Albspirit

Media/News/Publishing

Lili Brik, poema prej mishi e Majakovskit

Marrëdhënia e tij me Lili Brik është një nga poemat më të bukura të jetës së Majakovskijt. Një histori dashurie e cila qe gjithnjë në tension (pasi Lili ishte e martuar) do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në poetin Vladimir Majakovskij, Botimet “Saras” sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus.

Suadela Balliu

CiftiiiMë  4 gusht të vitit 1978,  në moshën  87 –vjeçare, Lili Brik kreu vetëvrasje duke marrë një dozë vdekjeprurëse hapesh për gjumë.  Ajo mori vendimin e vështirë për shkak se ishte e dënuar të rrinte në shtrat për shkak të sëmundjes dhe nuk mund të kishte jetë normale.

Dhe jeta e muzës së madhe dhe tunduese ishte e jashtëzakonshme deri në fund. Në pamjen e saj nuk kishte kurrgjë që mund ta quaje të bukur. Por ajo mund të ishte fatale dhe burrat çmendeshin pas saj.

Ajo ishte një nga më të famshme dhe më ndikueset gra në kulturën ruse dhe atë sovjetike. Admirohej prej burrave dhe ndihmoi shumë njerëz të talentuar të bëheshin të famshëm,  Pablo Neruda e ka quajtur si  muza e avangardës ruse. Kur Vladimir Majakovkij e njohu Lilin më 1915-ën, ai u dashurua me shikim të parë. Më vonë ai do ia rrëfente dashurinë, duke shpallur se gjithë ç’kishte shkruar ishte falë saj.

Botimet Saras sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus dhe historisë  së dashurisë me Lili Brik. Kryeredaktorja e kësaj shtëpie botuese, Alda Bardhyli rrëfen detajet e një dashurie të kaluar nën tension…

Një nga pyetjet që biografët e Majakovskijt kërkojnë t’u  japin përgjigje është pikërisht marrëdhënia e tij me aktoren Lili Brik, ndikimi që ajo pati në vargjet e tij. Botimet “Saras” sapo kanë hedhur në treg një biografi të Serena Vitales kushtuar poetit rus, ku ju jeni dhe redaktore. Si e sheh këtë raport?

Marrëdhënia e tij me Lili Brik është një nga poemat më të bukura të jetës së Majakovskijt. Një histori dashurie e cila qe gjithnjë në tension (pasi Lili ishte e martuar) do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në poetin Vladimir Majakovskij, kjo pasi kur ata u njohën ai ende nuk ishte shfaqur publikisht si poet.  E njohur si muza e Majakovskijt, Lili është motra e shkrimtares Elsa Triolet dhe gruaja e Osip Brik. Pablo Neruda e quante atë me humor si “muza e poetëve avangardë rusë”, pasi emri i saj shihet në shënimet e veprave të rëndësishme të letërsisë ruse të asaj periudhe. Vetë Serena Vitale e nis rrëfimin mbi jetën e Majakovskijt pikërisht nga njohja e tij me Lilin, për të treguar se rrugëtimi i tij në letrat ruse, nuk mund të perceptohet pa gruan me flokët e shkurtra kafe, dashuria e së cilës e bëri ta shihte veten në dimensione të tjera, shpesh dhe torturuese. “Re me pantallona” një nga poemat më të njohura të tij në shqip, qëështë dhe poema e tij e parë e botuar që mban nënshkrimin dedikuar kësaj gruaje. Të gjitha përmbledhjet poetike të shkruara prej tij do ti kushtohen asaj. Majakovskij ishte dashnori i fshehtë i Lilit, dhe peng i familjes së Brikëve, me të cilët kishte raporte miqësie, duke krijuar një marrëdhënie varësie nga e cila nuk do të shkëputej dot kurrë. Tre vjet pas njohjes Lili do i thoshte të shoqit, kritikut të njohur të letërsisë se dashuronte Majakovskijn, dhe nëse ai donte , le ta linte menjëherë. Por ai do ti  kërkonte të mos ndaheshin asnjëherë. Ata nuk u ndanë, dhe ajo qe gjithnjë gruaja që tradhëtonte, duke jetuar një trekëndësh dashurie që ndjehet dhe në poezitë e shkruara nga Majakovskij. Peng i martesës të së dashurës së tij, Majakovskij provoi shpesh të shkëputej prej saj, për të krijuar njohje të reja, të cilat përfundonin gjithnjë, me kthim në apartamentin e Brikëve. Biografia e ardhur në shqip nga Saras, nën përkthimin e Ardian Beshajt, sjell një këndvështrim tjetër të këtij raporti dashurie, duke e ngritur ndoshta për herë të parë në dimensionin që ajo vërtet kishte në jetën e Majakovskijt. Vetë Serena Vitale është shprehur se Lili është kudo në jetën e tij, jo vetëm si një dashnore, por dhe si një mëndje tek e cila ai besoi. Në libër publikohet për herë të parë dhe ditari i saj privat, apo detaje nga udhëtimet që kanë pasur shpesh bashkë në Paris apo jashtë Moskës.

Ishte Lili dashuria e parë dhe e fundit e poetit?
Ajo ishte më shumë se një dashuri për të. Ishte gruaja që i shkoi pas ideologjisë ku ai besonte, dhe e nxori fuqishëm poetin brenda tij, duke i falur një dashuri të pamundur, çka e bëri Majakovskijn të ishte gjithnjë në kërkim, të formave që do ta bënin Lilin vetëm të tijin. Asgjë nuk do të ishte kaq e bukur, nëse ata do të ishin martuar bashkë, nëse nuk do të kishte pasur netët kur gdhihej poshtë apartamentit të Brikëve, me shpresën se silueta e saj do të shfaqej në dritat e fikura pas mesnate. Pavarësisht raporteve të shkurtra që ai krijoi me femra të tjera, Lili ishte ajo që e bëri të zbulonte pashmangshmërinë e mosmarrëveshjeve midis Majakovskijt dhe jetës,  temëqendrore e gjithë poezisë së tij.

Po Nora, kush është ?

Veronika Polonskaja e njohur ndryshe si Nora është femra e fundit me të cilën Majakoskij kërkoi të ndërtonte një histori dashurie, që do ta shkëpuste atë përfundimisht nga Lili Brik. Ka qenë Osif Brik ai që do e  prezantonte, jo pa shkas, Majakovskin me Norën gjatë një gare me kuaj. Në librin e ardhur në shqip janë kujtimet e saj, të cilat ajo i hodhi të gjitha në një fletore pas ndarjes nga jeta të Majakovskijt. “I pëlqyem menjëherë njëri-tjetrit. Vladimir më tha: “Si mund të ndryshoni në këtë mënyrë? Sot në mëngjes, te garat, ishit një përbindësh, kurse tani jeni kaq e bukur …’ Pas disa ditësh u bëmë miq të ngushtë. E takoja sidomos në studion e tij në kalimin Lubjanskij. Pothuajse çdo ditë mbërrija aty rreth orës pesë ose gjashtë të pasdites dhe pastaj shkoja në shfaqje … Pikërisht kjo ishte periudha e dashurisë sime më të madhe për të.”, shkruan ajo në kujtime. Por ashtu si Lili, dhe Nora ishte e martuar, dhe në kujtime ajo tregon se poeti i ka kërkuar shpesh ta lërë të shoqin e të jetonte me të. “ Në fillim nuk u jepja shumë rëndësi fjalëve të tij dhe i thosha se do të mendohesha, por ai të mundonte, mëtonte që t’ia thosha në mënyrë përfundimtare se çfarë kisha vendosur, gjë që ndodhi më 13 prill të këtij viti kur u takuam, dhe domethënë i thashë se nuk e doja, nuk do të shkoja të jetoja me të dhe nuk kisha ndërmend ta lija tim shoq … Më telefononte shpesh, vinte të më merrte me makinë, më kërkonte të shkoja tek ai etj. Kohët e fundit e shihja shumë të ligështuar, nervoz, thoshte se ishte për shkak të dështimit të ‘Banjës’, të vetmisë, dhe në përgjithësi të faktit që ishte i sëmurë.”, kujton ajo. Braktisja dhe prej Norës, pas përpjekjeve të tij që ajo ta linte jo vetëm të shoqin por edhe teatrin, do të ketëqenë dhe goditja e fundit që poeti ka marrë para aktit tragjik. Nora tregon se nga kjo marrëdhënie ajo ka pasur njështatzëni të cilën e ka ndërprerë, çka rriti tensionin mes tyre. Por kujtimet e lëna prej saj, janë një dëshmi e rëndësishme për të kuptuar jetën e vërtetë të Majakovskijt.

A ka bashkëkohës që e quajnë Majakovskijn arrogant?

Ka pasur gjithnjë një perceptim për Majakovskijn, si një njeri që i pëlqenin skandalet (fakti që dashuronte gruan e mikut të tij), arrogant, etj., por nëse lexojmë Serena Vitalen, do të shohim njëpersonazh krejtësisht ndryshe. Do të gjejmë një poet tepër të brishtëbrenda tij, gjithnjë i shqetësuar për fatin e shoqërisë ruse të asaj periudhe dhe letërsisë. Ai nuk kishte melankolinë dhemendjemadhësinë që e hasje shpesh në kastën e intelektualëve rusë të asaj periudhe. Mjafton të lexojmë kujtimet e miqve që janë në këtë libër për të njohur një burrë shpirtërisht të fortë.

Megjithatë, dhe pse i dashuruar ai vrau veten?

LibriVetëvrasja e Majakovskij është ende një moment për të cilën jo vetëm biografët por dhe mendimi rus vijon të diskutojë në ka qenë e tillë. Kemi të bëjmë me një poet i cili kishte arritur të dominonte jetën letrare të Moskës së viteve 1930-të, duke lënë pas emra të njohur të kohës, i cili vendos të vetëvritet pikërisht në kulmin e shkëlqimit të tij, kur ishte vetëm 36 vjeç. Për njohësit e mirë të poezive të tij, ky fund fatal është i natyrshëm dhe paralajmërohet shpesh në vargje, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme që ai kishte jo vetëm ndaj komunizmit, por dhe një ideologjie ku kishte besuar herët. Megjithatë historia e letërsisëështë e mbushur me vetëvrasje, dhe një nga poetët e miqtë e tij më të mirë Esenini e kishte bërë më parë një veprim të tillë. Por duket në libër se për poetin vetëvrasja ishte një mendim kronik. Vetë Lili tregon në ditarët e saj se e ka dëgjuar shpesh të thotë se do të vriste veten. “Do të vras veten! Në moshën 35-vjeçare njeriu është plak! Do të jetoj deri 30 -vjeç. Pastaj mjaft”, kujton Lili, pavarësisht se ishte përpjekur t’i mbushte mendjen se pleqëria nuk duhet ta frikësonte. Vetë Majakovskij shprehej shpesh se nuk mund ta përfytyronte veten një plak me rrudha, dhe ky fund fatal duket se është ngjizur herët si mendim tek ai, për ta vënë në jetë më 14 prill në orën 10:15 të paradites më 1930.

Please follow and like us: