Përkthimet e dokumenteve të Mirahorit mbajnë fshehur domethënien e emrit Korça
Nga Vepror Hasani
Përkthimet e dokumenteve të themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, janë të mangëta. Ato nuk hedhin dritë mbi origjinën e emrit të Korçës, nuk shpjegojnë domethënien e tij, e anashkalojnë këtë çështje, qëndrojnë të heshtura. Aktualisht ekzistojnë dy variante të përkthimit të dokumenteve të Mirahorit; i pari është botuar nga Petraq Pepo te “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, viti 1957, kurse i dyti nga Sejdin Ramo te “Ilia Panariti dhe Korça”, viti 2003, i ribotuar më 2011, por as njëri dhe as tjetri prej përkthimeve nuk merr përsipër të shpjegojë atë që përkthen. Dimë që emri i Korçës në frëngjisht shkruhej Gueuridje kurse në arabisht Gierixhe. Dimë gjithashtu, që sipas studiuesit Nuçi Naçi, kjo fjalë ka kuptimin “shiko e shko”, por edhe kjo gjë nga përkthyesit nuk thuhet. Edhe për emrin e fshatit Pesë-shtëpi, (Peskëpi), ku banonin ortodoksët e Korçës nuk jepet asnjë shpjegim. Në dokumentet e Mirahorit shënohet “Peskopje”, por a është i shkruar kështu në origjinal ky emër apo është shpikje e përkthyesve. (Të argumentuar do ta sjellim më poshtë). Veç kësaj, botimit të Sejdin Ramos, krahasuar me atë të Pepos, i mungojnë fakte që dokumenti origjinal i ka, kurse përkthimi jo. Nëse kjo gjë nuk është lajthitje e studiuesit Ramo, (kur ka kopjuar tekstin e përkthimit), atëherë bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme të së vërtetës. Të gjitha këto dhe të tjera, do t’i rendisim në vijim, por një gjë kuptohet e qartë: përkthimi i dokumenteve të Mirahorit mban të fshehur domethënien e emrit Korça.
Përkthimi i botuar prej Pepos, qytetin e Korçës e shënon Gjorixhë, kurse fshatin Peskëpi Peskopje: “…Beut të Sanxhakut të Janinës, Iljazit, – këtij i vazhdoftë digniteti, – ja pata bërë mylk (në original temlik-Përk.) katundin e quajtur Peskopje, por në fermanin tim të shenjtë që pata lëshuar, pat mungesa dhe ishte nevoja që t’i caktoheshin kufijt. Për këtë i pata dërguar urdhëresë kadiut të Gjorixhës, imzot Bedrudinit, edhe kadiut të Bilishtit, imzot Haxhiut, të cilëve u pata dhënë urdhërin që vijon:”. (Fragment nga dekreti për përcaktimin e kufijve të fshatit Peskëpi).
Të njëjtat terma përdoren edhe te përkthimi i botuar prej Sejdin Ramës: “…Beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit – i lartë qoftë gjithnjë – i pata bërë pronë personale fshatin e quajtur Peskopja që është në vartësi të Gjërixhës (të Korçës), po me qenë se dekreti i pronësimit ishte i mangët dhe (është shfaqur) nevoja për t’i caktuar kufijtë, u dërgova urdhër të lartë kadiut të Gjërixhës, effendi Bedrudinit dhe kadiut të Bilishtit, effendi Haxhiut. Ata i pata urdhëruar kështu:”.(Fragment nga dekreti për përcaktimin e kufijve të fshatit Peskëpi).
Pyetjet që lindin janë këto: Pse Korça quhet Gjorixhë? Si është i shkruar ky emër në dokumentin origjinal? Pse nuk shpjegohet domethënien e tij? Pse përkthyesit nuk shprehen nëse janë dakord ose jo me Nuçi Naçin, që thotë se fjala “Korçë” ka kuptimin “shiko e shko”? Ja çfarë shkruan ai: “Nga e muarnë këtë emër osmanllinjtë, a nga e mori Koxha Mirahori kur i kërkoi sulltanit viset rreth Xhorxhesë, nuk e dimë. Kjo fjalë është turqisht që do të thotë “shiko dhe shko.” (Nuçi Naçi në vend të emrit “Korça” përdor fjalën “Xhorxhe”, pasi ai ka qenë i njohur me dokumentet origjinale të Mirahorit, por ndryshe nga përkthyesit, ai jep domethënien e emrit Korça).
