se në Fakultetin e Shkencave të Natyrës disa degë rrezikojnë të mbyllen sepse nuk ka studentë. Këto kanë qënë ndër degët e preferuara por tashmë studentët janë regjistruar në Universitetet Private. Dhe regjsitrimi ka ardhur jo si pasojë e zgjedhjes së tyre.

Udhëzimi i famshëm 13, vazhdon të ndryshohet çdo ditë aq sa askush nuk mban më mend origjinalin. Simboli i radhës i paaftësisë por edhe argument kokëfort që dëshmon se deklaratat pompoze të Ramës se gjoja në datën 20 do të kishte sistemuar të gjithë studentët nëpër degët që dëshironin, u tretën njësoj si ëndrra e një nate vere.

Studentëve për javë të tëra i dhuruan makthet e një ëndrre që nuk mund të plotësohej, ndërsa të tjerët prisnin ende me shpresë se mos do të përfitonin. Por, as data 20 nuk ishte përfundimtarja, as data 27 e as data 1 Nëntor nuk do të jetë data që do t’i japë maturantëve mundësinë për të studiuar. Një proces i orientuar me udhëzime që ndryshonin gati çdo sekond, nga një staf ministror i paaftë i detyruan studentët të regjistroheshin në Universitetet private, kjo sepse sistemi (për të cilin Rama mbajti një fjalim të gjatë edhe të bezdisshëm) lajmëronte çdo maturant të interesuar se nëse ky i fundit nuk do të regjistrohej, në raundin tjetër nuk do e kishin më këtë mundësi.

Në panik, në stres e në paqartësi u detyruan të zgjedhin jo degët e preferuara, as Universitetet e preferuara, por atë që dontë Minsitria të zgjidhnin. E njëjta gjë ndodhi dhe me udhëzimin 24 për Masterin që e kam denoncuar më parë, Ministria e fshiu pa njoftim nga faqja e saj zyrtare dhe e zëvendësoi me një të ri. Pra sistemi që pretendon znj. Nikolla dhe që reklamon në fjalimet e gjata z. Rama, rezulton një sistem i Preferencës (së qeverisë) dhe Meritës (së Universiteteve Private).

E para, ka marrë të drejtën (në mënyrë tërësisht abuzive) të shpërfillë maturantët duke zgjedhur ajo për to ndërsa të dytët përfitojnë në sajë të meritës në sytë e kryeministrit. Pra një sistem i korruptuar që në gjenezë që është produkt i qartë i politikave dhe vizionit të tyre, që në fund pasqyron amullinë dhe degradimin e kësaj qeverisje.

Për fatin e keq rezultati i gjithë kësaj katrahure të qëllimshme do të prodhojë një eksod të të rinjve që kanë potencial. Të dhënat e Forumit Ekonomik Botëror, qenë një paralajmarim ku treguesi i mbajtjes e tërheqjes së profesionistëve është në përkesësim. Nga 2009 në 2014 treguesi pati përmirësim dhe Shqipëria u rrit por duket se gjatë viteve të qeverisjes aktuale, Shqipëria gjen rezultate negative duke rënë me disa vende (nga i 67 në të 117). Qeveritë diktatoriale dhe ato të paafta kanë gjithnjë tendencën për të larguar nga vendi njerëzit me mundësi, nga frika se mos këto të fundit i zëvendësojnë ato. Jo më kot sot ka politika që u mvishen epitete të mëdha si “Reformë” që s’bëjnë asgjë më shumë se largojnë të rinjtë nga shkolla duke i lënë një të ardhme të pasigurtë mes emigrimit.

Qeveri të tilla nuk shqetësohen se këto politika shkatërrojnë sistemin shoqëror, përkundrazi njeriu për to është vetëm një mjet i nevojshëm që justifikohet nga qëllimi (pra, pushteti). Viktimat kësaj radhe janë me mijëra maturantë, ndërsa përfituesit janë edhe një herë obortarrët.

Please follow and like us: