Albspirit

Media/News/Publishing

Trump. akuza FBI: Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi Byronë Federale të Hetimeve (FBI) për pasaktësi, pasi ajo ka konstatuar se rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, nuk ka kryer sjellje kriminale me emailet e saj.

Pas hetimeve të reja, drejtori i FBI-së, James Comey, tha se në komunikimet e Clintonit nuk është gjetur asgjë për të ndryshuar vendimin e Byrosë, të marrë në muajin korrik.

Trump tha se ka qenë e pamundur për FBI-në të rishikojë 650,000 emaile për një kohë të shkurtër.

“Clinton po mbrohet nga një sistem i manipuluar. Është krejtësisht sistem i manipuluar. E kam thënë për kohë të gjatë”, tha Trump në një tubim në Miçigen.

“Hillary Clinton është fajtore, ajo e di, FBI e di, njerëzit e dinë. Tani, u mbetet amerikanëve të sjellin drejtësi në kutitë e votimit më 8 nëntor”, tha Trump.

Ndërsa Clinton nuk ka folur për letrën e drejtorit të FBI-së në lidhje me hetimet, fushata e saj ka thënë se është e kënaqur me zgjidhjen e çështjes.

Në një tubim në Nju Hempshir, Clinton ka thënë se vendi po përballet me “një moment të vlerësimit” dhe se amerikanët duhet të zgjedhin midis “ndarjes dhe bashkimit”.

Në korrik, FBI ka thënë se Clinton, si Sekretare e Shtetit, ka qenë “shumë e pakujdesshme” në trajtimin e materialeve të klasifikuara, pasi ka përdorur emailin privat, por nuk janë gjetur prova që dëshmojnë se ka kryer krim.

Megjithatë, 11 ditë përpara zgjedhjeve, drejtori i FBI-së, James Comey, ka trazuar garën, duke hapur hetime të reja kundër Clintonit.

Në një letër drejtuar Kongresit të dielën, Comey tha se hetuesit kanë punuar pandërprerë në emailet e fundit, të cilat janë gjetur në fillim të tetorit.

Emailet thuhet se janë gjetur në lap-topin e ish-burrit të njërës prej ndihmëseve më të afërta të Clintonit, ish-kongresistit Anthony Weiner, i cili akuzohet për dërgimin e mesazheve seksuale te një vajzë 15 vjeçe.

Comey tha se hetuesit nuk kanë gjetur arsye për të ndryshuar vlerësimin e mëhershëm të FBI-së se Clinton nuk duhet të akuzohet për trajtimin e informacioneve të klasifikuara.

Sot, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve, Clinton dhe Trump do të udhëtojnë në disa shtete, në përpjekje për të bindur votuesit se përse e meritojnë votën e tyre.

Clinton do të nisë ditën në Miçigen, që është bastion i demokratëve. Do të vazhdojë më pas në Filadelfia, ku do t’i bashkohet edhe presidenti Barack Obama, Zonja e Parë Michelle Obama, bashkëshorti Bill Clinton dhe këngëtari Bruce Springsteen.

Clinton do ta përfundojë fushatën për Shtëpinë e Bardhë në Karolinën e Veriut.

Trump, në anën tjetër, do të qëndrojë në Florida, në Karolinën e Veriut, në Filadelfia dhe do të përfundojë me Miçigenin.

Në shtetet ku lejohet votimi i hershëm, afro 42 milionë amerikanë tashmë kanë votuar për zgjedhjet presidenciale./REL/

Please follow and like us: