Albspirit

Media/News/Publishing

Për kë do të votojnë shqiptarët e Amerikës?

1-clinton-trump-300x169

Dhe një digresion për Suzanna Shkrelin/

1-suzana-shkreli-2-300x269Nga Rafael Floqi/

1-rafael-floqi

Kjo është një pyetje e ligjshme në këto momente kur pak na ndan nga data e zgjedhjeve. Si në  çdo komunitet emigrantësh ka një farë dyzimi për vetë faktin e të qenit si komunitete të lidhur si me jetën në Amerikë në atdheun e dytë ashtu edhe me ndikimin amerikan për vendin e lindjes Shqipërinë e Kosovën. Por kësaj here dilema e shqiptaro amerikanëve është edhe ajo mes vetë amerikaneve, midis ndryshimit dhe vazhdimësisë të politikave: midis të panjohurës dhe të njohurës, por edhe mes bindjeve të tyre si qenie politike si nënshtetas amerikanë me interesa dhe  nevoja të përmirësimit të jetës së përditshme e sidomos të klasës së mesme.Në këto ditë prag zgjedhjesh në mungesë të një sondazhi të mirëfilltë mes shqiptarësh, bëra një sondazh të thjeshtë mes miqve të mi me të cilët ndodhesha së bashku në një veprimtari të fondacionit studentor të bursave “Skënderbeu”. Miqtë e mi në fjalë ishin intelektualë dhe aktivistë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet shqiptare. Nuk po i përmend emrat, pasi ndonjëri prej tyre mund të ndërroj mendim, deri në ditën e zgjedhjeve, por mendoj se mjaft nga përcaktimet e tyre rezonojnë qëndrimet e shqiptaro- amerikanëve.

Miqtë e mi do ti përcaktoja si të tillë: demokrati besnik, patrioti demokrat, republikani i zhgënjyer nga Trump, republikani besnik, dhe një person pa të drejtë vote.

Sot ndër shumë shqiptarë në SHBA ende kanë një “pëlqim sentimental” për Hillary Clinton, për shkak të rolit të presidentit Clinton pati për ndërhyrjen e SHBA në Kosovë, por megjithatë shqiptarët janë gjithashtu të ndarë në preferencat e tyre, pasi në to peshojnë çështjet e rëndësishme individuale dhe lokale dhe interesa jetikë.

Shqiptarët si dhe amerikanët janë të ndarë mes republikanëve dhe demokratëve. Duke e njohur komunitetin do të ishte naive të besonim se të gjithë do të votonin të gjithë për një kandidat apo për një tjetër.  Votuesit shqiptarë gjenden në të dyja kampet – të organizuar në qytetet e tyre – për dyshen Trump-Pence dhe për Clinton-Kaine mjafton të shohësh tabelat e vendosura në oborret e tyre apo në makina.

We own Clintons.

“ Po ne i detyrohemi Clintonëve”. Një djalosh i ri i sapo diplomuar si farmacist i pranishëm në tryezë, kur ra fjala për zgjedhjet, tha një shprehje në anglisht, që ndoshta është proverbiale për qëndrimin e shumicës së shqiptarëve në këto zgjedhje. “We own Clintons”. Që përkthyer lirshëm do të thotë Clintonët janë tanët. Nuk besoj të ketë një statujë për Hillary Clintonin diku por në Sarandë gjendet.

“Shqiptarët i kanë mbështetur gjithnjë Clintonët dhe kanë arsye të mirë për ta bërë këtë,” tha ai. Simpatia e tyre lidhet me veprimin e Bill Clinton për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga represioni i ashpër i Serbisë nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1999, kur shqiptarët në Kosovë kërkonin pavarësi. Shumë shqiptarë besojnë se Hillary e ka çuar përpara trashëgiminë e mbështetjes së Kosovës gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit në administratën e Barack Obamës.

I vetëdijshëm për këtë mbështetje, Bill Clinton, i shoqëruar nga kongresmeni i Nju Jorkut Eliot Engel, një mbështetës i çështjeve shqiptare dhe Mark Gjonaj, një politikan shqiptaro-amerikan në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, zhvilluan në Nju Jork në prill për të bërë fushatë te shqiptarët për zgjedhjen e “Hillary për Presidente”. Në tetor 2015, Clintonët mbajtën dy evente për mbledhje fondesh në Nju Jork dhe Connectikat të organizuara nga filantropët dhe biznesmenët shqiptarë.

Trump dhe Shesheli

Mbështetës i votimit kundër Trump ishte një miku im aktivist i lëvizjes për të drejtat e shqiptarëve më Mal të Zi.  Faktet që mbështetës të Sheshelit dalin në rrugë në favor të Trump edhe me gjithë përgënjeshtrimin e fushatës së tij  ai i mbetej besnik qëndrimit jo të pabazuar që përmendte dhe analisti Veton Surroj në koment të fundit për këtë temë.

“Çështja se a do të zgjidhet presidenti (Trump) apo presidentja (Clinton) kësaj here ka të bëjë edhe më shumë me jetët tona se zakonisht, sepse përzgjedhja që do të bëhet nuk është mes dy kundërshtarëve tradicionalë ideologjikë, njëri pak në të majtë të qendrës tradicionale, tjetri pak në të djathtë të qendrës tradicionale. Kësaj here, përzgjedhja është mes një kandidateje të traditës politike amerikane dhe të një kandidati që i përket një tradite tjetër. Atë traditë nuk do kërkuar në Amerikë, është lehtë e identifikueshme në fqinjësinë e afërt të shqiptareve. Ajo traditë quhet Vojislav Sheshel.” . Këtu ka dhe spekulime bazuar në stilin populist, por krahasimi përtej konspiracionit qëndron.

Miku im më theksoi edhe reagimin e një sërë shoqatash shqiptare nga komuniteti që kërkuan që fushata e Trump të distancohej nga mitingjet e Sheshelit në Serbi. Ai ishte e mendimit që duhej të mbështetej Clinton për të ruajtjen e së njëjtës platformë dhe qëndrimi të mirënjohur në favor të shqiptarëve.

“Para luftës në Kosovë të gjithë ne e dimë se Jugosllavia ishte shteti më i afërt nga Lindja për SHBA, kush më garanton mua se me Trump nuk ndryshon qëndrimi”. Në fakt këto dyshime janë theksuar edhe nga teori konspirative të pranisë të këshilltarëve serbë të Trumpit. “Donald Trump nuk ka pasur nevojë të investojë shumë mund intelektual për të gjetur platformën e tij politike Ai sillet sikur ta kishte lexuar dr. Sheshelin, pohoi miku im.

Për hir të Shqipërisë do të votoj për Clintonin

Ai është një mësues shqiptar historie nga Tirana i konvertuar në protestant dhe ai ende mendon se parimet morale të republikanëve duhet të mbeten. Ai është kundër martesave gay dhe disa qëndrimeve të demokratëve.

“Unë jam për një parti republikane e fortë dhe për një líder si tipi i Reganit. Ai e njeh mirë sistemin elektoral amerikan. Që kur isha në moshë të re në Shqipëri dhe ndiqja TV italian, RAI , shpjegon ai mbaj mend fjalimin e Reganit “Z Gorbacov shembe këtë mur, dhe mendoja dhe pse isha i ri se ai do t’ia arrinte të rrëzonte komunizmin dhe ia arriti”. Ai në zgjedhjet parake republikane mbështeste Kasich si një konservator ekonomik, me politika liberale në ekonomi, por profili dhe sjellja e Trumpit binte ndesh me imazhin e tij për moralin dhe për liderin dhe parimet e tij morale.

Tani ai thotë se po zgjedh të keqen më të vogël po voton për Clinton, me gjithë gafat e mëdha qe ka bërë dhe skandalet e emaileve. Ai nuk beson që Tump është aq i përgjegjshëm sa të ketë butonat e armëve bërthamore në dorë .