E njëjta pyetje vlen edhe për fshatin Peskëpi. Pse në dokumentet e përkthyera quhet Peskopje? Ky fshat nuk është quajtur kurrë kështu. Mos vallë kjo është shpikje e përkthyesve? Nuçi Naçi, i cili pati fatin të lexonte shënimet e themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, që bënin fjalë për fillesat e Korçës, shpjegon pse fshati quhej Peskëpi dhe jo Peskopje “Kur dhe si është ndërtuar së pari Korça dhe si quhej, nuk dihet mirë. Por pas ca tregimesh dhe në të shkruarat që u ka lënë Koxha Mirahori, Mytevelinjëve, merret vesh se Korça para 1487-ës ka qënë një fshat i vogël që ka pasur jo më shumë se 10-15 shtëpi. Dhe atëherë quhej Pesshtëpi, d.m.th. “Pesë-shtëpi” dhe rrinin (banonin) gjithë bujq. Nga fjala “Pesshtëpi”, ca shkronjës grekë, nuk përtuan ta kthejnë këtë fjalë në “Episkopi”. Ca të tjerë nuk pushojnë së thënë se emri i Korçës është bërë nga fjala greqisht “kori” (korica), d.m.th “çupë”, epo qysh ta besojmë në greqisht këtë emër! … Më 1484 dhe më pas, vendi ynë grekë nuk kishte, pale edhe më parë nuk kishte, pra qysh emri i një qyteti a i një fshati mund t’i vihet një fjalë e huaj që vendi se kupton?!”(Nuçi Naçi, Korça dhe katundet për qark).
Atëherë, si është e mundur që fshati Peskëpi në dokumentet origjinale të jetë i shkruar Pskopje? Grekët u përpoqën ta tjetërsonin historinë e Korçës dhe Peskëpisë pas hartimit të platformës së Megalidhesë më 1844, kur nisën të mendonin për kthimin e Greqisë në kufijtë e Perandorisë Bizantine. Kjo ishte arsyeja pse Korçën nisën ta quajnë “Korica” dhe Peskëpinë “Peskopje”, d.m.th, qendër episkopale! Mirëpo dokumentet e themeluesit të Korçës u hartuan gjatë viteve 1484-1505, ose 360 vjet më parë nga hartimi i platformës së Megalidhesë; atëherë si hyri emri Peskopje në dokumentet e Mirahorit?!
Peshkopi i parë i Korçës, Patriku Joasaf, voskopojari u zgjodh në vitin 1709. Ceremonia u krye në kishën e Shën Kollit në Boboshticë sepse deri atë ditë fshati Peskëpi nuk kishte asnjë kishë të denjë për një rast të tillë. (Në këtë kohë, të gjitha kishat e Peskëpisë ishin në gjendjen e kishës së Shën Thanasit që shihni në foto). Zgjedhja e Joasafit si peshkop përmendet te libri “Frasërotii”, i profesorit të Universitetit të Kllushit të Rumanisë, ku përshkruan vizitën e tij në Boboshticë: “Përveç kësaj,- shkruan Kapidan, – ma kishte ënda ta shoh këtë plit edhe sepse aty është monastiri i Shën Kollit, në të cilin, në vitin 1709, Patriku Joasafi, voskopojari, është zgjedhur si i pari peshkop i Korçës…”
Sejdin Rama te libri i tij “Ilia Panariti dhe Korça”, f. 120, për një dokument tjetër të Mirahorit, shkruan: “Sot ky dekret ka në krye një shënim greqisht dhe tri vula për legalizim”. Bëhet fjalë për dekretin e marrjes në pronësi nga ana e Iljaz bej Mirahorit të fshatrave Vithkuq dhe Leshnjë. Përse ka qenë i nevojshëm shënimi dhe tri vulat greke? Ndërsa në një dokument tjetër të Mirahorit, emri i Peskëpisë del herë “Eskopja” dhe herë “Peskopja”. gjë që shton paqartësitë mbi përdorimin e formave të ndryshme të këtij emri. Gjithsesi, një gjë mbetet e qartë: përkthimi i dokumenteve të Mirahorit mban ende të fshehur domethënien e emrit Korça.
Veç sa më sipër, përkthimit të botuar nga Sejdin Rama, që bën fjalë për përcaktimin e kufijve të Korçës, i mungon kjo fjali: Prej aty vazhdon varg e vjen në katundin e quajtur Koriçen nëpër (ujët Përkth) e Mborjes që kalon përmes të katundit, arrin te rrasa e ngulur në midis të arës së Taleçit…” Kapërcimi i kësaj fjalie (nëse është bërë nga përkthyesi), fsheh faktin që qyteti i Korçës dhe fshati Peskëpi ishin dy vendbanime të ndryshme; kufiri kalonte nëpër ujin e lumit të Mborjes e dilte ne arën e Taleçit. Por jo vetëm kaq: përkthimet e dokumenteve të Mirahorit mbajnë ende të fshehur domethënien e emrit Korça.