Vjola Terolli: Koma zgjoi pikturën tek unë
Eci në trotuarin e një prej rrugëve kryesore të Tiranës, të një qyteti ku të thahen sytë për pak natyrë e gjelbërim. Radhëve të vitrinave, të cilat i kaloj vrullshëm për t’i shpëtuar bombardimit me gjithfarë sendesh e veshjesh që përpiqen të joshin klientë mes dritave shkëlqyese, sytë më frenohen pas xhameve të një dyqani ku gëlon natyra. Ndoshta janë peizazhet, malet, lulet më të bukura që kam soditur ndonjëherë. Për fat të keq, jo për së gjalli
Ndalem dhe nuk ngopem së sodituri atë që më ofron vitrina. Shtyj derën prej xhami dhe eci teposhtë 4 shkallëve, të cilat më zbresin në bazamentin e një dyqani me sipërfaqe jo shumë të madhe, por që në pak sekonda, më veshi dhe më mbushi me ngjyra, efekti i të cilave zgjoi jetën tek unë. Gjej brenda një zotëri shtatlartë e të fisshëm, kaluar të 50-ve. Ai m’u drejtua për të më ofruar ndihmë (nëse më nevojitej). Por, ajo që ndjeva se kasha nevojë në atë momente, ishte të më linin mes atyre pikturave në qetësi, për pak minuta. Për mirësjellje u përfshiva në bisedë me zotërinë, e bashkë me të edhe me një zonjë që qëndronte pak e tërhequr nga biseda dhe kërshëria ime për veprat e artit. Kishte shumë dritë në ato piktura, ndaj e pata të pamundur të shmangia pyetjen se kush ishte autori i tyre, dora që u kishte dhënë jetë maleve, pemëve, deteve dhe luleve shumëngjyrëshe në ato kuadro. Për fatin tim, autorja, si rrallëherë, ndodhej aty dhe pata fatin ta njihja e ta pyesja personalisht. Ishte pikërisht ajo zonjë që i rrinte indiferente entuziazmit tim për veprat e saj të artit. Pak më vonë mësova se quhej Viola dhe kuptova menjëherë se ngjyra e luleve, si emri i saj, nuk qe rastësi, të cilën unë e ndesha në më shumë se një tablo. Viola ndalej rrallë në dyqanin e veprave të saj dhe kalonte shumë pak kohë aty, sepse me sa kuptova, nuk i pëlqente të fliste e të lavdërohej për punën e saj me klientët. Por, këtë e plotësonte më së miri gjysma tjetër e saj, Fernando. E dëgjoj teksa flet me adhurim për veprat e gruas që ka në krah prej më shumë se dy dekadash. Fjalët e tij të thjeshta bëjnë të kuptosh dashurinë që përcjell ai për bashkëshorten dhe punët e saj, të cilat, për hir të së vërtetës, më lanë pa fjalë. M’u deshën pak minuta që të arrija të depërtoja murin transparent, i cili ndante komunikimin tim me Violën. Shumë shpejt kuptova se ajo ishte një grua e thjeshtë në sjellje, por me shumë labirinte brenda vetes. Çudi më bëri që Viola Terollin nuk e kisha dëgjuar më pare të lakohej në radhën e klasës së artistëve shqiptarë. Por, ajo me modesti më tregoi se kishte vetëm 8 vjet që e kishte nisur këtë rrugë arti. Tetë vite rrugë për të arritur këtë impresion? Kureshtja më nxit natyrshëm te pyetja “Si?” Ajo, shpenguar, më thotë se kjo pikënisje e re në jetën e saj, erdhi pas një ngjarjeje të rëndë. Tetë vite më parë, në moshën 52-vjeçare, Viola Terolli ra për 3 ditë në koma. Mjekët nuk gjenin dot shkaqet që çuan gruan në këtë gjendje dhe parametrat e saj jetësorë nuk jepnin shpresë për jetën. Por, kaluan 3 ditë të vështira dhe Viola u rikthye duke gjetur pranë shtratit të saj, bashkëshortin