“Nuk më mbetet gjë tjetër, veç të votoj për Clintonit”, shpjegon ai qëndrimin e tij. Pasi ajo është zgjidhja më pro Shqipërisë”.

Me gjithë qëndrimet e ndryshme të gjithë janë patriotë. Dhe është pikërisht ky republikan i zhgënjyer një nga organizatorët e një mbledhje fondesh në një restorant shqiptar për kandidaten demokrate Suzanna Shkreli ku shqiptaro amerikanët mblodhën gati 30 mijë dollarë.

“E kam të vështirë ta kuptoj guximin e saj , por ajo na pohoi se është e moderuar dhe se do t’i kundërshtonte dyja partitë për të luftuar për një agjendë që do të bënte që familjet e Miçiganit të ecnin përpara. “Unë kaloj ditë pas  dite në gjykatë duke luftuar për të drejtat e fëmijëve dhe grave dhe ti e kupton se duhet të marrësh guximin për të mbrojtur njerëzit në zonën tënde elektorale. Unë e di se njerëzit  dhe votuesit janë te lodhur nga fryma partiake, janë te lodhur nga një kongres i rrënuar janë të lodhur nga përfaqësuesi i tyre qe luftoi për interesat e veçanta te lobeve te caktuara dhe duan dikë si unë që të luftojë për interesat tyre”, më citoi ai platformën elektorale të Suzanës duke shtuar se ajo

i dukej se përputhej dhe me mendimet e tij.

Dilemat e një republikani besnik dhe dëshira për ndryshim

“Unë nuk e mbështeta Trumpin në zgjedhjet parake thotë një aktivist i njohur shqiptaro- amerikan i çështjes kombëtare, isha për Cruz, por në moshën time është vonë të ndryshosh. Amerika ka nevojë për ndryshim, Clinton në këtë rast është statuskuoja. Natyrisht politika e jashtme amerikane nuk mund të lidhet vetëm me emrin e një personi, shton ai. A nuk ishte Bush që shpalli pavarësinë e Kosovës” argumentoi, duke se më thënë në konfidencë se ai nuk mund të ndërronte kahet ai i mbetej besnik zgjidhjeve të tij :”Unë kam qenë dhe mbetem me LDK-në me PD në Shqipëri dhe me republikanët në Amerikë”.

“Ti nuk mund ta dish seç është ndryshimi nëse nuk ke rriskuar për ta provuar atë ka thënë Ajnshtanji, shton ai që është një lexues i mirë librash. Trump është për ndryshim. Mua nga na tjetër nuk më pëlqejnë dinastitë, dhe shton, jam takuar dhe kam darkuar me dy presidentët Bush, George W Bush mund të ishte një njeri i mirë për të pirë një birrë , por jo  për të sjellë ndryshime për Amerikën”, bën ai krahasimin me Hillary-n.

Por nga ana tjetër ne si lobistë shqiptaro amerikanë  kemi patur sukses po të kemi lobimin për Kosovën me të dy krahët në kongres dhe senat, të njëjtën rrugë pat ndjekur edhe Joseph Dioguardi me Ligën Shqiptaro-Amerikane se duhet mbështetur dy krahët e politikës, dhe pse Kongresi nga një herë është më i rëndësishëm sesa vetë Presidenti, duhet ruajtur tradita. Ne jemi mbështetur dhe nga John McKain dhe nga Joe Biden, duhet lobuar në të dy krahët.

Dhe natyrisht dhe ai përmend si fakt mjaft pozitiv kandidatin e Suzanna Shkrelit dhe pse demokrate në distriktin tetë, këtu në Miçigan . “ Për mua fakti që një shqiptaro amerikane në moshë të re merr përsipër këtë kanditim është mjaft domethënës dhe i guximshëm, Kjo edhe në mos fitoftë është një shembull se ne shqiptarët mund të arrijmë gjithçka”.

“Dhe nuk më pëlqejnë ato reklamat negative të kundërshtarit të saj republikan që e akuzon atë për politika tejet liberale. A mund të jetë liberale kjo deklaratë e saj se ne duhet të ruajmë vendet e punës, duke votuar kundër marrëveshjeve që mbyllin vendet e punës vendet e Mike Bishop kundërshtari i saj  votoi për Fast Track Act që do ta dëmtonte sektorin e manifakturës këtu ne Miçigan ne nuk mund te jemi ne anën humbëse këtyre marrëveshjeve tregtare”. A nuk del ajo këtu kundër vendimit të Obamës. Dhe qëndrimet e saj liberale janë më shumë sociale.  Unë marr shume pyetje nga njerëzit se duan një përfaqësues të mbrojë Social Security dhe Medicare, unë do ta bëj këtë do të luftoj çdo përpjekje për të mos lejuar privatizimin e social security apo kthimin e saj një voucher sistem, këto i thotë dhe Trump.

Diskutimet  për zgjedhjet kalojmë pastaj tek problemet e emigracionit dhe natyrisht një miku i unë që ende nuk rregulluar statusin e tij, i cili s’ka mundësi të votojë, ai natyrisht mbështet Clintonin për perspektivën e rregullimit të statusit të tij. Ai s’voton dot por i druhet deportimeve që mund të fillojnë Trump sapo të marrë pushtetin. Në fakt ai është personi më i interesuar për rezultatin e zgjedhjeve. Po të kishte mundësi ai do të votonte që sot.

“Që nё 100 ditët e para në detyrë, Hillary do të prezantojë njё reformë gjithëpërfshirëse qё  u hap rrugë emigrantëve drejt shtetësisë së plotë . Ajo do të trajtojë çdo njeri me dinjitet, duke  rregulluar vizat e vonuara tё  familjeve, mbështetur nё respektimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve tanë dhe sigurinë kombëtare, duke i sjellë miliona punëtorë ekonomisë amerikane. Do t’i japë fund ligjit t ndalimit 10 vjeçar pёr ri-hyrjen nё SHBA qё i detyron familjet, sidomos ato anëtarët e së cilës kanë shtetësi amerikane, të jetojnë tё ndara pёr njё kohё tё gjatё”, dhe ai na nxit të gjithëve të votojmë për të.

Natyrisht dhe shqiptarët nuk janë ndryshe nga fqinjët e mi që i kanë mbushur oborret e tyre me pankarta pro Clinton apo pro Trump, por si komunitet ne kemi një të metë ne flasim shumë por nuk votojmë. Duhet që shqiptarët më 8 Nëntor të dalin më shumë në votime të votojnë dhe të bëhen faktor me votën e tyre që politikanët të mos i kërkojnë ata, vetën për mbështetje financiare, por të jenë faktor edhe me vota që edhe të zgjedhurit e tyre, ta kuptojnë se vota e tyre nga një herë vlen më shumë se dollarët e tyre, dhe ta ushqejnë brezin e ri që të angazhohet në politikë ashtu si prokurorja “e rreptë” dhe e re, Susanna Shkreli.

Sfida është e madhe kësaj radhe dilemat më të mëdha. Në një sondazh të fundit Clinton prin me vetëm 2 %,  dhe votuesit e Trumpit duken më entuziastë se ata të Clintonit nga votuesit e Clinton 25 votojnë pro saj dhe të tjerët pse janë kundër Trump ndërsa ndër ata të Trump 48 janë pro tij dhe të tjerët kundër Clintonit.  Natyrisht këto zgjedhje janë më të përfolurat, sa thuhet se nuk votohet pro kandidatëve, por kundër kandidatëve kundërshtarë. Shqiptaro amerikanët dihet se nga do të anojnë…   Pavarësisht dilemave një është e sigurte se demokracia amerikane është dhe mbetet e konsoliduar dhe nuk ka vend për teori konspiracioni pas 8 Nëntorit.

Please follow and like us: