Sytë e vdekjes
Esse/ “Rrugë pa krye” libri i ri me ese letrare të prozatorit Lazer Stani, botimet “Gjergj Fishta”; Një gjendje reflektimi, ku na vë në dispozicion një nga interpretimet për poezinë emblemë të Cesare Pavese-s, përkthyer në vitin 1950
Verrà la morte e avrà i tuoi occhi- Cesare Pavese
Nga Lazër Stani
Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1988, kur rastësisht më ra në dorë një libër me poezi i Cesare Pavese-s, dhe i nxitur nga një thirrje e pashpjegueshme, u ndala pikërisht te poezia “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu.” E lexova me një frymë, e rilexova i magjepsur dhe i tronditur njëkohësisht. Ndalesha në çdo varg e në çdo fjalë, i torturuar nga moskuptimi i disa prej fjalëve, ngaqë në atë kohë pak lexoja në italisht, jo sepse nuk doja, por se nuk kisha ku të gjeja libra.
Pasi e lexova disa herë poezinë, nxorra një bllok shënimesh nga çanta dhe i kopjova të nëntëmbëdhjetë vargjet e poezisë, ashtu siç bëja zakonisht me shumë prej poetëve të ndaluar, emrat dhe krijimtaria e të cilëve mbaheshin në karantinë të rreptë, ose “rezervat” siç thuhej atëherë, duke i damkosur me nga një “R” të kuqe në kopertinë. Kur u ktheva në dhomën time, e rilexova prapë poezinë nga vargu i parë në të fundit. Të nesërmen e kuptova se poezinë e kisha mësuar përmendësh dhe mund t’ia pëshpërisja vetes në fshehtësi, sa herë që gjendesha vetëm, i patrazuar nga prania e njerëzve. Efekti i kësaj poezie tek unë ishte i jashtëzakonshëm, duke më shkundur prej asaj qetësie të rreme, që kur e kur i krijojmë vetes për të fshehur disi zbrazëtinë dhe moskuptimin e ekzistencës tonë. Përveç vënies në pah të kumtit të njohur “do të vijë vdekja”, që çdo njeri e fsheh në qilarë të errët e të lagësht ku nuk ia ka andja të futet kurrë, dhjetëra pikëpyetje ngriheshin njëherësh për kotninë e shpresës, të iluzioneve, të ekzistencës, ndërsa vjen pashmangshëm zbritja në “vorbullën e shurdhët” të harrimit. Pyetjet shtynin njëra-tjetrën, duke shkaktuar vraga si gozhdët që ngulen në mish pa mundur të marrin një përgjigje, por në fund, këmbëngulëse, e parezistueshme gjithnjë mbetej pyetja: Të kujt janë ata sy që do të ketë vdekja në aktin final? Asokohe nuk dija asgjë për Constance Dowling, aktoren amerikane dhe flirtin e saj me poetin, për çka kritika, media dhe lexuesi do të ngrinin më vonë një mit sa poetik, aq edhe romantik e të jashtëzakonshëm, të qëndrueshëm gjer në ditët e sotme. Një mendje më thoshte se bëhej fjalë për sytë e gruas së dashur. Prania e syve të gruas së dashur, pikërisht në çastin e ardhjes së vdekjes, ose ardhja e vdekjes me sytë e ëmbël dhe të shtrenjtë të të dashurës, e bënte zbritjen në “vorbullën e shurdhët” të harrimit edhe më tragjik, të pabesë e shkatërrues, sepse në fund të fundit, nuk ka asgjë më të dhimbshme se sa të vdesësh kur je i dashuruar.
Vargu tjetër “Për të gjithë vdekja ka një vështrim”, më shtynte të mendoj për vështrimin që duhej të kishte patur vdekja tek të shtrenjtit e mi të vdekur, te stërgjyshja ime Zoga Stani që u shua në moshën nëntëdhjetë e nëntë vjeçare, te gjyshi im dhe tek të gjithë ata që kisha njohur e i kisha dashur dhe vdekja i kishte marrë një nga një “në vorbullën e saj të shurdhët”. Stërgjyshen time e mbaj mend mirë, se m’u rrëfye pak para se të vdiste. E përzuri nënën nga dhoma ku rrinte shtrirë, më ftoi pranë shtratit të saj, më tha të merrja te shporta dy dardha që i kishte ruajtur për mua, të mbështjella me një tufë fieri të njomë që të rrinin të freskëta dhe kur u bind se tashmë nëna ime gjendej në oborr e po nderte rrobat, tha me një qetësi të frikshme “Po vdes”, njësoj siç themi ne po shkruaj, po flas në telefon, po shikoj televizor, po lexoj apo po luaj letra. U kthye nga unë, më këqyri një grimëherë, tha se një natë më parë pati dëgjuar orët të flisnin për vdekjen e saj dhe se do të vdiste. Unë isha gati të shpërtheja në vaj, kur ajo ma priti: “Ty po të lë shëndoshë e mirë dhe do të kesh shumë fat në jetë”. Nuk e kuptova se ku e shihte ajo fatin tim të mirë dhe as pata fuqi ta pyesja. Më përkëdheli pak flokët e zgjatur me dorën e saj të fishkur dhe më tha të dilja e të luaja në oborr. Unë nuk i tregova njeriu për fjalët që më tha gjyshja. I rrëmbyer nga loja me fëmijët e fqinjëve në oborr shpejt i harrova dhe kur pas dy ditësh ajo vdiq megjithmend, unë i ruajta fjalët e saj si një sekret të shenjtë.
Tani rri e mendoj se vështrimin e kujt pati vdekja e saj: të burrit të saj të adhuruar, vdekur para tridhjetë e kusur vjetësh, të ndonjë trimi pas të cilit qe magjepsur në rini, apo të ndonjë të dashuri të fshehtë që askush nuk e pati marrë vesh kurrë? Asnjë përgjigje nuk më erdhi kurrë në mendje për këtë pyetje. Qetësia e saj e akullt, ndërsa priste vdekjen, lehtësia thuajse tallëse, guximi i saj sfidues, ma bëjnë të pamundur ta gjej vështrimin me të cilin i erdhi vdekja.
Po im gjysh që u shua një paradite prilli, ndërsa unë isha larg? Me çfarë vështrimi i erdhi vdekja? Me çfarë sysh? Me sytë e cilës prej dy grave të tij fatkeqe, që jetuan secila vetëm nga tre vjet? Me sytë e ndonjë prej të dashurave të tij të shumta në jetën e tij të gjatë prej vejani të regjur? Në orët e panumërta që ne kishim kaluar me njëri-tjetrin, ai kurrë nuk më kishte folur as për gratë e tij të vdekura dhe as për ndonjë grua që ai ta kishte dashur. Edhe sot e kësaj dite, kur i kujtoj ato vite të kaluara së bashku, të mbushura me rrëfimet e tij të panumërta e të mrekullueshme, nuk mund të zbuloj ndonjë peng dashurie. Pra as për tim gjysh, nuk mund ta di se me çfarë vështrimi i erdhi vdekja, me sytë e kujt.
Një kohë mendova edhe për pleqtë e fshatit, apo për miqtë e shumtë të gjyshit që herë pas here vinin në shtëpinë tonë, që më kishin dashur shumë dhe i kisha dashur gjithashtu. Në kuvendimet e tyre të shumta pothuajse nuk i kisha dëgjuar kurrë të flisnin për dashurinë, sikur kjo shpikje e njeriut ende të mos kishte mbërritur në anët tona. Jo se ishin të përmbajtur e nuk flisnin për gratë, për mikeshat apo dashnoret e tyre të paemra, për femra të harbuara e lavire të pangopshme, që i kishin përpirë si lubi, sa ua kishin shkalafitur trupin e nuk e kishin marrë veten për shtatë ditë. Jo, ata flisnin për gratë sa herë takoheshin, argëtoheshin e talleshin me historitë e njëri-tjetrit, duke u ngutur secili të tregonte një histori sa më të veçantë, me sa më shumë imtësira të pacipa që historia të bëhej sa më joshëse dhe e besueshme. Por nuk i kisha dëgjuar kurrë të flisnin me dhembje dhe brengë për ndonjë dashuri apo grua të humbur. Për ata burra të fortë si shkëmbinjtë mbi të cilët kishin mbijetuar, asnjë ligështim nuk ishte i pranueshëm, aq më pak ligështimi i dashurisë.
Po me ç’dreq sysh u kishte ardhur vdekja këtyre njerëzve? Nëse jo me sytë e gruas së dashur, atëherë me sytë e kujt? Edhe këto pyetje shtoheshin në listën e pyetjeve pa përgjigje, në listën e pyetjeve të mistershme, që e bënin zbritjen e tyre në “vorbullën e shurdhët” edhe më të pashpjegueshme. Dhe kur nuk po gjeja asnjë përgjigje tek të dashurit dhe të njohurit e vdekur, siç ndodh gjithmonë, u ktheva te vetja, e kërkova përgjigjen brenda vetes.
Sytë e kujt do të kishte vdekja ime, me çfarë vështrimi do të vinte? Me sytë e qeshur e të gëzuar të dashurisë së parë, me sytë e thellë dhe të pikëlluar të dashurisë së dytë, me sytë e përndezur të studentes së frëngjishtes, që e pati thërritur emrin tim në mes të auditorit, duke i ngritur e trullosur në këmbë, apo me sytë e asaj vajzës që ende nuk e kisha njohur, por që me siguri do të ishte dashuria ime e ardhshme? Sa më shumë këmbëngulja në gjetjen e përgjigjes së kësaj pyetjeje, aq më e largët ajo bëhej, aq më e pamundur. Dhe nëse përgjigjen nuk e gjen aty ku fshihen përgjigjet më të sigurta, pra brenda vetes tënde, ku dreqin mund ta gjesh?! Pas një farë kohe fillova të dyshoj në vetë pyetjen, në formulimin e saj. Dhe dyshimi i gjithmonshëm: a mos i kam bërë një lexim të gabuar poezisë qysh në krye të herës?
Leximi i kritikave dhe analizave për poezinë nuk linte ndonjë dyshim. Pothuajse në çdo tekst analitik krahas vargut “Verrà la morte e avrà i tuoi occhi”, shënohej në kllapa emri i të dashurës së fundit të Cesare Pavese-s – Constance Doëling. Pra sytë janë të kësaj gruaje, me të cilën poeti pati një histori dashurie, një histori të pafat, që solli edhe fundin e jetës së poetit, vetëvrasjen e tij në hotelin Roma të Torinos, me 26 gusht 1950. Një flijim për dashurinë, në një botë të sapodalë nga lufta shkatërruese, në një botë të zhytur në dëshpërim të thellë, që nuk është në gjendje të çlirohet nga traumat, ankthet, frikërat, veset, degradimi, ku vlerat themelore të jetës dhe të njeriut janë vënë në dyshim. A ka akt më romantik, më poetik, më frymëzues!
Historia e dashurisë së Paveses dhe e aktores amerikane Connie u bë menjëherë e njohur. Poezitë e tij, të botuara post mortum, u përcollën gojë më gojë, u recituan nëpër skena të ndryshme, u shndërruan në frymëzim të jetës. Dashuria është kulti i ri, që mund ta ringrejë botën nga rrënojat e pasluftës dhe të frymëzojë jetën në zemrat e të dëshpëruarve. Askush nuk e vuri më në dyshim se sytë e vdekjes së Cesare Paveses ishin sytë e të dashurës së tij të humbur, sytë e Connie-t të shtrenjtë. Argumentet për këtë interpretim janë të shumtë dhe kritikët e veprës së Paveses nuk kanë ngurruar të theksojnë faktin se poeti pati një histori të zjarrtë dashurie me aktoren e re amerikane. Këtë e dëshmon edhe letra që poeti i shkruajti Connie-t me 17 mars 1950, pesë ditë para se të shkruante poezinë “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu” (Poezia është shkruar me 22 mars 1950), një letër tronditëse dhe krejtësisht të sinqertë drejtuar gruas së dashur. Në këtë letër poeti shkruan:
E dashur Connie,
desha të bëj burrin e fortë e mos të të shkruaja menjëherë, po për çfarë do të shërbente? Do të ish vetëm një shtirje. Të kam rrëfyer ndonjëherë që fëmijë kam pasur supersticionin e “veprimeve të mira”? Kur duhet të përballoja një rrezik, të jepja një provim , për shembull, bëja kujdes që ato ditë të mos isha i keq, të mos ofendoja njeri, të mos ngrija zërin, e të mos kisha mendime të shëmtuara. E gjitha kjo për të mos tëhuajësuar fatin. E po, më ndodh që këto ditë po bëhem sërish fëmijë e po përballoj vërtet një rrezik të madh, duke mbështetur një provim të tmerrshëm, pasi po bëj pakt me veten që nuk guxoj të jem i keq, të ofendoj të tjerët e të kem mendime të liga. Mendimi për Ty dhe një kujtim ose një ide e padenjë, e shëmtuar nuk pajtohen. Të dua.
E dashur Koni, e di të gjithë peshën e kësaj shprehjeje – tmerrin dhe mrekullinë – e megjithatë po ta them, pothuaj me qetësi. E kam përdorur kaq pak në jetën time, e kaq keq, sa është pothuaj e re për mua. E dashur, mendimi që kur të lexosh këtë letër do të jesh pikërisht në Romë – me gjithë sikletin e rrëmujën e udhëtimit të marrë fund -, që do të shikosh në pasqyrë buzëqeshjen tënde e do t’u rikthehesh zakoneve të tua e do të flesh rehat, më mallëngjen sikur Ti të ishe motra ime. Po Ti nuk je motra ime, je një gjë më e ëmbël e më e tmerrshme, e kur të mendoj më dridhen pulset.
Gjithashtu në faqet e ditarit të tij, që u botua pas vdekjes me titullin në italisht “Il mestiere di scrivere” (Mjeshtria e shkrimit), pikërisht në ditët e muajit mars të vitit 1950 poeti flet për lidhjen e tij të dashurisë me aktoren amerikane. Në ditarin e tij të datës 9 mars lexojmë:
“Zemra ime dridhet: unë fërgëlloj, s’mund të ndaloj së pëshpërituri. A është e mundur në moshën time? Kjo që po më ndodh është e njëjtë, sikur të isha njëzet e pesë vjeç. Sidoqoftë ndjehem i sigurt dhe (në mënyrë të habitshme) në paqe dhe gjithë shpresë. Ajo është kaq e mirë, kaq e qetë, kaq e durueshme. Pra, e krijuar për mua. Mbi të gjitha ishte ajo që më gjeti.
Po përse nuk guxova të hënën? Kisha frikë?… Është një hap i llahtarshëm për t’u hedhur.”
Dhe një javë më vonë, me 16 mars, poeti shkruan në ditarin e tij: “Ishte një hap i tmerrshëm, sidoqoftë e hodha. Ëmbëlsia e saj e pabesueshme, “Hiret” e saj, buzëqeshja e saj, kënaqësitë që iu përsëritën shumë herë me mua. Netët në Çervinia, netët në Torino. Ajo është një fëmijë, një fëmijë i paprishur. Pra është vetvetja e lemerisshme”. Po a ishte vetëvrasja e Paveses një vetëvrasje nga dashuria e paralajmëruar me poezinë e famshme “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”?
Një lexim i vëmendshëm i poezisë të bind për të kundërtën. Në poezinë e tij, poeti e përshkruan vdekjen si bashkudhëtaren tonë nga mëngjesi në mbrëmje, të pagjumë e të shurdhët, si një peng i vjetër a një ves absurd, të çliruar nga makthet, tragjizmi, gjëma. Nuk ka kuje, as lot dëshpërimi. Përkundrazi, ka një kthjelltësi tmerruese, ku më në fund do ta dimë se “shpresa e dashur është jeta dhe është asgjëja”. Në vargjet e fundit të poezisë vdekja thjeshtësohet, rrëgjohet, bëhet si “shkulja e një vesi, “si të shohësh në pasqyrë, rishfaqjen e një fytyre të vdekur”, a “si të dëgjosh një buzë të mbyllur”. Pra, sido që të jetë, kjo “zbritje në vorbullën e shurdhët”, siç e përshkruan poeti vdekjen, nuk ka atë dramë, atë tragjizëm, që ka vdekja e njeriut të dashuruar.
Ndërkaq në ditaret e tij, teksa ideja e vetëvrasjes forcohet, pikërisht më 25 mars të po atij viti, poeti shkruan: “Askush nuk e vret veten nga dashuria për një grua, por sepse dashuria, çdo dashuri, na zbulon në lakuriqësinë, mjerimin, dobësinë dhe asgjënë tonë.”
Dhe se ku qëndron lakuriqësia, mjerimi, dobësia dhe asgjëja poeti e shpjegon qartë në shënimin që ai ka lënë me datën 27 maj: “Lumturia ime e ’48 – ’49-ës është paguar grosh më grosh. Mbas asaj kënaqësie Olimpike shtrihet pafuqia dhe refuzimi im për t’u përfshirë. Tani, në rrugën time, kam rënë brenda një gremine. E parashikoj pafuqinë time, e ndjej në eshtrat e mia, jam kapur nga përgjegjësia politike që po më shkatërron. Ka vetëm një përgjigje: vetëvrasja.”
Përse vallë? Për çfarë përfshirjeje bëhet fjalë? Këtë poeti e ka shpjeguar kohë më parë, pikërisht në një fletë ditari të shkruar më 15 shkurt 1950, që e fillon me fjalët: “Pavese nuk është një komunist i mirë”… Rrëfime të intrigës gjithkund. Kundërkomplote në hije që mund të jenë pastaj përfolje të atyre që i ke patur më afër zemrës”. Dhe këtij zhgënjimi nga politika dhe miqtë politikë “më të afërt të zemrës”, madje dhe intrigat e komplotet e komunistëve e futin poetin në një kurth, ku ai sheh si të vetmen rrugëdalje vetëvrasjen. Është e pamundur që kritikëve profesionistë, po edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Pavese-s, t’u kenë shpëtuar këto fakte tronditëse të jetës së tij, që paraprinë dhe parapërgatitën vetëvrasjen e poetit. Por me sa duket askujt nuk i ka interesuar e vërteta tragjike, por miti, krijimi i një legjende sa poetike aq edhe madhështore e heroike, frymëzuese për njerëzit që po jetonin depresionin e thellë të pasluftës, mungesën e shpresës, zhgënjimin dhe frikën për një tjetër asgjësim global në një konflikt bërthamor. Poeti u flijua për dashurinë e humbur. E priti vdekjen me sytë e të dashurës , ose siç shprehet në poezinë më të lexuar të tij “Do të vijë vdekja dhe do të ketë sytë e tu”. (Sytë e Constance Doëling). Gjithsesi një vdekje e tillë është frymëzuese dhe shfajësuese njëkohësisht. E ç’përgjegjësi, mund të kenë vrasësit realë të poetit, nëse ai u vetëvra nga dashuria?! Të gjithë janë të larë: kritikët, miqtë e afërt, bashkëpunëtorët politikë, intrigantët, ziliqarët, smirëzinjtë, vrasësit e fshehtë.
Sikur ta kishte parandjerë gjithë manipulimin që do të bëhej me historinë e tij të mbrame të dashurisë, poeti shënon në ditarin e tij: “Sidoqoftë, edhe ti je vetëm një pretekst. Dështimi real, veçanërisht i imi, qendron në “trazimin agonizues, në ngërdheshjen e tij të fshehtë.””
Ai është krejtësisht i zhgënjyer, shpirtërisht i mpirë, i neveritur, pa dëshira, pa shpresa, pa ëndrra, nuk gjen asnjë fill ku të kapet, asnjë arsye se përse duhet të jetojë. Ai është më i pashpresë, më i humbur se të gjithë ata që kanë drejtuar jetën e tij në humnerë. Nuk kanë rëndësi emrat. Në mos ishin këta emra do të ishin të tjerë. Ky është tuneli i errët ku është futur dhe dalja prej këtij tuneli ka çmim të lartë: paguhet me mishin dhe gjakun e tij, me vetë jetën. Nuk ka dyshim se sytë me të cilët i erdhi vdekja Pavese-s kanë qenë sytë e tij, sy të ftohtë akull, sy të zbrazur nga dëshira për jetë, sy të zhgënjyer, sy të neveritur me gjindjen dhe këtë botë, së cilës ai i kishte dhënë gjithçka: poezinë si askush tjetër, dhembjen, shpirtin, dashurinë dhe gjithë ndjenjat e epërme njerëzore. Në çdo ditë të ekzistencës mbi këtë tokë, Pavese i kishe dhënë dritë jetës nga drita e syve të tij derisa kjo dritë u shterr, u shua. Me këta sy të verbër, sytë e tij, i erdhi vdekja Paveses dhe jo me sytë e Constance Doëling, jo me sytë e bukur të gruas së dashur. Vdekja nuk mund të vijë kurrë me sy gruaje, me sy dashurie. Në vdekje shkohet gjithmonë vetëm, me sytë e tu dhe të askujt tjetër.
DO TË VIJË VDEKJA E DO TË KETË SYTË E TU
Cesare Pavese
Do të vijë vdekja e do të ketë sytë e tu
kjo vdekje që na shoqëron,
nga mëngjesi në mbrëmje, e pagjumë
e shurdhët, si një peng i vjetër
ose një ves absurd. Sytë e tu
do jenë një fjalë e kotë
një klithmë e mbytur, një heshje.
Kështu i sheh çdo mëngjes
kur mbi veten e vetme përkulesh
në pasqyrë. O shpresë e dashur
atë ditë do ta dimë edhe ne
se je jeta dhe asgjëja je.
Vdekja për gjithkënd një vështrim ka.
Do të vijë vdekja e do të ketë sytë e tu.
Do të jetë si të shkulësh një ves,
si të shohësh në pasqyrë,
rishfaqjen e një fytyre të vdekur,
si të dëgjosh një buzë të mbyllur.
Do fundosemi në vorbullën e shurdhët.
22 Mars 1950
Përktheu: Lazër Stani