dhe djalin. Ngjarja më intrigon pa masë. Është si ato rrëfimet tronditëse që kam dëgjuar në dokumentarë të ndryshëm shkencorë, por, këtë herë dokumentari është i gjallë, para syve të mi. Vijon të më tregojë se, gjatë komës, ajo pati një përjetim të jashtëzakonshëm: pa një dritë. Një dritë me disa shtresëzime ngjyrash në tonalitetin e së verdhës rreth saj, por, shumë e shndritshme në qendër. Drita i hapi një shteg përpara dhe Viola filloi të ndihej shumë e lehtë fizikisht dhe pak nga pak, filloi të ngjitej lart e të ecte drejt saj. “Isha e vetëdijshme se ku po shkoja. Ishte rruga që më çonte drejt së përtejmes, – thotë Viola. – Por, e ndala atë kalim, pasi në ato momente dëgjova zërin e vajzës sime, Brunës. Ajo në atë kohë nuk ishte aty, por me studime në Itali. Megjithatë, zëri i saj më bëri të kthehem pas dhe kur u zgjova, mbi kokën time pashë djalin dhe Nandin (bashkëshortin).” Teksa më tregon këtë rrëfim tronditës, më shpjegon se nuk është besimtare, ose të paktën jo nga ata tradicionalët që shkojnë në kishë a xhami. Ajo beson thjesht tek një Zot dhe rrugën drejt tij e kërkon pa ndërmjetësime. Të nesërmen e daljes nga koma, Viola i thotë bashkëshortit të saj se donte të pikturonte.
Ai u përpoq ta justifikonte këtë kërkesë të çuditshme të së shoqes si pasojë e gjendjes shëndetësore që ajo kaloi dhe, për të mos e rënduar, e la të vepronte. Viola shkoi në një dyqan ku mund të gjente pak a shumë sendet bazike për të pikturuar, por nuk e kishte idenë se çfarë konkretisht. Me ndihmën e shitëses, bleu disa bojëra dhe mjete bazike. Shkoi në shtëpi dhe nisi pikturën e saj të parë. Pas të parës erdhi e dyta, e treta, e kështu me radhë. Me këtë nevojë të çuditshme të sajën për t’u shprehur papritur në art, ajo befasoi. Asokohe ishte tregtare dhe në aktivitetin e saj të përditshëm, që nuk kishte të bënte aspak me pikturat, filloi të vërente interesimin e klientëve për veprat e saj të varura për dekor në mur. Aty nisën shitjet e para. Nuk ishte pak për të që artin e nisi në rrethana kaq të pazakonta dhe në moshë të madhe. “Në fillim, burri nuk donte që unë të shisja piktura. Atij i pëlqenin shumë dhe donte t’i mbanim të gjitha për vete. Por, me kohë, kam kuptuar se po nuk shite, nuk ndjen kënaqësi, – thotë Viola. – Kam shitur edhe piktura, për të cilat jam penduar, sepse nuk kam arritur t’i bëj dot më.” Në kohën kur Viola nisi pikturën, vajza e saj, Bruna, studionte për Kritikë Arti në “La Sapienza”. Disa piktura të nënës së saj ajo ua tregoi pedagogëve dhe ata i cilësuan disa syresh si krijime fëmijësh, ndërsa disa të tjera, unike. Prej asaj kohe e deri sot, Viola la gjithçka, punën në një biznes të sigurt e fitimprurës, dhe filloi t’i kushtohej tërësisht pikturës. Tani, ajo dhe familja mbahen prej punës së saj të artit. Në dyqanin e saj të vogël ajo shet dhe jo pak. Por blerjet nuk janë konfirmimi i vetëm i talentit të saj. Viola Terolli është vlerësuar shumë në arenën ndërkombëtare, ku nuk kanë munguar dhe çmimet. Ka marrë çmimin “Galileo Galilei”, në një konkurs në Milano është vlerësuar me çmim midis 70 piktorëve më të mirë impresionistë, ka marrë një çmim për veprën “Shtëpia misterioze”, është vlerësuar me çmim për lulet (element që e ndesh shpesh në punët e saj), për 4 vite ka qëndruar në katalogun zyrtar të artistëve të Italisë. Madje, edhe kuratori i famshëm Italian, Paolo Levi, ka dhënë vlerësim të veçantë për talentin e saj, duke e përfshirë në librin e tij, ku midis 30 piktorëve të preferuar, ka zgjedhur të flasë edhe për Violën. Në libër, ai shkruan kështu për të: “Piktura e saj vjen prej së përtejmes. Me një ngacmim të vogël të spatulës, ajo të bën të fantazosh. Ndërsa e pyes për ndonjë çmim a vlerësim të krijuesve të artit shqiptar, ajo tregon se, i ndodh t’i thonë: Ti je ndryshe. “Por mua qejfi më bëhet, përsëri, – thotë Vjola.” Për kërshërinë time, Viola më fton të vizitoj fondin e galerisë së pikturave të saj, ambient, i cili ndodhet gati 30 metra pas dyqanit, në rrugë kryesore. Aty impresioni im zbret edhe më në thellësi të një shpirti, i cili dritën e brendshme e ka zbrazur, dhe vazhdon ta bëjë, çdo ditë nëpër telajo. Mes pafundësisë së telajove që më mahnisin pikërisht për shkak të këtyre ngjyrave plot dritë e jetë, Viola më tregon “Pikturën e dritës”. Atë ku ajo ka riprodhuar saktësisht atë eksperiencë drite që përjetoi gjatë komës. Elementi i vetëm artistik që ka shtuar, janë hekurat, të cilët simbolizojnë kthimin dhe përsëritjen e izolimit në jetë. Kanë një veçori të gjitha këto piktura të saj. Përveç ngjyrave, elementi tjetër që i bën të vijnë si të gjalla para syve vëzhgues, janë relievet, të cilat ajo mjeshtërisht arrin t’i realizojë përmes spatulës me bojërat e vajit. Për të realizuar kureshtjen time dhe për të plotësuar hapësirën boshe të zinxhirit të pikëpyetjeve që më pasojnë njëra pas tjetrës, Viola më befason me ftesën për ta ndjekur gjatë procesit të saj krijues. Më ngjit në banesën e saj, që është në të njëjtin pallat me galerinë e saj të pikturave. Merr një telajo të bardhë, e vendos në kavalet dhe si fillim me spatula, pastaj me duar, nis të përhapë ngjyra nëpër sipërfaqen e pangjyrosur ende. Këtë e bën me një ritëm dhe shpejtësi aq të madhe sa, për pak minuta, pashë të realizuar para syve të mi një peizazh të ngjashëm me ato që më tërhoqën vëmendjen në dyqanin e saj. Nga e kaltra e qiellit, te kafja dhe portokallia e tokës, Viola shkriu me duar, spatul e copa letrash, spektrin më të shkëlqyer të ngjyrave të natyrës. Vërejta se para se të niste këtë punë, pak minuta më parë, ajo nuk ndërtoi asnjë skicë a vizatim. “Kur pikturoj, nuk e mendoj kurrë më parë se çfarë do të bëj, – tregon Viola. – E nis dhe pastaj shoh si të më vijë puna. Unë pikturoj shumë e kjo më ndihmon edhe të shkarkohem kur nuk jam mirë. Pasi kam filluar të pikturoj, kam ndryshuar shumë mënyrën e jetesës. Më pëlqen të udhëtoj dhe kam energji. Kam pa fund energji për të krijuar dhe për të bëra gjëra.”
Viola është spontane, e çiltër dhe shumë e hapur kur flet me mua, edhe pse ka shumë pak që më njeh. Nga ajo gruaja e mbyllur dhe e tërhequr që gjeta te dyqani, arrita të zbres në një thellësi të mjaftueshme të nivelit të saj shpirtëror, dera e së cilës ishin pikturat e saj.
Nga Elona Jaçellari | Fotografia: Armand Habazaj