“Tifo” ballkanase për zgjedhjet në SHBA. Shqiptarë e serbë, sërish të ndarë
Veljko Laliç, kryeredaktor i së përjavshmes “Nedeljnik”, është i bindur se intervista e realizuar me Donald Trump, kur kandidati republikan kërkoi falje për bombardimet e NATO-s për luftën e Kosovës, është autentike. Ai thotë se Trump e tërhoqi intervistën e cituar në tërë botën pas reagimeve, vetëm 12 orë pas publikimit të saj.
Rreth 55 për qind e serbëve besojnë se Trump është njeriu i duhur për të qenë president i Amerikës.
“Hillary është pritur aq mirë në Kosovë, si dhe Biden, ndërsa bashkëshorti i saj ka shtatore në Kosovë, kurse në Beograd përmendore të Clintonit janë rrënojat e ndërtesave, që na kujtojnë bombardimin më të madh të Europës që pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Veljko Laliç, kryeredaktor i “Nedeljnik”.
Ballkani pret me po aq dëshirë zgjedhjet amerikane, apo mbase edhe më shumë se vet shtetasit amerikanë. Të ndarë, serbët besojnë më shumë te Trump, pasi Bill Clinton udhëhoqi fushatën e bombardimeve në luftën e Kosovës.
“Në Serbi kemi disa miza, që quhen ‘mizat Clinton’, pasi ato janë miza të papërshtatshme, që besohet se vijnë si pasojë e materialeve radioaktive”, tha Dragoljub Petroviç, kryeredaktor i “Danas”.
Shumica e shqiptarëve shpresojnë të fitojë kandidatja demokrate, ish-senatorja dhe Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Në Prishtinë do të ketë festë për të.
“Ne tashmë vetëm sa i kemi filluar përgatitjet dhe nëse fiton, jam i sigurtë që do të fitojë dhe dashtë Zoti fiton, ne do ta organizojmë një mbrëmje duke ftuar edhe një kor grash, për të ngritur dollitë për fitoren e saj”, tha Agim Rexhepi, “Miqtë e Amerikës”.
Drejtori i gazetës “MAPO” në Tiranë, Alfred Lela, i cili është edhe shtetas amerikan, beson se pavarësisht fitores së njërit apo tjetrit kandidat, qëndrimet ndaj Ballkanit nuk do të ndryshojnë.
“Nuk besoj se Trumpi do t’u qëndrojë atyre që thotë. Duhet të kemi parasysh Trumpin kandidat dhe Trumpin president, nëse ai zgjidhet. Besoj se ndryshojnë gjërat kur futesh në Shtëpinë e Bardhë. Zyra Ovale bën që të bien shpesh disa prej premtimeve gjatë fushatave elektorale”, thotë Alfred Lela, drejtor i “MAPO”-s.
Por, si priten zgjedhjet amerikane në Ballkan dhe sa e mundur është të ndikojnë ballkanasit në këto zgjedhje. “Exclusive”, në udhëtimin e dashurisë amerikane.