Skandali i e-maileve/ A ka një komplot ndaj Hillary Clinton?
Lideri demokrat në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Harry Reid, tha se kreu i FBI-së mund të ketë shkelur ligjin, pasi ka bërë të ditur se agjencia e tij është duke hetuar disa emaile, të cilat mund të kenë lidhje me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Reid akuzoi drejtorin e FBI-së, James Comey, për shkelje të një akti, i cili i ndalon zyrtarët të ndikojnë në zgjedhje.
Lajmi për hetimet e FBI-së ka ardhur më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Agjencia është duke hetuar disa emaile që i përkasin një ndihmëseje të lartë të Clintonit.
Emailet e Huma Abedinit besohet se janë gjetur në laptopin e burrit të saj, ish-kongresistit Anthony Ëeiner.
Ëeiner është subjekt i një hetimi të veçantë, nën dyshimet se ka dërguar mesazhe seksuale te një vajzë e mitur.
Raportohet se janë rreth 650,000 emaile për t’u hetuar në rastin Clinton, çfarë e bën të pamundur për hetuesit që të dalin me një vendim përpara zgjedhjeve.
FBI beson se emailet mund të lidhen me hetimet paraprake të Clintonit, për shkak të përdorimit të një serveri privat në kohën kur ka qenë Sekretare e Shtetit në administratën Obama.
Ky rast është mbyllur në korrik pa ndonjë akuzë kundër Clintonit.
Përmes një letre, lideri dekomrat i Senatit, Reid, akuzoi drejtorin e FBI-së, Comey, për ushtrimin e standardeve të dyfishta, me qëllim që të ndihmojë një parti politike përballë tjetrës.
Ai tha se Comey mund të ketë shkelur Aktin e Kurdisjes, i cili i ndalon zyrtarët të përdorin pozitën e tyre për të ndikuar në zgjedhje.
Reid po ashtu tha se Comey ka fshehur “informacione të vrullshme për lidhjet e afërta të kanidatit republikan për president, Donald Trump, dhe këshilltarëve të tij me Qeverinë e Rusisë”.
“Publiku ka të drejtë të dijë për këto informacione. Ju kam shkruar disa muaj më parë, duke kërkuar që këto informacione të bëhen publike”, tha Reid.
Se çfarë efekti mund të ketë veprimi i FBI-së në zgjedhjet e 8 nëntorit, është e paqartë, por sondazhet e opinionit tregojnë se epërsia e Clintonit ndaj Trumpit ka rënë.
Një sondazh i ABC News dhe i Washington Post, i publikuar të dielën, e ka treguar Clintonin vetëm me një përqindje përpara.
Clinton i ka përshkruar veprimet e Comeyt si “të papara” ndonjëherë dhe “thellësisht shqetësuese”.
Trump, në anën tjetër, ka lavdëruar vendimin e FBI-së, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë për mbrojtje të Clintonit.
“Departamenti i Drejtësisë është duke bërë përpjekje të mëdha për të mbrojtur veprimtarinë kriminale të Hillary Clintonit”, tha Trump.
Në një intervistë për televizionin CBS, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Clinton po përballet me “një standard të dyfishtë” kur është fjala për besueshmërinë.
Sipas vëzhguesve, veprimi i FBI-së mund të jetë asgjë, por edhe gjithçka për Clintonin. Analistët thonë se një gjë është e sigurt: edhe nëse Clinton fiton garën për Shtëpinë e Bardhë, ditët e para të presidencës së saj do të ndiqen nga kjo ngatërresë politike./REL/