Albspirit

Media/News/Publishing

Pas Blushit, edhe Eduart Ndocaj krijon parti të re

Një tjetër deputet ikën nga Partia Socialiste. Pas Ben Blushit, i cili krijoi partinë e re ‘Libra’, edhe kolegu i tij, Eduard Ndocaj ka ndjekur po të njëjtën rrugë.

Deputeti ‘kaubojs’ ka njoftuar nëpërmjet një statusi në facebook krijimin e lëvizjes së re politike, të krijuar në Itali që do të mbajë emrin ‘Emigracioni Shqiptar’.

Ndocaj shkruan se kjo është lëvizje politike e emigracionit dhe për emigracionin, dhe sipas tij, anëtarët dhe drejtuesit e saj janë dhe do të jetë ekskluzivisht emigrantët kudo ku jetojnë.

Postimi i plotë:

Lind në Itali lëvizja politike (Partia Emigracioni Shqiptar)

Dje në Pesaro të Itali u mblodhën përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Itali. Pjesëmarrës në cilësinë e qytetarit, emigrantit dhe deputetit ishte edhe deputeti Ndocaj. Ky ishte takim i radhës pas shumë takimeve që janë bërë këtë muaj në qytete të ndryshme të Italisë. Gjatë mbledhjes së djeshme në Pesaro u ridiskutua çështja e përfaqësimi politik të emigracionit. Pjesmarrësit u shprehën të bindur se themeli i një lëvizje politike ekskluzive nga emigracioni dhe për emigracionin ishte një domosdoshmëri e kohës.

Pas diskutimeve e propozimeve të vazhdueshme u vendos:
1. Krijimi i lëvizjes politike (Partia Emigracionit Shqiptar)
2. Me shumica votash kryetar i zgjodh deputeti Ndocaj
3. Zv. Kryetar u zgjodh Fatmir Behluli
4. Sekretar i Përgjithshëm z. Klodian Cami
Kjo lëvizje u krijua me vullnetin e lirë të pjesëmarrësve dhe po ashtu në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë dhe Kartave Ndërkombëtare.
Çfarë është kjo lëvizje?
Kjo është lëvizje politike e emigracionit dhe për emigracionin. Anëtarët dhe drejtuesit e saj janë dhe do të jetë eskluzivisht emigrantët kudo ku jetojnë! Kjo është një lëvizje politike me natyrë demokratike dhe shërbim të demokracisë duke respektuar rendet shtetërore dhe të drejtat e liritë Themelore të Njeriut.
Parimet e Lëvizjes!
– Respektimi i Demokracisë
– Respektimi i Shtetit Ligjor
– Respektimi i rendeve të shteteve ku jetojnë
– Respektimi i Kushtetutave Demokratike
– Respektimi i Zgjedhjeve të Lira e Demokratike
– Meritokracia
– Përfaqësimi dinjitoz

Objektivat
– Përfaqësimi politik e dinjitoz i shqiptarëve në Shtetin amë dhe në shtetet ku kanë emigruar
– Realizimi i Ushtrimit të Drejtës së Votës së Shqiptarëve kudo ku jetojnë (Vota e Emigracionit).
– Integrimi social-ekonomik-politik i shqiptarëve në Shqipëri dhe në vendet ku kanë zgjedhur të jetojnë
– Krijimi sipas modeleve perëndimore të kuotave të emigracionit në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë
– Marrja pjesë në zgjedhjet e 2017 si subjekt i mirëfilltë politik
– Promovimin e vlerave kombëtare në Europë
– Lobimi i fuqishëm në BE që shqiptarët të mos jenë qytetarë të dorës së dytë në vendet ku jetojnë dhe të kenë më shumë dinjitet
– Lobimi dhe vendosja e kontakteve konkrete me Gjermaninë në lidhje me fatin e shqiptarëve që kanë kërkuar azil
– Rritja masive me anëtarësime e lëvizjes politike
– Bashkimi i faktorit shqiptarë nëpër Europë

Kush mund të jetë pjesë e kësaj Lëvizje?
Mund të jetë çdo shqiptarë që jetojnë jashtë, pavarësisht nëse e posedon apo shtetësinë shqiptare. Po ashtu pranohen edhe qytetarët që jetojnë në Shqipëri e kjo bëhet për faktin se emigracioni nuk mund të ndahet nga Kombi, sepse çdo emigrantë ka familjarë, miq dhe ka lidhje të pandare me Atdheun.
Kush është modeli i organizimit të kësaj lëvizje?
Është model perëndimore decentralizues, ku çdo anëtarë është një potencial i rëndësishëm për përfaqësimin dhe forcimin e lëvizjes politike. Demokraci për lëvizjen është e shenjtë dhe i vetmi mekanizëm për përfaqësim politik dhe për vendimmarrje.

Please follow and like us: