Numri dy i NATO-s: Anëtarësia e Malit të Zi e sigurt, me gjithë kundërshtinë e Rusisë
Duke folur nga Mali i Zi, zëvendësekretarja e përgjithshme e aleancës ushtarake euroatlantike ka deklaruar se kërkesa e malazezëve për t’iu bashkuar NATO-s po përparon dalëngadalë, me gjithë kundërshtimin e fortë të Rusisë.
Rose Gottemoeller është në udhëtimin e saj të parë në detyrën si numri dy i aleancës, ndërsa në Mal të Zi po zhvillohet një stërvitje ushtarake e NATO-s.
Ajo ka thënë se shpreson që Mali i Zi të bëhet anëtar pranverën e ardhshme, pasi të 28 shtetet anëtare të NATO-s dhe vetë vendi ballkanik ta ratifikojnë marrëveshjen në parlamentet e tyre.
Mali i Zi është ftuar t’i bashkohet NATO-s, edhe pse Rusia është kundër kësaj lëvizjeje. Me pranimin e Malit të Zi në NATO, aleati i vetëm i Rusisë në rajon mbetet Serbia.
Pikërisht në Serbi ka filluar stërvitja ushtarake gjashtëditore e quajtur “Vëllazëria Sllave 2016”. Në këtë stërvitje ushtarake marrin pjesë 212 trupa ruse, tre avionë transportues, 450 ushtarë serbë, si dhe 56 nga Bjellorusia.