Albspirit

Media/News/Publishing

Kjo është Hillary e Preshevës

(Flet zonja e parë e legjislativit në Preshevë, kryetarja Ardita Sinani)

 

Qasja e dy shteteve amë, e asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, janë shumë me peshë dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për ne, e po ashtu edhe e faktorit ndërkombëtar. Kërkesat e nevojat tona drejtuar të dy shteteve shqiptare, por edhe faktorit ndërkombëtar, e që të përcillen institucionalisht dhe në nivel shtetëror, në Beogradin zyrtar, kanë një peshë dhe ndikim të madh, që përkushtimi ndaj kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të jetë më praktik e më pragmatik.

 

Intervistoi: Sevdail Hyseni

 

Zonja Ardita, këtyre ditëve, zhvilluat një vizitë, në nivel të delegacionit të Luginës së Preshevës, te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Me çfarë përshtypjesh jeni ndarë nga, ai, takim dhe cili është mesazhi i tij?

 

Ardita Sinani: Pritja ishte e mrekullueshme, me një qasje shumë pozitive. Në atë takim miqësor, biseduam lidhur me problematikat e shumta, me të cilat ballafaqohet Lugina e Preshevës, duke u nisur nga mungesa e teksteve shkollore, mos – implementimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave nga Qeveria e Serbisë edhe pse janë nënshkruar në Bruksel dhe problematika e proceduarve burokratike të nostrifikimit të tyre. Diskutuam, gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik dhe mundësinë e krijimit të ndonjë Fondi për Luginën, binjakëzimin e komunave tona me ato të Kosovës e sidomos na ofroj bashkëpunimin me Komunën e Gjilanit dhe mundësinë e tërheqjes së mjeteve me projekte konkrete.

 

Sa janë mundësitë e mbështetjes së faktorit institucional të Kosovës, ndaj shqiptarëve të Luginës, duke i shikuar nga prizmi i presidentit Thaçi?

 

Ardita Sinani: Interesimi i presidentit Thaçi, për ta ndihmuar Luginën e Preshevës është i pakontestueshëm,  por pengesat e njohura për shkak raporteve të ngrira, që po zhvillohen në Bruksel mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, mundësitë janë më të vogla, karshi vullnetit për t’na ndihmuar. Ndërsa me Qeverinë e Shqipërisë, gjërat qëndrojnë paksa më ndryshe. Raportet e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Beogradit, më shumë japin mundësi, që shteti amë të bëjë më shumë për Luginën e Preshevës, qoftë në aspektin politik, arsimor e kulturor, qoftë edhe në aspektin ekonomik. Thënë shkurt, mundësitë reale të ndihmës nga Shqipëria, janë më të kapshme, në realizimin e kërkesave tona, në drejtim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. Besojmë se në të ardhmen me konkretizimin e iniciativave për binjakëzimin e komunave mes Luginës së Preshevës dhe Shqipërisë, gjërat do të lëvizin në vijë të duhur.

 

Ndihma institucionale

 

Në këtë drejtim të kujtojmë qershorin e vitit 2013, kur në Kuvendin e Kosovës, u pat miratuar Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në kuadër të së cilës parashihej hapja e një zyre dhe krijimi i një Fondi zhvillimor. Kanë kaluar tre vjet e fondi për zhvillimin e Luginës së Preshevës, ka ngelur vetëm në letër, apo jo?

 

Ardita Sinani: Po, si nuk na kujtohet? Ishte një gëzim i paparë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ngase për herë të parë në historinë e këtij rajoni, debatohej në organin më të lartë të shtetit të Kosovës, në Parlamentin republikan, çështja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Në këtë seancë plenare u nxor edhe një Rezolutë, në kuadër të së cilës parashihej hapja e një zyre dhe krijimi i një Fondi zhvillimor. Në Gjilan u hap zyra e për Luginën e Preshevës, e cila është duke funksionuar në mënyrë institucionale. Ne kemi një bashkëpunim të sinqertë me kryetaren e zyrës, Gentiana Shabani, e cila është duke bërë shumë për sensibilizimin e shqiptarëve të zhvendosur nga Lugina në Gjilan, të cilët përballen me probleme të shumta rreth integrimit, punësimit dhe rregullimit të dokumentacioneve të qëndrimit. Sa i përket Fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës, ka ngecur puna, por nuk do të thotë se janë shterur mundësitë për jetësimin e tij, vetëm kërkohet të gjenden rrugë e mënyra për realizimin konkretisht. Besoj se pas ndryshimeve në pushtetin lokal, të cilat erdhën me zgjedhjet e prillit të këtij viti, sigurisht që kërkesat tona do të jenë më praktike e më pragmatike dhe do të kërkojmë, që ky Fond zhvillimor të mos mbetet veç në letër, por të riaktivizohet e të realizohet në praktikë.

 

Zonja Ardita, Ju keni qenë edhe pjesë e delegacionit nga Lugina e Preshevës, kur jeni takuar me kryeministrin Rama në Beograd. Si duket Presheva, nuk ka qenë kurrë më e fokusuar se sa këtë vit, ky është rezultat i zgjedhjeve të reja, apo diçka tjetër?

 

Ardita Sinani: Kusht i domosdoshëm i Beogradit zyrtar, për t’u integruar në BE, është realizimi i të drejtave të pakicave, e sidomos tani, që jemi në prag të hapjes së kapitujve 23-24. Vizita e kryeministrit Rama, në Beograd, ka pasur ndikimin pozitiv dhe ka joshur gatishmërinë konkrete të Beogradit, ndaj shqiptarëve si komunitet në Serbi.  Kërkesat e tij drejtuar homologut Vuçiq, ishin konkrete e pragmatike, e që në të ardhmen e afërt, do të jenë të realizueshme për ne. Atmosferën e klimën, që e krijoi z. Rama, nuk e kemi pasur asnjëherë më parë, gjë që për ne ka vlerë, jashtëzakonisht, të madhe. Gjatë takimit me të u diskutuan zgjidhja e problemit të teksteve mësimore dhe bashkëpunimi mes dy ministrive të arsimit, problemet tjera në arsim si ajo e nostrifikimit të diplomave dmth proceduarve burokratike për diplomat e Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe mos implementimi i marrëveshjes për njohjen dhe nostrifikimin e diplomave të Kosovës. Temë tjetër, që ndihmon në tërheqjen e donacioneve nga Shqipëria ishte mundësia e binjakëzimit të komunave tona me ato të Shqipërisë, gjë që mundësonte realizimin e projekteve konkrete. Pastaj, Forumi ekonomik është i një rëndësie të posaçme, mbetet me pa që të shfrytëzohen kapacitetet e Luginës. Ne kërkuam nga z. Rama, që investitorët shqiptarë nga Shqipëria, të koncentrohen drejt Luginës së Preshevës dhe të kenë bashkëpunim me biznesin tonë vendor dhe që produktet e prodhuesve tanë të plasohen në Shqipëri, e kur të bëhet kjo në nivel te dy shteteve normal, që është një lehtësi shumë e madhe për bizneset tona.

 

Qasja praktike

 

Kuptohet në takimet e tilla të nivelit të lartë, ku marrin pjesë edhe faktorët vendorë dhe ndërkombëtar, dalin iniciativa të mira për të ardhmen e Luginës së Preshevës. Çfarë presin shqiptarët e këtij rajoni nga këto takime dhe iniciativa?

 

Ardita Sinani: Qasja e dy shteteve amë, e asaj të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, janë shumë me peshë dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme për ne, e po ashtu edhe e faktorit ndërkombëtar. Kërkesat e nevojat tona drejtuar të dy shteteve shqiptare, por edhe faktorit ndërkombëtar, e që të përcillen institucionalisht dhe në nivel shtetëror, në Beogradin zyrtar, kanë një peshë dhe ndikim të madh, që përkushtimi ndaj kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të jetë më praktik e më pragmatik.

 

Të drejtat e pakicave është njëri prej kritereve kryesore për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin, sa do të ndikoj presioni i faktorëve relevantë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë ndaj atyre ndërkombëtar në avancimin e statusit të pakicës shqiptare në Serbi?

 

Ardita Sinani: Qasja e Beogradit zyrtar, mund të ndryshojë karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vetëm nga kushtëzimi i faktorit shqiptar në Shqipëri e Kosovë dhe, ai, ndërkombëtar, nëse mendon për t’u integruar në BE. Jemi në prag të hapjes së kapitujve 23-24, ku përfshihen direkt të drejtat e njeriut dhe pakicave kombëtare. Ne si pakica nacionale, të drejtat tona i kemi të cunguara në krahasim me pakicat tjera si ato hungareze, apo boshnjake, tani është momenti që edhe ne të dimë t’i kërkojmë të drejtat tona elementare dhe të kërkojmë zgjidhjen e të gjitha problemeve në mënyrë institucionale, që qasja e Qeverisë së Serbisë, karshi nesh të jetë ndryshe, nga vitet e mëparshme e deri më sot.

 

Kompetencat

 

T’i kthemi jetës politike në Preshevë. Si funksionin Asambleja Komunale e Preshevës dhe cili është raporti mes ekzekutivit dhe legjislativit. Keni ndonjë keqkuptim në këtë drejtim?

 

Ardita Sinani: Sa i përket funksionimit të qeverisjes lokale në Preshevë, gjithçka është në nivelin e duhur, si në aspektin e bashkëpunimit, si në atë të respektimit të detyrave e obligimeve, që i kemi pranuar. Ka raste që për gjëra të vogla edhe të mos kuptohemi, por me një koordinim të përbashkët edhe i tejkalojmë ato, drejt zgjidhjes së kënaqshme. Në Asamblenë komunale, unë si drejtuese mundohem të zbatoj Rregulloren e punës së kuvendit, Statutin e Ligjin, si dhe funksionimin e mbarëvajtjen e seancave të kuvendit e sidomos të kujdesem për etikën e mirësjelljes së këshilltarëve.

 

Pushtet lokale në Preshevë dhe Bujanoc, janë si binarët e hekurudhës, pas së cilës tërhiqen kompozicionet: opozita, shoqëria civile, mediet etj. Ka një bashkëpunim mes tyre, apo secila tërheq në anën e vetë?

 

Ardita Sinani: Në ndërrimin e pushteteve në Preshevë e Bujanoc, dihet se shumicën e ka Partia për Veprim Demokratik. Ajo është partia më e hershme dhe më e shtrirë në Luginë të Preshevës, ka një përvojë politike dhe bashkëqeverisë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, duke llogaritur edhe deputetin republikan nga radhët e PVD-së. Normal, që treni do të ecë në binarët e vetë dhe më mirë, kuptohet me një bashkëpunim në të gjitha fushat e veprimtarisë me interes shoqëror e kombëtar.

 

Drejtimi i duhur

 

Për fund, si zakonisht, cili është mesazhi i zonjës së parë të legjislativit në Preshevë, për qytetarët e komunës së saj dhe më gjerë?

 

Ardita Sinani: Çdo fillim pushteti, natyrisht, se është paksa i vështirë, mirëpo, angazhimet e përpjekjet për të punuar në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk mbeten pa rezultate. Asambleja komunale, është organi më i lart legjislativ i vendit, ai, duhet të jetë stabil, funksional dhe transparent.  Në parlamentin lokal, kuptohet bien vendime të rëndësishme për qytetarët pa ngjyrime partiake, nacionale e fetare. Qeverisja e suksesshme lokale i ka rrënjët e thella në shoqërinë demokratike. Jam e vetëdijshme, që në rrethanat, në të cilat jetojmë, mrekullitë nuk ndodhin lehtë, por shpresoj që me kontributin, angazhimin dhe me një vullnet të mirë, gjërat paksa mund të lëvizin e të jenë në drejtimin e duhur.

 

Pak biografi:

 

Ardita Sinani, lindi, në vitin 1980, në Preshevë. Ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, drejtimi: Menaxhment dhe Informatikë. Një kohë ka punuar si mësimdhënëse në Bujanoc dhe Preshevë, më vonë edhe si këshilltare në zyrën e ish kryetarit të Komunës së Preshevës, Riza Halimi.

Në jetën politike dhjetëvjeçare, gëzon postin e kryetares së Degës së Partisë për Veprim Demokratik, në Preshevë dhe aktualisht është kryetare e Asamblesë komunale, nga radhët e kësaj partie.

Jeton në Preshevë, me bashkëshortin Kastriot Sinani dhe dy fëmijët: Lisi e Alba.

Please follow and like us: