Albspirit

Media/News/Publishing

Letra origjinale qe At Pjeter Meshkalla i ka derguar Mehmet Shehut

pjeter-meshkalla

“Shkëlqesë,
Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç’ vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! -Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.
Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këtë kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.
Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri – Tiranë, 5 prill 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu”.

*Publikuar nga gazetari Simon Shkreli

Please follow and like us: