Vota shqiptaro-amerikane: kundër Sheshelit, për zonjën Clinton
Më 8 nëntor kauza e shqiptarëve në Evropë dhe në Amerikë mbrohet me votën e bashkuar të shqiptaro-amerikanëve për zonjën Hillary Clinton. Jo vetëm ngase Donald Trump premton se do të bëjë çdo gjë që është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Por, ngase zonja Clinton ka kapacitetin, instinktin dhe përcaktimin për të adresuar çështjet madhore të interesit shqiptar, ato të konsolidimit të NATO-s dhe të demokracisë liberale në shtetet dhe shoqëritë shqiptare.
1.
Zgjedhjet në SHBA janë prej kohësh ngjarje globale. Për shumëkënd kanë shije spektakli, për të tjerët analizë se çfarë do të sjellin në të përfunduar. Dhe këtu nuk po flasim për qytetarët e Amerikës, ata që do të votojnë. Fjala është për ne të tjerët, që nuk do të votojmë, por dosido do të ndikohemi në jetët tona nga veprimet apo mosveprimet e presidentit të ri amerikan; përkatësisht presidentes, nëse do të kërkohej vota ime personale.
Çështja se a do të zgjidhet presidenti (Trump) apo presidentja (Clinton) kësaj here ka të bëjë edhe më shumë me jetët tona se zakonisht, sepse përzgjedhja që do të bëhet nuk është mes dy kundërshtarëve tradicionalë ideologjikë, njëri pak në të majtë të qendrës tradicionale, tjetri pak në të djathtë të qendrës tradicionale. Kësaj here, përzgjedhja është mes një kandidateje të traditës politike amerikane dhe të një kandidati që i përket një tradite tjetër. Atë traditë nuk do kërkuar në Amerikë, është lehtë e identifikueshme në fqinjësinë e afërt të shqiptarëve.
Ajo traditë quhet Vojislav Sheshel, vojvodë i çetnikëve, i cili në fillim të viteve nëntëdhjetë u shpërfaq në politikë me parulla të thjeshtësuara të popullizmit të ri serb. Serbia duhej të ishte e madhe sërish, thoshte Shesheli, në mënyrë që serbët të jetonin më mirë. Ekzistonte një konspiracion i të gjithëve që Serbia të mos jetë e madhe (e kroatëve, hebrenjve, masonëve, shqiptarëve dhe kujtdo që t’i binte në mend Sheshelit atë ditë që do të mbante fjalimin) dhe andaj duhej bashkuar serbët kundër të tjerëve. Atyre që nuk do ta pëlqenin një këso Serbie do t’i priste fati i keq: ai premtonte se kroatëve do t’ua nxirrte sytë me lugë të ndryshkura e shqiptarëve të Kosovës për çdo vit u premtonte se do t’i dëbonte tej Bjeshkëve të Nemuna, për në Shqipëri.
Shesheli në fillim quhej palaço dhe shumë njerëz, përfshirë edhe shqiptarë të Kosovës, qeshnin me brutalitetin e fjalorit të tij, posaçërisht kur në debate shante kundërshtarët e vet politikë, e në veçanti kur kundërshtarët e tij politikë qëllonin të ishin femra – një inspirim për të që të tregojë se nuk e kanë vendin aty.
Të gjithë ata që qeshën nuk e bënë më kur vojvoda çetnik ishte në Vukovar, ndërsa vriteshin kroatët, në Bosnjë, ndërsa vriteshin boshnjakët, apo kur kolonat e shqiptarëve të Kosovës filluan t’i kalonin Bjeshkët e Nemuna si ikanakë.
2.
Donald Trump nuk ka pasur nevojë të investojë shumë mund intelektual për të gjetur platformën e tij politike.
Sillet sikur ta kishte lexuar dr. Sheshelin: premton se zgjidhja për çdo gjë është që Amerika të bëhet sërish e madhe dhe këtë ta bëjë duke ua prishur konspiracionin antiamerikan kinezëve, demokratëve, meksikanëve, njerëzve që si Obama thoshte se nuk janë as të lindur në Amerikë, myslimanëve dhe kujtdo që t’i bjerë në mend ditën e mbajtjes së fjalimit. Atyre që nuk u pëlqen një ide e këtillë do t’i dëbojë që në ditët e para të presidencës përtej Rio Grandes, për në Meksikë; apo do të pengojë të hyjë nëse janë myslimanë, derisa të merret vesh se çka duan myslimanët në të vërtetë në këtë botë.
Sikur dr. Shesheli dhe Milosheviqi pas tij, edhe Donald Trump pranon se jo të gjithë “ata” janë të këqij. Sikur Shesheli dhe Milosheviqi, që thoshin se ka shqiptarë të ndershëm, ashtu edhe Trump thotë se në mesin e meksikanëve dhe myslimanëve ka njerëz të mirë dhe të ndershëm – që është forma më e lehtë për të treguar për një paragjykim ndaj kolektivitetit. Qoftë të shqiptarëve. A të meksikanëve. Apo të myslimanëve.
Apo të femrave, të cilat në sytë e Trumpit nuk shërbejnë për një kut tjetër matës pos atij të pamjes fizike.
Për një elektorat të mërzitur me establishmentin politik amerikan paraqitja e Trumpit mund të jetë dukur si rast për të qeshur. Por, siç u pa me Sheshelin, qeshja mund të mbetet në fyt.
3.
Për shtetet dhe shoqëritë shqiptare në Ballkan, rreziku i Trumpit nuk është vetëm ai i paraqitjes së një popullisti. Fundja, shtetet dhe shoqëritë shqiptare janë të ndikuara negativisht nga popullizmi evropian. Qoftë me veprimin e drejtpërdrejtë të Putinit (për të cilin Trumpi flet me admirim) për destabilizimin e Ballkanit dhe cenimit të interesave shqiptare për një Kosovë të pavarur dhe Maqedoni stabile e demokratike. Qoftë nën ndikimin e Erdoganit dhe krijimit të modelit të tij të “vëllait të madh” për vëllezërit e tij të vegjël në shtetet shqiptare. Qoftë edhe me popullizmin, posaçërisht primitiv dhe posaçërisht të dukshëm në kapjen e shtetit të Kosovës.
Rreziku i Trumpit është paraqitja e një alternative të fortë populliste më Amerikë, fitimi i së drejtës së qytetarisë në vendin të cilin shoqëritë e brishta evropiane ende e shikojnë si model demokracie. Dhe atë mu në momentin kur popullizmi evropian ka marrë forcën e vet, madje do të testohet në zgjedhjet presidenciale franceze me të djathtën e skajshme të zonjës LePen.
Dhe me kaq nuk mbaron rreziku i tij, aty fillon. Kandidati presidencial Donald Trump e sheh NATO-n si një shoqëri aksionare, vlera e së cilës përcaktohet çdo ditë në bursë. Ai u sugjeron japonezëve dhe koreanëve jugorë të ndërtojnë bomba bërthamore, e shteteve të tjera brenda NATO-s që të fillojnë t’i paguajnë SHBA-së shërbimet e mbrojtjes së saj.
Kandidati Trump Rusinë e sheh me simpatinë që ka për Putinin dhe aftësinë e tij për të kontrolluar Krimenë, një pjesë të Ukrainës, dhe luftën në Siri.
Me përcaktime të këtilla në politikën e jashtme, të cilat nuk i ka pasur asnjë kandidat presidencial gjatë tërë shekullit XX, Trump godet drejtpërsëdrejti interesat shqiptare, të cilat janë ngushtë të lidhura me anëtarësimin e plotë të shteteve të shqiptarëve në NATO dhe me pengimin e depërtimit të Rusisë në to.
Për më tepër, me rrezikun real të popullizmit të ri evropian dhe të “demokracisë joliberale” tashmë të filluar si koncept në shtetet si Hungaria, shtetet dhe shoqëritë e brishta shqiptare kanë nevojë për një Amerikë demokratike të interesuar që investimi i tridhjetë vjetëve të kaluar në konsolidimin e demokracisë në Evropën Lindore e atë Qendrore, përfundimisht dhe në Ballkan, të ketë sukses.
4.
Shqiptarët e Amerikës, ngado që të kenë shkuar në Amerikë, kanë treguar gjithherë kapacitetin e vet për t’u organizuar dhe bërë bashkë në kauzat e mbrojtjes së kombit, qoftë në avancimin e demokracisë në Shqipëri, luftës për liri e pavarësi në Kosovë, barazi në Maqedoni e Mal të Zi.
Më 8 nëntor kauza e shqiptarëve në Evropë dhe në Amerikë mbrohet me votën e bashkuar të shqiptaro-amerikanëve për zonjën Hillary Clinton. Dhe jo vetëm ngase Donald Trump premton se do të bëjë çdo gjë që është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Por, ngase zonja Clinton ka kapacitetin, instinktin dhe përcaktimin për të adresuar çështjet madhore të interesit shqiptar, ato të konsolidimit të NATO-s dhe të demokracisë liberale në shtetet dhe shoqëritë shqiptare./Koha.net/