Rasti i Qazim Kaçulit: U dogji kazermën italianëve për shkak të një qeni, partia e dekoroi si antifashist
Nga Bardha Nergjoni
Letërsia, por sidomos kinemaja shqiptare e komunizmit na ka ngulitur idenë se gjatë luftës, të angazhuarit në luftë, i madh i vogël, kryenin edhe aksione të ndryshme guerrile. Dhe ndër to, veç atentateve ishin dhe prerja e telave të telefonit apo djegja e kazermave. Një të tillë e ka djegur aso kohe edhe Qazim Kaçuli, sot 88 vjeç e ahere vetëm 10. Por a thua vallë ishte instaluar tek ai në këtë moshë ideali i madh i lirisë sa për të guxuar t’i vërë flakën një kazerme ushtarak? Aspak! Por ai i dhimbsej shumë qeni që ia plagosi një ushtar italian, që e detyroi më pas të hakmerrej tek kazerma. E megjithatë, pas lufte kjo nuk është marrë parasysh e pushteti i kohës e ka nderuar si hero antifashist për gjestin e tij. Këtë e shumë të tjera a dëshiron t’i rrëfejë për atë kohë, ku veçon ndërtimin e rrugëve nga italianët, vizitën e Duçes, por dhe sjelljen e tyre krejt ndryshe nga ajo e gjermanëve…
Qazim Kaçuli është nga fshati Griqan i Labinotit ku edhe kalon rruga e Bizës. Ai ka lindur në vitin 1928 dhe pushtimi e ka gjetur 10 vjeç. E mban mend shumë mirë këtë periudhë, madje tregon mbi vizitën e Duçes në tunelet e Labinotit dhe për ndërtimin e rrugës së Bizës nga italianët. Qazimi është dëshmitar se si italianët u strehuan në shtëpitë e shumë familjeve në Griqan kur vendi u pushtua nga nazistët. Duke përjetuar dy pushtuesit, ai bën edhe dallimin mes tyre duke i quajtur italianët të butë e miqësorë me banorët, ndërsa gjermanët të egër dhe plaçkitës.
“Kur ka filluar lufta ka qenë pikërisht dita kur ka lindur Leka Zogu. Në Tiranë binin topat dhe na thonin që ka lindur i biri i mbretit. Unë kam qenë 10 vjeç dhe veç pushtimit kam jetuar edhe periudhën e ndërtimit të rrugës së Bizës. Rruga ka filluar në vitin 1941. Kishte shumë punëtorë nga zona dhe paguheshin mirë me florinj dhe madje italianët sollën edhe shumë ushqime për banorët. Nga ndërtimi i rrugës së Bizës banorët përfituan shumë”.
Qazimi tregon se aq të rregullt ishin italianët në ndërtimin e rrugës sa edhe pemët që detyroheshin t’i prisnin, i paguanin. “Rruga e Bizës ishte një rrugë strategjike lufte dhe pati një angazhim shumë të madh të italianëve madje edhe specialistëve. Di dhe kam dëgjuar se në atë kohë kishte një urdhër të prerë që të mos prisnin asnjë dru dhe atë që e prisnin e paguanin. Kështu kishte vendosur mbreti”.
Shumë familje në zonën e Labinotit dhe në Orenjë kanë mbajtur partizanë pas kapitullimit. Familja e Qazimit ka mbajtur specialistë të rrugës në shtëpi pas kapitullimit. “Italianët ndryshe nga gjermanët ishin të urtë, punëtorë dhe kanë qëndruar tek ne për disa kohë. Ne mësuam italisht, ndërsa ata e kishin shumë të vështirë të mësonin shqip. Ai që ka qëndruar në shtëpinë tonë ishte inxhinier. Na ka ndihmuar të ndërtojmë shtëpitë. Ruanim një respekt si familje madje shumë familje i kanë fshehur kur erdhën gjermanët të cilët ishin shumë të egër. Mbaj mend që gjermanët na morën gjithçka kur kaluan këtu madje mbaj mend që pulat i rripnin vetëm duke fryrë lëkurën”.
Qazimi ka kujtime edhe për periudhën kur mendohet se është ndalur Duçja në tunelet e Labinotit. “Unë e mbaj mend që në kodër, tek tunelet ishte vendosur një batalion italian. Tunelet thuhet se u bënë për t’u strehuar oficerë të lartë italian dhe thuhet se ka kaluar dhe strehuar vetë Duçja. E kam dëgjuar nëpërmjet një italiani që më thoshte të mos flisnim se atë ditë aty kishte ardhur Duçja. Edhe mundet të jetë strehuar. Ishte një batalion i tërë. Tuneli është i vogël për të qëndruar pak veta dhe është i hapur nga të dy anët. Është një gur i fortë që ka shërbyer për hapjen e tuneleve”.
Qazimi ishte fëmijë por ka arritur ta djegë edhe kazermën e italianëve, jo se kërkonte të dëmtonte pushtuesin por se një ushtar italian i ka plagosur qenin. “Unë në fakt isha problematik si fëmijë pasi shkoja fshehurazi, hyja në kazerma, merrja gjëra për të ngrënë. Italianët ishin të urtë dhe nuk ishte aq trima ndërsa gjermanët i kishim shumë frikë. Është e vërtetë që edhe kam djegur një kazermë pasi u zura me ushtarin italian kur më plagosi qenin tim. Atë ditë dola në kodër, ruajta kur nuk kishte njeri dhe hyra brenda e i vura zjarrin. Më kapën më burgosën dhe më rrahën që të tregoja por isha shumë kokëfortë e nuk kam treguar. Këtë ngjarje e kam treguar vetëm një vit pas çlirimit”. Për këtë Qazimi mori edhe dekorata duke pasur një punë të mirë pas çlirimit. Ende me një kujtesë të fortë dhe mjaft energjik, i moshuari vazhdon t’i tregojë nipërve dhe mbesave historitë e luftës me italianë e gjermanë, që ai i ka përjetuar si fëmijë duke parë të zhvillohen mjaft ngjarje tek të cilat ishte spektator, ndërsa sot një dëshmitar i asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë ku ende ka dritë-hije që kanë interes të shihen në të gjitha këndvështrimet përfshirë dhe atë të një 10-vjeçari.
Vizita e Duçes në Shqipëri sipas dëshmive dhe dokumenteve
Pas gati dy vjetësh të pushtimit të Shqipërisë, Benitto Mussolini (Duçe) shkel për herë të parë në Shqipëri. Lajmi i vizitës së Duçes në Shqipëri u bë i ditur më 10 maj 1941, pas gati një muaj e gjysmë pasi ai kishte mbërritur në Romë. Sipas të dhënave më 12 mars, Mussolini i shoqëruar nga gjenerali Priçolo mbërrin në Elbasan, ku bisedoi me komandantin e Armatës IX, gjeneralin Pirzio Biroli. Në orën 19.45 u kthye në pozicionin e mëparshëm në Vlorë. Më 13, 14, 15, s’ka gjë për të shënuar dhe si duket vizitës së tij i ka ardhur fundi, qëndron gjithë ditën në observator dhe ha bukë me ushtarët. Më 16 mars, paradite dhe pasdite Mussolini priti gjeneralët e tij. Më 17 mars kalon edhe një herë nga Elbasani. Më 18 mars shkoi ne Gramsh, inauguroi urën mbi Devoll dhe shkoi në Spitalin e Llixhës. Më 19 mars, Duçja u interesua për fortifikimet mbrojtëse dhe për rrugët. Më 20 mars, viziton spitalet e Krustes dhe shkoi deri ne liqenin e Ohrit; në kthim dëgjoi raportet e gjeneralëve. Më 21 mars kryeministri fashist u rikthye në Romë, i pakënaqur dhe i dëshpëruar nga ajo që pa në frontin e luftës.