Albspirit

Media/News/Publishing

Pangallos dikur pranonte: Arbërishtja është shqipja e vjetër

 

 

Arben Llalla

Përherë, kur Athina ka probleme serioze politike me Shqipërinë, Greqia detyron grekët me origjinë shqiptare-arvanitase që t’i kundërvihen shqiptarëve. Shkrimi i botuar këto ditë nga politikani i njohur arvanitas Teodor Pangallos tregon se ai gëlltit fjalët e tij për hir të politikës së gënjeshtrës së Greqisë. Pangallos shkruan sot se tjetër është arvanitas e tjetër shqiptar dhe më tej vazhdon se himariotët janë grekë. Nëse shfletojnë fjalorin e gjuhës greke-shqipe, fjala “arvanitas” në greqisht përkthehet në shqip “shqiptar”. Më 1994, kur marrëdhëniet greko-shqiptare pësuan ngrirje, tensionime të mëdha, Greqia dërgoi dy misionarë për shkrirjen e akujve me Presidentin Berishën. Ata ishin studiuesi i njohur Aristidh Kola dhe politikani Karolos Papulias. Pra, dërgoi grekët me origjinë shqiptare, të cilët gëzonin respektin e politikanëve të Tiranës. Edhe sot, Greqia ka nxitur politikanin Teodor Pangallos që t’i kundërvihet politikës zyrtare të Tiranës.

Tre “grekë” ka angazhuar shteti grek për të kritikuar përditë me shkrime nëpër gazetat e Athinës kryeministrin Edi Rama. Ata janë tre grekë të njohur, për të cilët deri dje kishin shumë respekt intelektualët, politikanët dhe në përgjithësi shqiptarët: Teodor Pangallos, diplomati Aleksandros Mallias dhe publicisti Stravros Çimas. Që të tre këta kanë njohje personale dhe familjare me shumë shqiptarë. Ka disa ditë që Pangallos, Mallias dhe Çimas hedhin baltë mbi Edi Ramën për çështjen shqiptare-çame dhe Himarën.

Meqenëse unë e dua të vërtetën dhe faktet janë kokëfortë përpara çdo njeriu po ribotoj edhe njëherë fjalimin e Teodor Pangallosit mbi gjuhën shqipe që e flasin aq bukur arvanitasit dhe që kuptohet lehtë nga ne, vëllezërit e vegël të tij. Ky fjalim u mbajt nga Teodor Pangallos përpara shumë intelektualëve grekë, arvanitas dhe shqiptarë. Meqenëse dikur zoti Pangallos ka thënë që nuk është historian që të sjellë mendime të bazuara në histori, por është arvanitas, politikan, atëherë duhet të mbajë vendin që i takon, atë të arvanitas-politikanit dhe mos t’i hedhë benzinë zjarrit të historisë.

Në tetor të vitit 2002 në sallën e Arkivit folkloriko-muzikor në Athinë u bë prezantimi i Antologjisë së Këngëve Arvanitase të Greqisë, përgatitur me kujdes nga këngëtari dhe muzikologu i shquar arvanitas Thanasi Moraiti. Midis shumë personaliteteve të shquara të jetës politike e kulturore arvanitase në Greqi që vlerësuar librin shkencor foli edhe deputeti i PASOK-ut, arvanitasi Teodor Pangallos, i cili tha për gjuhën mëmë të tyre arvanitase:

“Për ne që u lindëm në shtëpi, ku gjyshja jonë fliste arbërisht, këtë gjuhë që nuk është siç dëgjojmë të thonë sot ca karafilë, greqisht me ca fjalë të tjera, por është shqip, shqipja e pastër e shekullit XIV dhe këtë na e dëshmojnë edhe emigrantët e sotëm shqiptarë që ndodhen në Mesogjia dhe na thonë: Ju flisni shqipen e vjetër. Dhe kjo është shumë e logjikshme nga pikëpamja gjuhësore, pasi gjuha e shqiptarëve që u vendosën këtu në shekullin XIV, panë gjuhën e tyre të evoluojë në greqishten dhe ajo që erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes. Për ne humbja e gjuhës arbërishte është si të kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë, të cilën jo në kushtet e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit, jo në kushtet e një shtypjeje, pra, por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën ta zhdukin gjuhën arbërishte, të cilën askush nuk e flet sot, të paktën nga mosha ime e poshtë. Tani, lavdi zotit, na kanë mbetur ende ca gjyshër e gjyshe që e flasin. Mirëpo është mëkat që kjo gjuhë të humbasë dhe besoj se puna që ka bërë Thanas Moraiti ndihmon që të mos jetë arbërishtja një atdhe i humbur. Duhet të dalin në dritë, gjuha, kultura, zakonet, doket, sepse përndryshe, po mbeti në errësirë do të jetë vërtetë një atdhe i humbur.

Nuk jam historian që të sjell një mendim të bazuar historik, por jam Arvanitas dhe di historinë e familjes time ashtu siç e dinë edhe shumë arvanitas të Athinës. Le të mos harrojnë lexuesit se në kundërshtim me Athinën, periferia e Athinës zotërohej deri vonë dhe në shumë raste vazhdon të zotërohet nga fshatra që rrënjët e tyre shkojnë shumë mbrapa dhe thellë atje ku vetë familjet njihen mirë mes tyre.”

Please follow and like us: