Çështja “Çamëria” është një rrugëzgjidhje afatgjatë paqeje dhe miqësie
Nga Kasem Seferi
“Kush kapet pas hijes, humb të vërtetën.”. “Krenaria e tepruar i paraprin disfatës.“. Kush ngul këmbë në diçka të pamundur, shkon drejt shkatërrimit.“. “Çdo e vërtetë ka dy anë. Është mirë t’i shohim të dyja, para se të shpallim cilët jemi.“. – Ezopi
Isha pothuajse në të mbushur 7 vjeç kur u largova nga Rruga “Hajdar Hidi”, një rrugicë e Rrugës së Kavajës, për të banuar për 28 vjet në një pallat fare pranë ish Stadiumit “Dinamo” sot “Selman Stërmasi”. Një jetë plot kujtime të pashlyeshme me minoritarët gjitonë, me ata të pallateve pranë e më tej, në gjimnaz dhe në universitet – “në vllazni” sikundër shprehemi me respekt ne “tironsit”.
Dua të kujtoj me këtë rast familjen e nderuar Maksakuli dhe Thanati, ose më saktë Maqon, Vasillaqin, Pirron (që nuk rron më), si dhe plot të tjerë rreth e rrotull. Me një nderim të veçantë do të përmendja një nga shokët e mi më të ngushtë që e kam si vëlla Thoma Shqevin nga Kakodhiqi i Delvinës; po kështu Spiro Kondurin mikun tim në Kinostudion Shqipëria e Re dhe Radiotelevizionin Shqiptar; po kështu Spiro Peçin juristin dhe njeriun e mençur që e pata koleg në Presidencë për t’u ndalur te i madhi, i lavdishmi, i pavdekshmi Panajot Pano (shembulli i harmonisë njerëzore, tipar që jo pak miq ia njohën), për të treguar se sa vlera ka miqësia ndërmjet popujve brenda dhe jashtë kufijve të një shteti kombëtar.
Ditë më parë, në gazetën “Panorama”, një kryetar i “Omonias” (Leonidhas Papas) kishte një përgjigje për “thirrjet” e Shpëtim Idrizit dhe për këtë si argument përdorte thënie të Stalinit, Hitlerit, Musolinit, Ruzveltit dhe Çërçillit, në lidhje me trimërinë dhe sakrificën e ushtarëve grekë në Luftën e Dytë Botërore. Shumë e vërtetë dhe shumë e vlerësueshme sakrifica e jetës në mbrojtje të atdheut të tyre, por jo argument se vetëm grekët dinë të luftojnë me trimëri dhe të vdesin si heronj për atdheun e tyre. Ne e vlersësojmë Leonidhën dhe treqind spartanët e tij si një shembull që nxit dhe që meriton respekt.
Por kur përdoret ky argument që njihet dhe vlerësohet në mbarë botën nga mitologjia greke, nuk mund të lemë në harresë Napolon Zervën, krimet e përbindshme të bandës së tij, ngjarje të lemerishme që i përshkruan aq mirë Miranda Vickers dhe bashkëautori i saj, grabitjet e pasurisë që i përshkruan majori amerikan për Departamentin e Shtetit, e plot të tjera si këto.
Nuk ka fjalë që të përshkruajë tragjedinë e viteve 1944 – 1945, kur kriminelë të tipit Napoleon Zerva vranë 2771 burra, gra dhe fëmijë çamë në rrethinat e Filatit, Igumenicës, Paramithisë dhe Pargës, kur ata dogjën 68 fshatra dhe grabitën një pasuri të tërë të vënë me gjak dhe djersë.
Që të gjithë të kuptojnë të vërtetën ashtu siç është dhe jo ashtu sikundër e kanë fshehur, manipuluar dhe ndryshuar, por ashtu sikundër e kanë përshkruar dëshmitarët okularë masakrën e Filatit në vitet 1945 – 1946, ndër ta shefi i misionit të SHBA Joseph Jakobs.
Çfarë ka thënë Stalini, Hitleri, Musolini, Ruzvelti dhe Çërçilli kanë vlera të pamohueshme historike në Lidhje me Luftën e Dytë Botërore, por jo me historinë ndërmjet dy popujve tanë dhe dy shteteve tonë. Për ta bërë më konkret këtë përqasje do të doja t’i tregoja Zotit Papas se mund të lexojë (në shqip ose frëngjisht nëse di) një libër me titull “Pena të Shquara Franceze Për Shqipërinë”, ku do të gjejë kontributin e shqiptarëve në Greqinë e Perandorisë Osmane para por dhe pas pavarësisë së saj.
Vite më parë një “këndez” i politikës së “Omonias” do të fliste me superlativë për familjet e mëdha greke të politikës si Papandreu, Micotaqis, etj, por nuk e di se si është ndjerë kur “New York Times” në një artikull të kohës së krizës së thellë greke do t’i diskretitonte këto familje në lidhje me borxhin e jashtëm dhe të brendshëm të shtetit grek, i krijuar që nga koha e Juntës Ushtarake që vringëlliu armët në Qipro e deri te “lavdia” e Olimpiadës.
“Diktatura në Greqi zgjati vetëm shtatë vjet, nuk ishte stabël dhe në pjesën më të madhe e gjeti veten në korrupsion, me shpenzime ushtarake dhe vringëllimin e shpatës në Qipro; në vitin 1975, Greqia ishte një rast total i shportës, përveç lulëzimit të flotës detare (dhe mospagimit të tatimeve). Pas vitit 1975, Greqia, e cila e kishte në ekzil mbretin e saj Konstandinin e II – të, zgjodhi socialistin e majtë Andreas Papandreu dhe më 1981 u bashkua me BE – në, ku u bë mjeshtre në artin e korrupsionit të subvencionit: në fund të fundit, Greqia ishte vendi më i varfër i BE – së në atë kohë; sot edhe pse të ardhurat për frymë i ka 32 100 US$, ajo rradhitet si një nga vendet me konkurrueshmëri të ulët.”. – New York Times 2010
Po për këto fakte çamët janë përgjegjës?! Çamët (dhe jo Shpëtim Idrizi si zëri përfaqësues politik i tyre) kërkojnë disa të drejta që janë përcaktuar qartë dhe thjeshtë në Kartën e Helsinkit. Në këtë kontekst do ta pyesja Zotin Papas: Të kujt ishin tokat e Dropullit dhe atyre fshatrave në Sarandë që i gëzojnë minoritarët?! A e bluan stomaku yt një padrejtësi që iu bë pronarëve shqiptarë nga regjimi komunist dhe fatkeqësisht edhe nga ligji 7501?! Ndërkohë, që në Çamëri, në pronat e shqiptarëve të dëbuar dhe vrarë, janë majmur dhe majmen privatë grekë dhe qeveria greke prej më shumë 70 vjetësh!
Po të ishe çam dhe jo grek a do të luftoje ti Zoti Papas për të drejtat e tuaja, për atë pronë që paraardhësit e tu do ta kishin fituar me mund, sakrifica dhe paguar me gjak?! Marrëdhënieve shqiptaro – greke nuk i sjellin ndihmë dhe as janë argument thëniet e të mëdhenjve, por historia e marrëdhënieve të të dy popujve që kanë ditur të bashkëjetojnë në miqësi ndër shekuj dhe që ua ka përzier ujrat politika. Nëse do të bësh politikë, lexo me kujdes ato çfarë ka thënë Perikliu Legjendar i Athinës, në lidhje me të drejtat e të huajve dhe fqinjëve në Athinën e saj kohe të lavdishme. Ktheu edhe njëherë në krye dhe lexoje me kujdes Ezopin. Ia vlen lexo:
“Liria që ne shijojmë shtrihet gjithashtu në jetën e zakonshme: ne nuk jemi dyshues për dikë tjetër dhe nuk e ngacmojmë fqinjin tonë në qoftë se ai zgjedh të shkojë rrugën e tij. … Por kjo liri nuk na bën ne të paligjshëm. Ne jemi mësuar të respektojmë gjykatësit dhe ligjet dhe kurrë të harrojmë se duhet të mbrojmë të dëmtuarit. Dhe ne jemi mësuar gjithashtu të vëzhgojmë ato ligje të pashkruara ndëshkimi i të cilëve shtrihet vetëm te ndjenja universale e asaj çfarë është e drejtë … .“.
“Qyteti jonë është bërë i hapur për botën; ne kurrë nuk përjashtojmë një të huaj … Ne jemi të lirë të jetojmë saktësisht ashtu si na pëlqen dhe ne ende jemi gjithnjë të gatshëm të përballojmë çdo rrezik. … Të pranosh varfërinë e dikujt nuk është turp për ne; por ne konsiderojmë se është e turpshme të mos bëjmë një përpjekje për ta shnagur atë … Ne konsiderojmë një njeri i cili nuk ka interes për shtetin jo si i padëmshëm, por si padobishëm; dhe megjithëse vetëm pak mund të origjinojnë një politikë, ne jemi të gjithë në gjendje ta gjykojmë atë. Ne nuk e shikojmë diskutimin si një bllok pengues në rrugën e veprimit politik, por si një vërejtje paraprake e domosdoshme për të vepruar në mënyrë të mençur … .“.