Albspirit

Media/News/Publishing

Enkel Demi: Është hall të kesh një fqinj si Greqia

Enkel Demi: Është hall të kesh një fqinj si Greqia

Është banale të kesh një fqinj si Greqia. Është e rëndomtë të mundohesh të gjesh një shfajësim për arsyen pse çmenden marrëdhëniet me Greqinë. Je përherë në pozitën çarmatosëse që vendoset njeriu përballë budallait. Në të gjitha debatet që mund të hysh me të marrin, është tejet e sigurtë që fiton i marri.

Ministri i Jashtëm i Greqisë kërcënoi me topa, tanke, sulme ajrore, lëndë helmuese luftarake, sepse Tirana zyrtare po shkon pas kërkesës së Bashkimit Europian për të zgjidhur me bisedime Çështjen Çame. Po kështu, një dacibao ju nis flurthi Komisionerit Hahn, i cili për fat të keq nuk ka reflektuar dhe nuk ka bërë autokritikë.

Së fundmi, është gjetur një tjetër histori, Plani Rregullues i Himarës. Për këtë Greqia kërcënon se do të vendosë veton që mos të lejojë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ngjarja ka gjasa që të zhvillohet kështu; zoti Kotzias shkon në Bruksel dhe thotë që këta, shqiptarët nuk duhet të hyjnë në Europë, sepse po prishet shtëpia e Stavrit dhe e Nikollaqit. Sipas diplomatit këta janë minoritarë. Komisioneri për Zgjerimin, Qeveria e Europës do të ndalojnë në një reflektim të gjatë për Planin Rregullues të Himarës, një lokalitet në Rivierën shqiptare, të cilën padyshim ata e njohin më mirë se buka që hanë. Askush nuk do të pyesë se ku bie, por Shqipërinë do e nxjerrin në rrugë pa një, pa dy.

Çudi e madhe do të ishte po të ndodhte kështu, por në Ballkan janë shkaktuar luftra botërore për sebepe, ndaj shtëpitë, garazhet e makinave, ndonjë qofteri janë të mjaftueshme për t’ia hequr madje shtetësinë greke Jorgo Goros e akoma më keq vendosjen e vizave për shqiptarët. Le t’i marrim me sira.

E para, qeveria, nëse po prish pronën e tjetër kujt me keqdashje duhet të përgjigjet në gjykatë, sepse qeveria paditet. Prona është e shenjtë dhe i takon të zotit. Në qoftë se për arsye madhore si Plani Rregullues duhen prishur ndërtime të ligjshme, me letra dhe tapi të moçme, kompesimi duhet të jetë aq sa është vlera e sotme në treg dhe jo aq sa dëshiron qeveria të shlyej.

E dyta, nuk kam asnjë kundërshtim që Stavri dhe Nikollaqi ta konsiderojnë veten pakicë greke. Unë besoj se njeriu edhe mund të zgjedhë dhe Kombi nuk është vetëm analizë ADN-je. Megjithëse Petro Marko do kthehej përmbys në varr, nëse një pinjoll i kulmit të tij vetëshpallet grek, njeriu ka të drejtë të ndërrojë lëkurë, veçanërisht kur ta japin këtë mundësi. Fjala vjen, nuk ka ndryshim nëse De Biasi ndjehet shqiptar dhe nëse ata të tjerët ndjehen grekë. Sa pashallarë dhe guvernatorë arbërorë janë ndjerë turqë? Pastaj ne jemi një popull që kombësinë e ndryshojmë në varësi të topit. Kur grinden tifozët shqiptarë çdo Botëror dhe thonë: ne, “gjermanët” ose ne, “italianët”. Apo, kur Shkodra festonte me flamuj gjermanë sa mahniti Berlinin. Ku është e keqja këtu? Vetëm në një vend është; që Stavrin dhe Nikollaqin e pranojnë për grekë, shkodranët nuk i pranojnë për gjermanë. Çështje politikash integrimi mbetet.

E treta, Jorgo Goros do bëjnë shumë mirë t’ja heqin shtetësinë, sepse do i shkonte njëqind herë më shumë të kthehej në origjinë si Gjergji Goro.

E katërta, po kthyen vizat me shqiptarët paçin faqen e zezë, por në verë krapin do të kapin shqiptarë me evronë Khalkidhiki.

E pesta, integrimin e Shqipërisë e ka në dorë Artan Lame që duhet të nisë urgjent të interesohet për Planin Rregullues të Patras, se ndoshta atje mund të ketë shkelje të të drejtave të qytetarëve, meqë minoritete Greqia është i vetmi vend europian që nuk ka dhe e deklamon këtë me krenari.

E fundit, të gjithë ata që kanë marrë njoftime nga policia ndërtimore për prishje të ndërtimeve, lokaleve apo barrakave të dorëzojnë ankesat në Ambasadën Greke në Tiranë, konsullatat e Gjirokastrës, Korçës dhe të deklarohen minoritarë me origjinë nga zonat verilindore, jugore, juglindore e kështu me radhë.

Please follow and like us: