Albspirit

Media/News/Publishing

Gjonaj, pritshmëritë e takimit për diasporën

  • Arben Xhixho

Më 18 nëntor qeveria shqiptare do të organizojë në Tiranë takimin e diasporave shqiptare nga mbarë bota, me synimin për të forcuar lidhjet dhe shtuar ndihmesën e diasporës për atdheun e origjinës.

Anëtari i asamblesë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, do të jetë një prej atyre që do të marrin pjesë në takim. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ligjvenësi Gjonaj flet për pritshmëritë dhe propozimet që i ka paraqitur qeverisë shqiptare për të angazhuar diasporën.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj pas pak ditësh qeveria shqiptare do të organizojë një takim me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare nga mbarë bota. Ju do të merrni pjesë në të. Cila është pritshmëria juaj nga takimi?

Mark Gjonaj: Jam i kënaqur që ky është takimi i parë për disaporën shqiptare. Në se quhet samiti i diasporës, i emigrantëve, ose thjesht samiti i shqiptarëve, unë ndihem i inkurajuar nga mundësitë që mund të ofrojë ky takim. Së pari unë pres që qeveria e Shqipërisë, udhëheqësit e saj të njohin dhe pranojnë sakrificat e diasporës, faktin që kjo diasporë ka ruajtur gjuhën, traditat, kulturën, duke mbajtur të gjallë identitetin tonë në vendet që janë atdheu ynë i dytë.

Zëri i Amerikës: Zëri i Amerikës, pyeti edhe ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu për rolin që mund të luajnë shqiptaro-amerikanët, se si diaspora mund të ndihmojë vendin e saj të origjinës. Ta ndjekim për një moment:

Donald Lu: “Dhjetra shqiptaro-amerikanë po planifikojnë të vijnë. Ata vijnë nga sektorë të ndryshëm, nga biznesi, artet, ka aktorë të njohur, dhe njerëz të shumtë që mund t’i japin shumë vendit. Ata mund të takohen me anëtarë të tjerë të diasporës nga vende të tjera. Është një rast i mirë të flasin se ç’mund të bëjë Shqipëria më shumë për t’i tërhequr në punët që bëhen këtu, por po ashtu si mund të punojë diaspora për të bashkuar shqiptarët në vende të ndryshme, në Zvicër, në Amerikë, në Francë, apo Kosovë për projekte në interes të komunitetit”.

Mark Gjonaj: Pra zoti Gjonaj ç’mendoni se mund të bëjë Shqipëria më shumë për të tërhequr diasporën, që t’i tërheqë më shumë shqiptaro-amerikanët?

Zëri i Amerikës: Jam dakord me ato që tha amabasadori Lu. Ne kemi punuar së bashku për samitin dhe për ato që shpresojmë se do të dalin nga ky takim. Takimi ka mundësinë dhe bazën për t’u kthyer në diçka më të madhe dhe simbolike. Kjo përfshin jo vetëm bashkimin e diasporës që ne të jemi më të fortë në vendet ku jetojmë, por po ashtu të ndihmojmë atdheun nga vijmë. Ne shpresojmë që kryeministri do t’i konkretizojë një sërë projektesh për të cilat kemi diskutuar, si për shembull: që diaspora të ketë mundësi të marrë pjesë në votime në vendin ku jeton, të bëhet regjistrimi i shqiptarëve kudo që jetojnë, të krijohet një Këshill i Diaspsorës, që do të ishte i pavarur nga partitë politike dhe ndikimi i tyre, të emërohej një ministër për diasporën, qeveria të angazhohej për të krijuar dhe investuar jo vetëm në qendrat komunitare por për artin dhe arsimin që ndihmojnë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën tonë. Por më e rëndësishmja dhe gjatë javëve të fundit unë e kam diskutuar këtë me kryeministrin dhe ambsadorin Lu, është zhvillimi ekonomik dhe roli që mund të luajë diaspora për të. Shumë shpesh firmat shqiptare konkurojnë me firma të huaja për projekte infrastrukturore. Kjo është një padrejtësi që u bëhet shqiptarëve. Paratë duhet të mbahen në Shqipëri. Shpresoj të miratohet një ligj që t’i lejonte firmat shqiptare të përfitonin dhe të shiheshin me përparësi në procesin e tenderimit ndaj firmave të huaja. Kjo do të siguronte që kapitali jo vetëm të qëndronte dhe qarkullonte në Shqipëpri, por të ri-investohej atje. Në se tenderin e fitojnë firmat e huaja, duhet të ketë parashikime ligjore që 25 për qind e vlerës të përdoret për blerje materialesh nga firma në Shqipëri, apo të diasporës shqiptare. Po ashtu duhet punuar për të mbrojtur investimet dhe kjo përfshin investimet e diaspsorës si dhe lehtësimin e procesit të dy-shtetësisë për ata që u takon ligjërisht.

Zëri i Amerikës: Këto që ju përmendët janë disa sfida jo të lehta për autoritetet shqiptare për t’i plotësuar. A jeni optimist se këto mund të realizohen?

Mark Gjonaj: Ne po punojmë që marrëdhëniet të përmirësohen jo vetëm për njerëzit në Shqipëri, por edhe për diasporën. Në se krijohet një bazë që ne të investojmë në atdheun tonë, kjo do ta bënte atë një vend më të mirë, një komb më të mirë për gjithë shqiptarët. Duhet të mos harrojmë se ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit se sa brenda vendit. Mendoj se ne mund të ushtrojmë presionin e duhur që qeveria dhe partitë politike të mbajnë fjalën, dhe t’i mbajmë përgjegjës për realizimin e premtimeve që bëjnë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se komuniteti shqiptaro-amerikan është i gatshmëm dhe ka vullnetin për të bërë më shumë?

Mark Gjonaj: Ne e kemi provuar vazhdimisht se jo vetëm kemi vullnetin, por e kemi bërë me vepra dhe do të vazhdojmë të bëjmë më shumë për atdheun nga vijmë, por po ashtu duhet të fokusohemi edhe në vendet e reja ku jetojmë, të mbështesim komunitetet në shtetet e ndryshme, që të bashkohemi dhe të bëhemi më të fuqishëm dhe më të suksesshëm në vendet ku jetojmë, ç’ka do të na bënte më të fuqishëm dhe me më ndikim në atdheun e origjinës. Përkufizimi i çmendurisë është të bësh të njejtën gjë vazhdimisht, e vazhdimisht e vazhdimisht dhe të shpresosh për një rezultat të ndryshëm. Ne duhet të mësojmë nga historia, të planifikojmë për nesër dhe të bëjmë histori. Dua t’u kujtoj të gjithëve, se diaspora nuk egziston për t’i shërbyer qeverisë, por qeveria egziston për t’i shërbyer popullit dhe në këtë rast kjo përfshin edhe diaspsorën. Forca e popullit është më e fuqishme se njerëzit në pushtet.

Zëri i Amerikës: Ka kritikë që thonë se takimi i diasporës është thjesht një shfaqje, se sa një përpjekje serioze e autoriteteve për të angazhuar seriozisht diasporën. Cili është mendimi juaj për këtë?

Mark Gjonaj: Unë jam krenar të mbështes çdo nismë nga e cila do të përfitonin komunitetet shqiptare, kudo që të jenë. Në se ky samit na bën një komunitet më të mirë dhe rikrijon lidhjet kudo që të jemi në botë, unë e mbështes atë. Në se është kryeministri, presidenti, në se është Partia Demokratike, Partia Socialiste, apo LSI, për mua nuk ka rëndësi. Unë nuk promovoj asnjë parti, ose udhëheqës. Unë dua të promovoj më të mirën në interes të diasporës. Në se ky takim do të jetë fillimi i kësaj, unë do t’u bëja thirrje të tjerëve të merrnin pjesë. Ky nuk do të jetë një samit i përkryer, siç e thotë edhe shprehja “një plan i mirë sot është më i mirë se një plan i përkyer nesër” dhe ne kemi nevojë të fillojë diku.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjonaj faleminderit, apo dëshironi të shtoni diçka tjetër?

Mark Gjonaj: Unë besoj se roli i qeverisë për diasporën është të ndihmojë të ruajë thesaret konbëtare dhe kjo do të thotë të mbrojë gjuhën, identitetin dhe shtetësinë shqiptare. Diaspora nga ana e saj duhet të luajë rolin e opozitës kur një parti, një udhëheqës nuk vepron në interesin më të mirë të popullit, vendit apo çështjes kombëtare.

Please follow and like us: