Albspirit

Media/News/Publishing

Gramafoni i fëmijërisë

 

Image result for izet shehu

 

Gramafoni i fëmijërisë

 

Tregim nga IZET SHEHU

 

E mbaj mend fort mirë atë ditë tërë trazime, tërë zhurmë e andralla! Isha i vogël, fare I vogël. Vërtet qe një ditë e bukur maji, por për mua, nga mëngjezi në mbrëmje, qerpikët më mbetën të lagur e të kripur nga lotët. As në romane, as në filma s’e kam ndeshur atë egërsi makutësh, si në atë ditë maji, kur na sekuestruan.

Pas luftës, rreth Teqesë sonë me emër, përveç mekamëve, xhamisë dhe selvive të gjelbra që pozonin tërë krenari, çdo gjë qe kthyer në gërmadhë.

U bënë përpjekje për të ringritur shtëpitë dykatëshe, të djegura nga fashizmi në gusht të vitit 1942. U hodhën themelet. Vetëm kaq. Mbi to, për arsye që dihen, mbeti vetëm ulërima e kukumjaçkave. Burrat e fisit lëngonin nëpër burgje. Pleqtë, plakat, gratë e fëmijët zvarriteshin si mos më keq. Familja e madhe u përqendrua në hauret e vjetër. E megjithë të këqijat që na ranë si gurë të zinj mbi kokë, s’qenë ngopur me kaq hienat e kuqe. Me kamionë të mëdhenj, të mbetur nga lufta, ia behën. Para portës së madhe qëndronte një “Xhems” i vjetër, gati rrangallë. Zbritën çapaçulët. Disa me pushkë të gjata në duar. U përqendruan qark shtëpive. Si një laureshë e trembur nga skifteri, dola prapa shtëpisë së rrënuar, ku mbaheshin vetëm muret e të dy kateve dhe ndala në kopshtin e vjetër që dukej si vend i egër, mbuluar me ferra e driza. Pemët, të veshura në të gjelbër, ngriheshin mbi drizat e ferrat. Frynte një erë e lehtë. Duke larguar me dorë lastarët e njomë të ferrave, ecja pa zhurmë nëpër një udhëz të kopshtit, gjersa mbërrita mbi drurin e lartë të një qershie. Si mace iu vara trungut të qershisë dhe u ngjita gjer në majë. Pak më tej qershisë, bleronte një copë toke. Nëpër të, lulëkuqet e luleshtrydhet ngrinin sipër barit kokën e tyre të kuqe e të bardhë. Zura vend mbi qershi dhe shihja me ankth e kërshëri të gjitha ato lëvizje të atyre njerëzve makutë.

  • Dilni të gjithë në oborr!- urdhëronte me zërin e çjerrë Sakoja. – Dhe mos u ndjeni! Kulakë të ndyrë!

Dolën të gjithë. Nga oborri i xha Malit, në rrëzë të kodrës, të njëjtën ulërimë kafshërore lëshonte dhe Gorrua e Braçia. Pashë të gjorin Dervish Mali se si me shkop në dorë mezi i zbriti shkallët e gurta.

  • Hë, dervish, o mjekër pipëz, nuk është puna si një ditëz, – thërriste Llaqi, komandanti i skuadrave të sekuestrimit.

Dervishi, si doli nga shtëpia çalë-çalë, u mbështet në trungun e akacies së lulëzuar në oborrin e tij dhe, me sytë nga qielli, diç mërmëriti, duke lëvizur me gishtërinjtë e rreshkur nga pleqëria kokrrat e fildishta të tespive. Pastaj kapi me dorë mjekrën e bardhë si dëborë.

Oborret e Shehlerëvë u mbushën me orenditë e shtëpive: divanë, krevatë, enë kuzhine, korniza e sende të tjera. Fshatarët, militantë të devotshëm të partisë, ardhur nga fshatra përreth, si i nxorën plaçkat në oborr, i ngarkuan mbi kamionë. Pas plaçkave, gjer dhe lugët e biberonët e fëmijëve, filloi boshatisja e grazhdeve, ku mbahej zahireja, drithi e produkte të tjera bujqësore e blegtorale. Të tjerë, brekëçjerrë si këta, bënin kërdinë poshtë në fushë. Pasi kishin kërcënuar hyzmeqarët, siç më tregoi më vonë Likua, kishin nxjerrë jashtë kasolleve bagëtinë, lopë, qe, buaj e buallica, dhentë e gjer pulat e vezët e pulave në kotec pranë kasolleve dhe ishin nisur drejt grumbullimit.

Unë, me zemër të lënduar i trembur dhe me një mllef të madh, rrija mbi qershi e shikoja. Duke parë këto skena, duart i shtrija nga qielli. I lutesha Zotit. Po ku ishte Zoti i madh në ato çaste? Ku ishte?

Çdo gjë më dhimbsej. Çdo gjë, po gjëja që më lëndoi më shumë e për të cilën qava e qava si i marrë jo vetëm atë ditë mbi qershinë e kopshtit të vjetër, por edhe ditë të tëra me radhë qe gramafoni.

Dy çapaçulë, që s’i njihja dhe kurrë s’ua pashë më syfetin, si i hoqën mënjanë gramafonin dhe sahatin e madh me lavjerrës, dolën vjedhurazi në kopshtin e vjetër, larguan me dorë lastarët e njomë të ferrave e dritave, kaluan poshtë qershisë, ku rrija i trembur.

  • Këtë e dua unë, – tha njëri, një qimekuq e thatim.

– Jo, e dua unë. Ti merr sahatin, – i tha tjetri.

– Ore, sikur qameti të bëhet. Gramafonin do ta marr unë dhe pikë, – ngriti zërin e hollë qimekuqi.

Gramafonin dhe sahatin me lavjerrës i kishin rrëzuar me kurriz mbi barin e bleruar. Ngroheshin nën rrezet e diellit. Mua, që në ato çaste qaja, se gati s’m’u morën mendtë. Ndjeja dhimbje.

Ndjeja keqardhje. Por durova. Kafshova gishtin me dhëmbë. Pas pak, qimekuqi e kapi fort tjetrin në jakë të xhaketës së vjetër ushtarake. Ai reagoi. Duke e sharë e gjuajtur njëri-tjetrin me grushta, ata si dy qenër të zgjebosur me opingat e tyre prej lëkure kau, shkelën blerimin e barit dhe kokat e bardha e të kaltra të luleve. I nervozuar e I skuqur si spec djegës, qimekuqi, e kapi gramafonin dhe e përplasi me forcë në trungun e një kumbulle gjysmë të tharë. Tjetri bëri t’ia hiqte nga duart, po qe e kotë. Gramafoni im i fëmijërisë u bë copë e thërrime.

Në ato çaste qava. Qava fort e me dënesë. Zbrita nga qershia, duke u rrjepur nga llërët e krahëve e kërcinjtë e këmbëve.

Ata shtangën. Të dy, të shkalafitur si mos më keq, njëri veshpërgjakur e tjetri me mëngët e xhaketës së grisura ndër duar, qëndruan mbi lëndinën e vogël e të bleruar një copë herë. Tamam si dy qenër, që, pasi kafshojnë veshët e njëri-tjetrit, lëpihen. Kështu m’u dukën në ato çaste. Rashë përmbys mbi copëzat e thyera të gramafonit dhe aty, duke qarë më zuri gjumi.

Vonë, në të perënduar të diellit, dëgjova zërin e nënës:

  • Pse kështu, mor bir?! Ne na morën të gjithë pasurinë e ti qan për këtë të flamosur gramafon. Hajde, pëllumbi im! Bëhu burrë! Bëhu burrë!…

 

(Gazeta Nacional, 8-15 prill 2012)

Please follow and like us: