Ky është Alfonsi, 7–vjeçari i cili nuk ekziston ligjërisht
Duket se fati ende nuk ka trokitur për Alfonsin, djalin 7 – vjeçar i cili jeton në komunën Rethina në Shkodër. I braktisur nga mamaja e tij biologjike kur ishte vetëm 4 muajsh, tashmë ai është i “braktisur” edhe nga Gjendja Civile, pasi kjo e fundit nuk e ka të regjistruar emrin e tij dhe Alfonsi ligjërisht nuk ekziston.
Babai i 7 – vjeçarit, Anton Dakaj, për mikrofonin e emisionit investigativ “STOP” tregon se nga bashkëjetesa me partneren, e cila sot nuk ndodhet më në Shqipëri ka sjellë në jetë Alfonsin, por për regjistrimin e fëmijës i thonë se duhet të hapë gjyq, e Antoni nuk ka para. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi i ka sugjeruar ta regjistrojë si fëmijë të gjetur. Ndërsa kreu i Njësisë Administrative, Vlash Pjetri, shpjegon se pa prokurën e së ëmës, Alfonsi i vogël nuk mund të regjistrohet.