Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton, kandidatja demokrate për presidente


Hillary Clinton ka hyrë në histori shumë herë – më së fundit si gruaja e parë që ka fituar emërimin për kandidate për presidente nga një parti kryesore në Amerikë. Por a do t’ia arrijë ish zonja e parë, senatorja dhe Sekretarja e Shtetit, të bëhet edhe presidente? Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti përgatiti materialin rreth jetës së gruas që, si mbështetësit e saj, edhe Donald Trump-i, pajtohen se është luftëtare.

Hillary Clinton hyri në histori korrikun e kaluar, si gruaja e parë kandidate për presidente nga një parti kryesore.

“Unë e pranoj emërimin tuaj për presidente të Shteteve të Bashkuara”.

Gjatë gjithë jetës së saj, 69 vjeçarja Clinton ka patur plot “herë të para”.

Në Kolegjin “Wellesley” në vitin 1969, ajo ishte studentja e parë që mbajti fjalim gjatë ceremonisë së diplomimit. Në juridik në universitetin “Yale”, ajo u takua me Bill Clintonin. Ata u martuan dhe u bënë prindër të vajzës Chelsea. Bill Clintoni u zgjodh president në vitin 1992. Hillary Rodham Clinton nuk e pranoi rolin tradicional të një zonje të parë dhe qëndroi aktive në politikë.

Gazetari Ron Fournier ka mbuluar çiftin Clinton gjatë gjithë karrierës së tyre.

“Ajo e dinte se cili ishte plani afatgjatë për ta politikisht dhe e mbajti vëmendjen aty.”

Por ata i ndiqte polemika. Historitë e vazhdueshme të tradhtive të Presidentit Clinton arritën kulmin me skandalin e Monica Lewinsky-t. Zonja e Parë u hetua në atë kohë. Publiku u bë skeptik, thotë Stephen Wayne në Universitetin Georgetown.

“Ka një numër njerëzish që nuk mendojnë se ajo është e sinqertë apo e besueshme”.

Por, prapë Hillary Clinton hyri në histori në vitin 2001, si e para zonjë e parë që zgjedhej në post politik, si senatore e shtetit të Nju Jorkut. Ajo votoi për luftën në Irak në vitin 2003 dhe për Aktin e Reformës së Emigracionit në vitin 2007.

“Ne kemi nevojë për reforma gjithëpërfshirëse të imigracionit, me mundësi për nënshtetësinë,” tha ajo.

Presidenti Obama emëroi ish-rivalen e tij si Sekretare Shteti. Zonja Clinton udhëtoi në 112 vende gjatë atij posti – numri më i madh për një Sekretar Shteti.

Por, ajo u kritikua për sulmin e një ndërtese diplomatike në Bengazi, të Libisë, ku u vranë katër amerikanë.

Gjatë garës presidenciale të këtij viti, atë e ka munduar një tjetër skandal, për të cilin ende flitet.

Në vitin 2015, doli lajmi se zonja Clinton mund të ketë përdorur një server privat e-maili për leximin e informacioneve sekrete qeveritare. Por pas hetimesh, FBI-ja tha se ajo ishte e pafajshme.

“Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do ta hapte një çështje të tillë”.

Por, dhjetë ditë para zgjedhjeve, drejtori i FBI-së James Comey njoftoi zbulimin e disa e-maileve të tjera që ai tha se janë të rëndësishme mbi hetimin.

Skandali i emaile-ve është sfida e saj e madhe për të kapërcyer, që të arrijë të bëhet e para presidente grua.

Please follow and like us: