Albspirit

Media/News/Publishing

PËRSE VATRA I THA JO SAMITIT TË EDI RAMËS?

dalip-ok

NGA DALIP GRECA/

Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi ”Samit i Diasporës” i kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptar, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelktorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysëm milioni shqiptarë.

Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që Vatra të mos bëhej pjesë e një farse paraelktorale të Kryeministrit me argumentin se pjesmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk I shërben qytetarëve shqiptar, por vetëm partisë së Kryeministrit.

Edhe Këshilli Drejtues i Vatrës e la në fuqi vendimin e  Kryesisë për mospjesmarrje në Samitin e nëntorit që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë.

Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se Vatra duhet të marrë  pjesë në Samitin e Ramës ,me qëllim që ajo të mos ”vetëizolohej” apo vetëpërjashtohej nga samiti.  Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që Vatra të ishte pjesmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar( Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutësh, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për  organizatat historike, siç është Vatra me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotogarfisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora?

Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propoganduar me aq zë nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa Vatrës i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një perfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?

Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.

Ka zëra që thonë se Vatra nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë. Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por Vatra i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit(Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “ Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”….Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. Vatra e takoi Kryeminstrin Edi Rama më 26 shtator 2013  në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptar.

Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarëve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shënja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vrejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjevet dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vëndit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”

Vatra i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo. Vatra ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formualrin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi Vatra në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht. Ai ka ardhë shpesh në SHBA, pas atij takimi me Vatrën, por ndërkohë që ka pasë kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar , por nuk ka pasë kohë që të vijë t’i hedhë një sy Vatrës, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është Vatra që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë Vatrës.

Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetë të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelktorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe paksojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj)

Ia pafsh hajrin këtij Samiti farsë i nderuar Kryeministër!

 

Please follow and like us: