Dialog europian për çështjen çame
Nga Shpëtim Idrizi
Në mënyrë të vazhdueshme, politika zyrtare greke, por dhe media e ndikuar apo kontrolluar prej saj, valëvit kërcënimin e PDIU-së, si parti e trashëgimtarëve të nazizmit dhe të tjera marrëzi. Aq më shumë, kur PDIU e forcon identitetin e vet, ndikimin politik, atë elektoral, marrëzi të tilla amplifikohen, madje dhe me ndihmën e mediave të këtushme.
E vërteta e madhe është se PDIU është një parti europianiste. Këtë e provon programi i saj, aksioni i saj politik, betejat dhe kauzat e saj. Është e dobët dhe iluzore çdo përpjekje për ta barazuar PDIU me Agimin e Artë apo parti të tjera antieuropiane. PDIU është një parti e çështjes kombëtare shqiptare, ku çështja çame si çështje ende e pazgjidhur mbetet kauzë kryesore e saj. Si parti europianiste, ne jemi për zgjidhje europiane. Ne jemi pro integrimit europian pse brenda institucioneve europiane, ka drejtësi europiane, ka barazi mes shtetesh. Ne e shohim dialogun dypalësh si njerën nga rrugët e zgjidhjes së kësaj çështje, por nëse kjo rrugë nuk funksionon ne jemi qartazi për ndërkombëtarizimin e saj në institucionet e drejtësisë europiane, brenda NATO-s, etj. Aq më shumë ne jemi për dialog,kur dialogun si mekanizëm për zgjidhjen e problemeve dypalëshe e kërkon Komisioni Europian, struktura ekzekutive e Bashkimit Europian. Ne e shohim dialogun pa kufizime, në frymën e barazisë si rrugën për të zgjidhur çështjen çame, të ndërlidhur fort me ligjin e luftës, të cilin Greqia e mban ende në fuqi.
Besimi ynë tek dialogu është më i fortë, pse ne kemi parë sesi me dialog dinjitoz Greqia ka pranuar që më herët një pjesë të kërkesave tona. Në vitet 1991-1995, Greqia në bisedimet e komisioneve mikste ka pranuar qoftë ndërtimin e varrezave për partizanët çamë të vrarë, qoftë dhe shikimin e zgjidhjes në bllok të problemeve pronësore të komunitetit shqiptar në Greqi, në veçanti të komunitetit çam. Pra Greqia e ka njohur ekzistencën e problemit çam.
Çfarë ka ndodhur sot? Pse qeveria e kryeministrit Cipras, me mbështetje të fortë pikërisht tek e majta e luftës antifashiste ku kanë kontribuar dhe bashkëkombasit tanë, përsërit se çështja çame nuk ekziston? Pse Greqia na kërcënon me fuqi ushtarake, ekonomike, me praninë e saj në institucionet ndërkombëtare, një kërcënim që do duhej marrë seriozisht duke patur parasysh ekzistencën e ligjit të luftës? Pse Greqia herë pas here në një përpjekje për të asnjanësuar betejat tona, riaktualizon problemin e paqenë të Himarës, për të cilin e mori përgjigjen nga kryeministri Rama? Himara nuk ka qenë kurrë e njohur si zonë e minoritetit si ka qenë Dropulli, Finiqi,etnik grek, dhe Greqia e ka pranuar këtë në 1935. Sot Shqipëria në mënyrë krejt bujare ka lejuar krijimin e dy bashkive minoritare, megjithëse ato nuk kanë ekzistuar si të tilla më parë.
Transferimi i problemit, përpjekja për barazimin e dy situatave të pakrahasueshme është reminishencë e mentalitetit të fuqisë së madhe që Greqia synon të ushtrojë ende mbi Shqipërinë, megjithëse e ka humbur paternalitetin mbi të. Shqipëria ka zgjedhur dinjitetin, reciprocitetin dhe dialogun përballë vasalitetit. Greqia duhet ta kuptojë se nuk mund ta ndihmojnë në betejën kundër kohës, në betejën e saj të humbur për t’i shpëtuar gjyqit të historisë as idiotët e dobishëm dhe as provokimet megallomane që bën çdo ditë nëpërmjet tyre, apo drejtpërdrejt. Idiotët e dobishëm të Greqisë në Shqipëri, si shtetas tanët, nuk mund të qarkullojnë banalisht ide mbi komunitetin çam, të cilat janë të tejkaluara nga historianë realistë grekë. Dikush prej tyre dje në Opinion madje thoshte se çamët dhe italianët, i përzunë grekët nga territori i prefekturës së Thesprotisë. Kjo është një gënjeshtër e madhe, si e pohon dhe vetë ambasadori amerikan i kohës në Greqi, Mac Weagh. Sipas tij, sulmi italian mbi Greqinë,dështoi pikërisht prej mungesës së bashkëpunimit të faktorit shqiptar, përkatësisht komunitetit çam.
Greqia e Ciprasit, trashëgimtare e luftës antifashiste, bën mirë të çlirohet nga fantazmat e së kaluarës. Mjerisht me këto fantazma janë të mbushur plot dollapet e historisë së saj, fantazma të krimeve që i kanë kryer pikërisht Zerva dhe të tjerë, kundërshtarë të Manolos Glezos, apo baballarëve të drejtuesve kryesorë të qeverisë së tij. Është koha për pajtim të plotë mes dy kombeve tona, por mbi shenjën e dialogut të barabartë dypalësh, apo nën egidën e institucioneve europiane.