Tensionet NATO-Rusi zhvendosen në Ballkan
NATO pritet të zhvillojë një stërvitje të emergjencës civile në Mal të Zi, ndërkohë që Serbia përgatitet për një stërvitje të përbashkët me 150 parashutistë rusë. Moska, nga ana e saj, kundërshton planin e politikës së jashtme malazeze për të rritur marrëdhëniet me NATO-n dhe BE-në.
Vetëm pak kohë më parë, në Mal të Zi dhe në Serbi janë arrestuar disa persona, me dyshimin se po komplotonin rrëzimin e kryeministrit malazez në largim, Milo Djukanoviç. Veç kësaj, një sasi e madhe arsenali armësh janë zbuluar pranë shtëpisë së familjes së kryeministrit malazez, Aleksandar Vuçiç, ditën e shtunë. Mbi këtë ngjarje, ka dyshime se armët do të përdoreshin për të vrarë Vuçiçin, një reformator proeuropian, edhe pse ishte vet ai që e hodhi poshtë këtë aludim.
Në Mal të Zi, zyrtarët akuzojnë Rusinë si ideatoren e komplotit ndaj kryeministrit Djukanoviç. Stërvitja 4-ditore e NATO-s në vendin fqinj do të nisë të hënën, ndërkohë që do të përfshijë edhe Qendrën Euroatlantike të Koordinimit të Përgjigjes ndaj Fatkeqësive, të aleancës.
E fokusuar në zonën e Nikshiqit, synimi i kësaj stërvitjeje është praktika në terren përballë një situate emergjente të shkaktuar nga përmbytjet apo sulmi me lëndë kimike. Në të do të marrin pjesë 680 pjesëmarrës, nga të 32 vendet anëtare të NATO-s, por edhe partnerë të tjerë. Izraeli, Azerbajxhani dhe Kosova janë mes vendeve të përfshira, por që nuk janë pjesë e aleancës.
Shefi rus i Këshillit të Sigurisë, Nikolai Patrushev zhvilloi një vizitë të papritur në Beograd gjatë javës së kaluar. Stërvitja ushtarake serbo-ruse, e cila do të nisë të mërkurën, mban emrin “Vëllazëria sllave 2016”. Njësi të Bjellorusisë do të marrin gjithashtu pjesë në të. Sipas njoftimit të ushtrisë ruse, stërvitja do të kryhet pranë Beogradit, e do të zgjasë deri më 15 nëntor.
Megjithëkëtë, Serbia ka shtuar lidhjet me NATO-n përgjatë viteve të fundit, përfshi edhe anëtarësimin në programin e Partneritetit për Paqen. Gjithsesi, bombardimi prej NATO-s i Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 1999, ndërhyrje e cila çliroi Kosovën, ka lënë një shije të hidhur mes nacionalistëve serbë. Rusia ka shfrytëzuar këtë situatë dhe ka krijuar lidhje të afërta me disa prej tyre, duke rigjallëruar kështu patriotizmin pansllavik të vjetër sa dekada të tëra.
Ka qenë sërish ndërhyrja e NATO-s që rrëzoi ish-presidentin jugosllav, Slobodan Miloseviç, udhëheqësi nacionalist i cili ndërroi jetë në vitin 2006 teksa ndodhej për gjykim në Gjykatën e Hagës për krime lufte.