Hillary do raporte miqësore me Trump pas zgjedhjeve
Kandidati republikan për president të SHBA, Donald Trump kishte kërcënuar kundërkandidaten e tij demokrate, Hillary Clinton, se nëse zgjidhet president, do ta burgos atë. Clinton, në anën tjetër, vazhdimisht kishte thënë se Trump paraqet kërcënim për demokracinë dhe vendin, transmeton Gazeta Express.
A munden që Trump dhe Clinton të bëhen sërish miq, pasi të përfundojnë zgjedhjet?
Këtë gjë të paktën e dëshiron kandidatja demokrate. Në një intervistë dhenë për një radio, e që është transmetuar sot, pikërisht në ditën kur amerikanët votojnë për të zgjedhur presidentin, Clinton ka thënë se shpreson që kur të përfundojnë zgjedhjet, Trump dhe ajo të mund të jenë miq.
Udhëheqësi i emisionit të radios “Mojo in the Morning” e ka pyetur Clintonin: “Kur gjithçka të përfundojë, a mendon se ju të dy mund të bëheni sërish miq?”
“Do të shpresoja”, është përgjigjur Clinton. “Duhet të rrëfehem, unë mendoj se ju mund të flisni me shumë njerëz të Nju-Jorkut, të cilët e njohin Trump – ne të gjithë kemi qenë të befasuar nga shumë gjëra që ai ka thënë dhe për shumë gjëra që ai ka bërë gjatë fushatës zgjedhore ose për të bëmat e tij që i mësuam në këtë kohë”.
“Shpresoj kur zgjedhjet të përfundojnë, e gjitha Amerika të bashkohet”, ka thënë Clinton./GazetaExpress/