Photo Review – Avni Selmani
Një modele e panjohur, një kompozicion artistik që shpreh kacafytjen e përhershme në mes të dritës dhe hijeve, që të gjitha në funksion të pasqyrimit të energjisë së pastër femërore, si ndjesi e pakapshme për syrin e vrazhdë. Kjo është esenca e projektit të fundit nga Avni Selmani.
Shkruan: Albatros Rexhaj
Ka një kohë kur, në mënyrë të heshtur, ka zënë vend miti urban se emri i fotomodelit (d.m.th VIP-llëku i një emri të përveçëm) e nxjerr në pah artistin e mirë të fotografisë. Po ashtu ka zënë vend edhe bindja se të pajisurit me fjalën e fundit të teknologjisë bën diferencën mes artistësh të ndryshëm të fotografisë. Sikur vipllëku i modelit të ishte një faktor vendimtar, atëherë bota nuk do të vlerësonte kurrë një fotograf si Steve Mccurry dhe shumë të tjerë si ai, ndërkaq të gjithë ata që e mbivlerësojnë teknologjinë duhet të shohin pak nga filmat dhe krijimet e vitev 30-ë të shekullit të kaluar. Nuk do mend se para një shekulli teknologjia ishte shumë modeste, por megjithatë krijimet e bëra në atë kohë janë të përkufizuara me nuanca të përsosura të dritës dhe të hijeve si dhe me qendra të sakta të fokusit.
Seti i fundit nga artisti i fotografisë Avni Selmani i thyen të dyja këto mite të rrejshme. Në dy dekada karrierë profesionale, aparati i Avniut ka kapur pothuajse të gjitha personazhet e jetës publike (Avni Selmani është autor i setit të parë, të famshëm, nudo të Bleona Qerretit), por kësaj here, si modele, Avniu ka zgjedhur dikë jashtë botës së personazheve të njohura nga publiku (Adriana Kulla, një juriste nga Tirana), ndërkaq te teknologjia Avniu i qëndron besnik qasjes së tij tradicionale. Në këtë projekt, koncepti i Avniut është i bazuar mbi parimin se modelet e dritës nuk përcaktohen nga vetë drita, por nga hijet. Dhe duke e bërë këtë ai na sjell një rrëfim klasik të raportit eterik, dashuri-urrejtje, mes dritës dhe hijes.
Puna e Avniut me imazhin e Adrianës më përkujtoi motivet e këngës “Shadows and lights” të Janex: dritë dhe hije, lëvizin dhe kërcejnë përreth, dritë dhe hije, ecin dhe kërcejnë në flakë. Avniu është i vetëdijshëm se drita dhe hija përbëjnë Ying-Yangun themelor të natyrës, një harmoni të përsosur të të kundërtave, ku njëra është e domosdoshme për ekzistencën e tjetrës, prandaj zgjedh që këto dy manifestime esenciale të natyrës t’i trajtojë me kujdesin e njëjtë, duke i përthyer ato në imazhin e Adrianës, të cilën Avniu e vendos në qendër të kacafytjes së përhershme mes dritës dhe hijes.
Si në korridat spanjolle ku toreadori dhe demi kacafyten duke i marrë dhe duke i lëshuar hapësirë njëri-tjetrit (thuajse ballafaqimi i tyre të ishte një koreografi organike), Avniu kap pikërisht këtë “koreografi”. Drita sakrifikon veten për të nxjerrë në pah hijen, ndërkaq hija tërhiqet për të lejuar shkëlqimin e dritës, ndërkaq modelet e ndryshme të dritës dalin në sipërfaqe me zhvendosjen e fokusit te fotografitë e ndryshme të këtij seti.
Në këtë set, Adriana Kulla na paraqitet thjesht si një grua që synon të jetë e vetëdijshme për qenien e saj dhe jo veç si një imazh të cilit mund t’i veshim cilësimet si “provokuese” apo “sexy”. Është e qartë se, si artist, qëllimi i Avniut nuk ka qenë ekspozimi i linjave të trupit dhe as i veshjeve të brendshme, por ai ka synuar që të kapë energjinë e feminitetit, si një fenomen i pakapshëm për syrin e rëndomtë, pasi që feminiteti është tërësisht ndjesi e pastër. Dhe kjo energji e natyrshmërisë femërore, padyshim një nga forcat më të virgjëra të natyrës, te ky set, fshihet në detajet e ndryshme të hijes, pikërisht aty ku rri e sigurt nga shikimet e vrazhda të atyre që nuk dinë ta vlerësojnë të bukurën.
Artisti është plotësisht i vetëdijshëm se, pavarësisht përparimeve teknologjike, ende nuk është shpikur ndonjë aparat që ka ndjeshmërinë e syrit njerëzor. Ky tip fotografi di si ta lexojë dritën, por sidomos mungesën e saj, ndërkaq të tjerët përdorin teknologjinë për të luftuar me dritën, një tip obsesioni për ta kontrolluar shpërfaqjen e saj natyrore. Avni Selmani ka kohë që ka hequr dorë nga ky obsesion, prandaj, në vend të përpjekjes për të kontrolluar dritën dhe hijet, ai bën dashuri me to.
(Ky reflektim është krejtësisht personal)