Ema Andrea, Marsela Çibukaj dhe Sara Kapo, bashkë në një program
Një emision i ri do të nisë së shpejti në Radio-Televizionin Shqiptar, nën drejtimin e emrave të njohur të teatrit dhe muzikës siç janë Ema Andrea dhe Marsela Çibukaj. Dyshes i bashkohet edhe vajza e aktores Andrea, Sara Kapo. Emisioni do të titullohet “Turni 3”, i cili do të jetë një takim intim, i drejtpërdrejtë, çdo natë ndryshe, për të shoqëruar të pagjumët që shikojnë ekranin e TVSH-së dhe dëgjojnë valët e Radio Tiranës, shkruan Bordo.al.
Vitet e fundit Ema Andrea, ka qenë vazhdimisht e pranishme si prezantuese dhe bashkëprezantuese në televizion, ndërsa e bija, Sara, vetëm pak javë më parë pati debutimin si opinioniste në studion e Top Show. Marsela ka qenë vazhdimisht si këngëtare dhe e ftuar në këto studio, por tani edhe ajo do të provojë prezantimin në programin e ri që krijon menjëherë pritshmërinë e një produkti modern, por dhe me një tis nostalgjie, prej titullit dhe ekranit më të vjetër shqiptar ku do të shfaqet, por mbi të gjitha një programi ndryshe, pikërisht nga bashkimi i këtyre tre personazheve unikë të artit shqiptar.