Fshati Hoxha që u bë Livadhja dhe 7501-shi i Nano-Berishës që i fal Greqisë territor shqiptar
Nga Ermir Hoxha
Grekët kanë shumë arsye mos qahen nga shqiptarët. Por as këta të fundit nuk kanë pse qahen për grekun, sidomos për fatin e pronave çemërve, pasi kanë mundur o prej papërgjegjshmërisë o prej “kalit të trojës” brenda tyre, që t’u dhurojnë fqinjëve një pjesë të mirë të Shqipërisë së jugut.
Si është e mundur? Po! A nuk po ndodh prej vitesh që përfaqsuesit e minoritetit kërkonjë kthim pronash? E ndërkohë, a nuk e dëgjuat Panajot Barkën tek pohoi ne “Kapital”-in e Aleksandër Furxhiut në Vizion Plus se ai është formulues i dy neneve të ligjit – me plot arsye për t’u konsideruar famëkeq – 7501?
Por le ta nisin fillimsht nga Hoxha që u bë Livadhja. Edhe sot e kësaj dite, në një pjesë të fshatrave të Çamërisë të bashkisë së Konispolit, ai njihet si fshati Hoxhë. Siç rrëfehet, mu aty ku sot shtrihet fshati- zemër i minoritetit grek në skajin jugor të vendit – tashmë edhe bashki më vete me ndarjen e re territoriale – dikur një hoxhë kishte ndërtuar sarajet e tij duke pasur çifligje të shumta ku punonin bujq e argatë grekë që jetonin në kasolle. Kështu dhe vendi morri titullin fetar që ai mbante, por që emrin nuk ia mban mend askush. Hoxha ekzistoi deri në fundin e viteve ’70-të, kohë kur partia ia ndërroi emrin në Livadhja me vendim zyrtar, në kuadër të një fryme të çrr njosjes së elementëve fetare pas ’67-ës. Dhe ndodhi që disa emra fshatrash që kishin konotacione të forta fetare, të merrnin të tjera emra me vendim partie si:
Ymer Efendi – Fitore
Kara Ali bej – Fanari
Karahaxhi – Blerimas
Shën Vasil – Përparim
Ndërsa në një rast, ndryshimi i emrit u bë për shkak të një konotacioni erotik: Mavropuli (Zogu i zi) u kthye në Buronjë.
Pas ’90-ës, disa fshatra iu kthyen emrave të tyre burimor, por kjo nuk mund të ndodhte në Livadhja. Greku që kishte shtrirë influencën e vet politike dhe ekonomike – kujtoni gjithnjë faktin që Panajot Barka ka diktuar dy nene të 7501-it – të mund ta lejonte një gjë të tillë.
Por sa për të treguar se atyre anëve që sot njihen si zona minoritare, toponimia nuk ka qenë greke – pasi grekët janë të ardhur si argatë, të punësuar tek pronarë të mëdhenj tokash shqiptarë – mjaft të përmendin emrat e disa fshatrave që nuk u trazuan, pasi nuk përmbanin ndonjë fetarizëm të ashiqartë, duke qenë njëherësh emra fisesh: Sopik, Dërmish – Dyrmish pra; Halo, Çaush, Aliko; dhe ku vjen një emër fshati minoritar si për të treguar se ata janë të ardhur: Ardhasovë.
Po po, të ardhur, por të bërë me tokë fillimisht nga reforma agrare e Enver Hoxhës, dhe më pas nga 7501-shi me konsenus, që çuditërisht nuk është diskutuar asnjëherë për t’u shfuqizuar që kur është miratuar në vitin 1991. Ky ligj, nuk është gjë tjetër veçse një spastrim etnik i butë në dobi të minoritetit. Edhe pse nuk mundet të artikulojnë qoftë dhe një pronar të vetëm tokash minoritar, përfaqsuesit e tyre politikë nuk rreshtin së kërkuari “kthim pronash”. Ndërkohë që të parët e tyre kanë punuar në çifligjet e Shametajve, Kallapollajve, Çinirajve, Minxallarëve, Abazajve, Pashakajve, disa prej familjeve të mëdha pronare të jugut, që me reformën komuniste të vitit ’46, partia e cila i konsideronte bejlerë e agallarë, ua morri pronat për t’jua dhënë fshatarëve pa tokë – mes tyre dhe argatëve dhe bujqve grekë pasardhësit e të cilëve tashmë diktojnë nene në ligje pronash dhe kërkojnë të njihen si pronarë.
Pra, me fshatra që dikur quheshin Hoxhë e sot Livadhja, e gjithashtu me prona të dhuruara nga Enveri fillimisht e më pas nga Berisha – Nano, greku ndihet tamam në shtëpinë e vet.
Dhe çështja shtrohet: si mundet që kërkohen pronat e çemërve, kur shteti shqiptar i ka falur minoritetit – në kuptimin politik afatgjatë, Greqisë – territor të sajin?!