Albspirit

Media/News/Publishing

A ka lepur në Himarë dhe pse Athina vesh një lëkurë ujku?

A ka lepur në Himarë dhe pse Athina vesh një lëkurë ujku?

Çfarë dreqin po ndodh në Himarë? Ndoshta një dramë e madhe e ca pronarësh shtëpiash të vjetra dhe historike, që duhet të luftojnë kundër vendimit të shtetit tëtyre. Ndoshta i nxituar dhe ndoshta krejtësisht i padrejtë. Por gjithësesi, kjo që po ndodh në Himarë, ka ndodhur dhe do të ndodhë kudo e në çdo vend, ku ka ndryshime urbane nëpër qytete apo fshatra të rëndësishme me origjinë pikante, si dhe është Himara, një fshat turistik në bregdet.

Dhe kjo është një gjë fare e vogël, për të harxhuar një zhurmë kaq të madhe, të ndërkombëtarizuar, që po na fut edhe ne në kurth pas kurthi, diskutimesh boshe dhe pa thelb të mirëfilltë. Sepse nëse kryebashkiaku Goro apo Rama, po bën qoftë edhe një marrëzi urbanistike në Himarë, kjo është një arsye që ne shqiptarët, e përsëris ne shqiptarët, të protestojmë dhe të hakërrehemi ndaj kësaj.

Por kjo është dhe mbetet një Çështje e Brendshme e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Mirëpo nëse Athina zyrtare, apo Sillogjet nacionaliste Vorio-Epirote, komunitetet Helene në emigracion dhe mediat e painformuara ose qëllimisht agresive, fillojnë e shkruajnë për një rrezik nacionalist antigrek në Shqipëri, bërtasin për një të pavërtetë. Kryebashkiaku Goro është ligjshmërisht i zgjedhur kryetar bashkie në Himarë, po ashtu edhe Edi Rama, kryeministër.

Jemi pra në mesin e një beteje përzgjedhjesh urbanistike, ndërmjet palësh legjitime, që ushtrojnë detyrat e tyre funksionale të pushtetit dhe marrin vendime si autoritete fuqiplota, të zgjedhura, të votuara dhe vepruese në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, shtet Sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht, prej 104 vjetësh.

Nëse vëllezërit dhe fqinjët grekë, janë kaq të provokueshëm dhe në krizë të plotë idesh, por edhe viktima të dizinformacionit të ca politikanëve lokalë minoritarë, që në copëzim dhe në humbje të përvitshme të elektoratit të tyre, janë në kërkim të kauzave, për tu ringjallur politikisht dhe financiarisht, hyjmë padashur, në spiralen e një situate qesharake. Ose sëpaku fillimisht qesharake, se më pas, situate dramatizohet sipas traditës më të keqe ballkanike.

Reagimi i policisë kufitare greke, në Kakavije, është tashmë një daulle e shpuar, që i bie njësoj prej 25 vitesh. Bllokime, ndalesa, inate, agresivitet burokratik dhe shkelje e të drejtave dhe konventave europiane apo dypalëshe shqiptaro-greke, të firmosura, të vulosura dhe të miratuara nga autoritetet më të larta, të vendeve përkatëse.

Sulmet mediatike, joproporcionale ndaj Kryeministrit shqiptar dhe që përgjithësohen mbi të gjithë shqiptarët, plot pasion, interpretime subjektive të paragjykuara, janë paraprijëse e incidenteve të mëvonshme, që gjakrat e nxehta të ballkanasve, i kanë në të përditshmen e tyre, diçka të zakonshme.

Do të ishte e turpshme, që të përdoret një rast i tillë për të hedhur në erë investimet shumë vjeçare, për marrëdhënie të mira, ose sëpaku të qëndrueshme midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.

Por do të ishte gjithashtu e turpshme, që Athina zyrtare dhe Sillogjet Vorio-Epirote underground, të pengonin Shtetin Shqiptar në përmbushjen e misionit të tij legjitim, të mbarëvajtjes së territorit të Republikës së Shqipërisë, duke rënduar me të gjithë forcën e influencave të veta, për të rrëfyer se kush janë ata, për Shqipërinë e vogël, por sot, jo edhe aq me sa duket.

Mënyra foshnjarake se si po reagon Athina zyrtare dhe mediat Helene, po e përmbysin situatën në favor të kryeministrit Rama.

Nëse e përgjithshmja e mediave shqiptare, e ka ironizuar kryeministrin e vet deri më tash, nëse kemi qenë të dyzuar për ankesat e ca himariotëve, për disa shtëpi që do të prishen dhe do të dëmshpërblehen, për një shëtitore, sot, mbas kësaj përgjigjeje të zjarrtë dhe muskuloze dhe pse jo, arrogante, del se nuk ka lepur ne Himarë.

Por paska lepur ne Athinë dhe Himara duhet si shkak, për të ulur edhe njëherë kokën e shqiptarëve, duke poshtruar qëllimisht shtetin e tyre.

Please follow and like us: