Clinton, gruaja që do të shkruajë historinë
Nëse Hillary Clinton do të zgjidhet presidente, ky do të ishte një gur themeli në një karrierë të shënjuar nga arritjet historike. Ajo është e para dhe e vetmja “First Lady” që kandidon për postin, e para grua që u zgjodh senatore e Nju Jorkut, dhe e para që mbërrin kaq larg në garën presidenciale.
Por duhet thënë se rruga drejt Shtëpisë së Bardhë nuk ishte aspak e sheshtë për demokraten, e vënë në shënjestër të një skandali për shkak të përdorimit të serverit privat të postës elektronike në kohën kur ishte Sekretare e Shtetit.
Çështja u hetua nga FBI-ja, e cila në muajin korrik arriti në përfundimin se ish-Zonja e parë ishte treguar e pakujdesshme, por se nuk kishte kryer asnjë krim.
Pikërisht kur dukej se e kishte lënë pas krahëve këtë pengesë, ajo u shpërfaq sërish për ta përndjekur Clinton-in, vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve. Pikërisht atëherë drejtori i FBI-së James Comey njoftoi rinisjen e hetimeve, pas zbulimit të emaileve të reja në kompjuterin e ish-bashkëshortit të këshilltares së Clinton-it, Huma Abedin.
Momenti që FBI zgjodhi për të bërë publike rihapjen e çështjes u kritikua ashpër nga demokratët, por u prit me entuziazëm nga kampi kundërshtar.
Nuk dihet se sa është dëmi që mund t’i ketë shkaktuar ish-Zonjës se Parë kjo histori, por FBI u përpoq ta pastronte në kohë figurën e saj duke e shpallur të pafajshme për herë të dytë, 2 ditë përpara zgjedhjeve…
Hillary Clinton ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në politikën amerikane dhe kjo është hera e dytë që ajo tenton të përmbushe ambiciet për rolin e fundit, atë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
69-vjeçarja shërbeu si Sekretare e Shtetit për Barack Obamën nga fillimi i presidencës së tij në janar të 2009-s dhe u tërhoq pak pasi ai rifitoi zgjedhjet e 2009-s. Si diplomate e lartë njihej për programin e ngjeshur të udhëtimeve dhe qasjen person më person në diplomaci.
Hillary Diane Rodham lindi në tetor të 1947-s në Çikago. Në vitet 60-të ndoqi studimet në Wellesley College në Massachusetts, dhe u aktivizua për politikat studentore. Shkolla ligjore e Yale-it do të ishte vendi ku do të njihej me bashkëshortin e ardhshëm, Bill Clinton me të cilin u martua në 1975-n.
Ajo vazhdoi të aktivizohej në politikë pasi Clinton u bë Guvernator i Arkansas-it në 1978. Kur Bill garoi për presidencën në 1992, ai tha me humor se do t’u ofronte votuesve 2 presidentë, me çmimin e njërit. Si Zonje e Parë Hillary u aktivizua për të drejtat e grave dhe kujdesin shëndetësor, duke rritur popullaritetin e saj si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Gjithsesi dështimi në prezantimin e një plani për mbulimin shëndetësor Universal, bëri që shumë ta kritikonin si politikisht naive. Nga mesi i viteve 90-të dhe gjatë mandatit të dytë të Bill Clinton-it ajo u përfshi në skandalet e ndryshme që shënjuan presidencën e tij.
Pati seanca në Kongres dhe hetime lidhur me aferën “Whitewater”, një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme, ku Clinton-ët kishin investuar.
Ata u shfajësuan për shkelje të mundshme. Gjithashtu Hillary-t ju desh të duronte vëmendjen e madhe mediatike lidhur me marrëdhëniet jashtëmartesore të bashkëshortit, më e bujshmja ndër të cilat ishte ajo me punonjësen e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky, që doli në dritë në 1998.
Ish-Zonja e parë krijoi një mburojë të fortë që e ndihmoi të përballonte trazirat personale të politike. Ajo iu kundërvu kritikëve të Bill Clinton-it duke deklaruar në një intervistë të 1998-s se skandali Levinski ishte në fakt një komplot i orkestruar nga e djathta.
Në vitin 2000 ndërsa presidencës së Clinton po i vinte fundi, garoi me sukses per postin e senatores së Nju Jorkut duke e pozicionuar veten në qendër të Partisë Demokratike.
Votoi për pushtimin e Irakut në 2003-shin, por e distancoi veten nga mënyra se si po shkonte konflikti dhe kërkoi tërheqjen e trupave amerikane. Në 2006-tën rifitoi me lehtësi mandatin e senatores. Në 2008-ën tentoi të merrte nominimin demokrat për garën presidenciale, duke sfiduar kritiket që e shihnin një figurë përçarëse të cilën amerikanët nuk do ta votonin kurrë.
Në fund ishte Barack Obama që fitoi, por në përpjekjen për të shëruar plagët e një fushate të dhimbshme, ai e zgjodhi atë Sekretare Shteti. Gjatë 4 viteve në detyrë Clinton vizitoi 112 vende më shumë se çdo paraardhës i saj, u përqendrua te të drejtat e grave dhe drejtoi ndërhyrjen ushtarake në Libi në 2011-ën.
Departamenti i Shtetit u vu në shënjestër të kritikave pas një sulmi në konsullatën amerikane në Bengazi, në shtator të 2012-s, ku ambasadori amerikan ishte mes viktimave. Ajo dëshmoi në Kongres lidhur me çështjen 2 herë.
Gjatë fushatës Donald Trump është përpjekur ta portretizojë atë si një burokrate të paaftë e të korruptuar që nuk i kupton shumë nevojat e popullit, dhe e ka akuzuar se po përpiqet të luaje kartën e gjinisë. Në fakt Clinton është mbështetur fort tek kjo kartë, por nëse edhe një herë do të arrijë të shkruajë historinë duke u bërë gruaja e parë në Shtëpinë e Bardhë kjo mbetet për t’u parë.