Albspirit

Media/News/Publishing

Moska do të ndërtojë baze ushtarake në Venezuelë

Por vendi është në krizë politike mes pro-rusëve dhe pro-perendimorëve

Rusia do të ndërtojë bazë ushtarake në Venezuelë. Dyshimet janë hedhur me kohë por janë konfirmuar së fundi nga zv/ministri rus i mbrojtjes Nikolai Pankov, gjatë fjalës së tij përpara deputetëve të dhomës së ulët të parlamentit rus. 

Siç komentojnë mediat ndërkombëtare, Moska ka në plan ngritjen e një baze  te aeroplaneve. Autoritetet venezueliane kanë rënë dakord parimisht, duke përcaktuar edhe vendndodhjen që do të jetë në Puerto Kabejo, një qytet në brigjet veriore, 220 km larg kryeqytetit Karakas, me një pozicion strategjik me një qasje të lehtë në Karaibe.
Ndërtimi i bazës është pjesë e planit aspak të fshehtë të presidentit Putin për ringritjen e strukturave ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik në 15 vende të botës, përfshirë edhe Amerikën Latine.
Ndërtimi i një baze ushtarake ruse në Venezuelë e zhyt vendin edhe më tepër në kaosin ku ndodhet aktualisht. Vendimin për ndërtimin e bazës e kanë marrë zyrtarët e majtë mbështetës të presidentit Nikolas Maduro, i orientuar drejt Moskës me politikat e tij. Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar i fitoi opozita proamerikane, por presidenti Maduro nuk lejon konstituimin e parlamentit të ri duke mos i njohur zgjedhjet. Opozita ka zhvilluar protesta të shumta, që kanë vijuar edhe gjatë javëve të fundit, pasi Maduro nuk dekretoi një referendum popullor për vazhdimin e mandatit presidencial të tij.
Aktualisht palët politike janë ulur në bisedime me ndërmjetësimin e Vatikanit për zgjidhjen e krizës së thellë politike, pasojat e së cilës po i ndjen mbi të gjitha ekonomia. Populli po vuan edhe krizës e urisë me mungesa të theksuara të ushqimeve në supermarkete. Venezuelianët kanë nisur të braktisin vendin, kryesisht drejt Brazilit. Një situatë e tillë e ka shqetësuar jashtë mase vendin më të zhvilluar të Amerikës Latine. Specifikat janë të ngjashme me krizën siriane dhe shumëkush mund të pyesë, a do të jetë Venezuela, Siria e Amerikës Latine?
Please follow and like us: