Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, dy shekuj dinasti

ShBA, dy shekuj dinasti

EVAN KORNOG

Zgjedhjet e të martës nuk do të vendosen nga origjina familjare e Donald Trumpit, apo nga zgjedhja për bashkëshort e Hillary Clintonit. Do të vendoset prej perceptimit që kanë zgjedhësit për kandidatët. Dhe kjo tingëlln, në tërësinë e vet, mjaftueshëm demokratike

Kur etërit themelues u mblodhën në Filadelfia për të hartuar një Kushtetutë,  në verën e vitit 1787, kishte shumë gjëra për të cilat nuk binin dakord. Por konsensusi ishte i menjëhershëm sa i përket titujve të trashëgueshëm. Në nenin e parë të Kushtetutës shpallej: “Asnjë tituj fisnikërie nuk do të jepet nga Shtetet e Bashkuara”.

Ata njerëz të fuqishëm që mblidheshin për të përcaktuar formën e qeverisjes së kombit të ri, nuk kishin prirje barazitiste: ata mendonin se disa ishin më të aftë për të qeverisur se sa të tjerët, dhe ata vetë ishin më të pasur e të mirëushqyer. Por shihnin një dallim shumë të madh mes një begatie dhe një statusi social të arritur falë talentit individual, dhe një begatie e një statusi social të përftuar që në lindje. Po atëherë, si ndodhi që SHBA u gjendën në një situatë ku favoritja për të fituar zgjedhjet e të martës është bashkëshortja e një ish presidenti? Dhe ku një prej eksponentëve më të spikatur të partisë opozitare, ish guvernatori i Floridës, Jeb Bush, është vëllai i një ish presidenti dhe djali i një tjetri? Po Kennedyt? E gjitha duket shumë pak demokratike.

Kjo tërheqje për dinastitë politike e ka fillesën që në dekadat e para të kombit të ri. Presidenti i gjashtë, John Quincy Adams, ishte biri i presidentit të dytë, John Adams. Dhe nuk ishte rasti i vetëm i familjeve politike në luftë për pushtet në nivel kombëtar, në atë kohë: DeUitt Clinton, i mundur nga James Madison, për presidencialet e vitit 1812, ishte nipi i George Clinton, që në momentin e vdekjes së tij, në prill të vitit 1812, ishte zëvendës president pikërisht i Madisonit. Ishte një botë marrëdhëniesh të ngushta. Këta shembuj nepotizmi në fillimet e Republikës, ishin diçka natyrale në një popullsi me dimensione të reduktuara dhe një komb të sapolindur, dhe ky element ishte përcaktues. Por me rritjen e kombit, pasioni për dinastitë politike nuk u forcua.

Ceremonia e inaugurimit të Uilliam Henry Harrison, një hero lufte që fitoi zgjedhjet në nëntor 1840, ndoshta ishte episodi themelues më dashamirës që mund të imagjinohet për një dinasti: Harrisoni u betua në mars 1841 dhe vdiq 32 ditë më vonë, pas një polmoniti, që e mori ndoshta pikërisht gjatë ceremonisë. Nipi i tij, Benjamin Harrison fitoi zgjedhjet për republikanët në vitin 1888. Në të njëjtën periudhë, një tjetër emër nisi të shfaqet në skenën politike kombëtare, ai i Theodore Roosevelt. Presidenti i ardhshëm ndoqi një rrugëtim në ngjitje që kaloi nga shteti i Nju Jorkut dhe emërimin në role kombëtare, si ai i zëvendës sekretarit të Marinës, më tej futjen në forcat e armatosura dhe arritjet ushtarake në Kubë gjatë Luftës hispianiko-amerikane, që e katapultuan në skenën kombëtare, zgjedhja si guvernator i Shtetit të Nju JOrkut në 1898 dhe më pas gara fitimtare për Shtëpinë e Bardhë, si zëvendës president i Uilliam McKinleyt dy vjet më vonë.

Kur plumbi i një vrasësi i mori jetën McKinleyt në 1901, Roosevelt u bë president.

Kushëriri i largët i Teddyt, Franklin (që ishte martuar me mbesën e ish presidentit, Eleanor Roosevelt) ndoqi gjurmët e tij duke kaluar nga parlamenti i shtetit të Nju Jorkut dhe departamenti i Marinës, përgjatë rrugës për në detyrën më të lartë. Edhe kush nuk kishte lidhje me familjen, përpiqej që ta shfrytëzonte famën e Rooseveltit: Lyndon Johnson u kërkonte vartësve të tij që ta thërrisnin “LBJ”, me shpresën që në mendjen e zgjedhësve të mund të bënte një asociim me “FDR”, shkurtimin që përdorej zakonisht për Franklin Delano Roosevelt. Dikujt, e gjithë kjo mund t’i sjellë në mendje epigramën e Karl Marksit: “Hegeli shkruan në një prej veprave të tij, se të gjithë faktet dhe personazhet e mëdhenj të historisë universale paraqiten, si të thuash, dy herë. Ka harruar të shtojë herën e parë si tragjedi, dhe herën e dytë si farsë”.

Po këto dinasti, kanë qenë një sinjal mungese lidershipi mes politikanëve, apo një mungesë imagjinate mes zgjedhësve? Në fund të fundit, ka një dallim të madh mes një personi që vjen në pushtet automatikisht, duke trashëguar një fron, dhe një personi që zgjidhet në pushtet përmes një votimi demokratik. të kesh paraardhës të njohur, apo një bashkëshort të famshëm, nuk garanton të zgjidhes, edhe pse mund të ndihmojë për shkak se siguron dukshmëri më të madhe. Dhe nuk është as e nevojshme një bilanc veçanërisht miklues si president, apo një sukses politik i jashtëzakonshëm në brezin e parë, për t’u siguruar dobi atyre që vijnë më pas: John Adams dhe George H ë Bush nuk arritën të zgjidhen për një mandat të dytë dhe presidenti i parë Harrison,  e vetmja gjë që bëri në Shtëpinë e Bardhë, ishte që mori një të ftohtë dhe vdiq; e megjithatë, pasardhësit e tyre kanë patur sukses.

Për të qenë të sinqertë, John Quincy Adams në vitin 1824 kishte shumë më tepër se një emër në anën e tij: kishte qenë tashmë Senator i shtetit të tij, Massachusetts, dhe në senatin e SHBA, kishte mbuluar detyrën e përfaqësuesit diplomatik në Holandë, në Prusi dhe në Britaninë e Madhe dhe kish qenë Sekretar Shteti në kohën e presidencës së James Monroe; George ë. Bush ishte zgjedhur dy herë guvernator i Teksasit, ku kishte fituar tashmë reputacionin e reformatorit të sistemit shkollor.

Këtë vit kemi dy kandidatë të cilëve u duhet të bëjnë famën e tyre, pjesërisht, për shkak të lidhjeve familjare. Karriera e Donald Trumpit pësoi një shtysë të fortë për shkak të ndihmës dhe mbështetjes financiare të të atit, por nuk ka dyshim që, pavarësisht disa dështimeve të vockla përgjatë rrugës, “marka” Trum është ndërtuar në pjesën më të madhe prej përpjekjeve të tij. Hillary Clintoni mund të ketë qenë edhe Zonjë e Parë, por pasi la Shtëpinë e Bardhë, ajo ka qenë edhe Senatore dhe Sekretare Shteti. Skema të ngjashme i ndesh edhe në fusha të tjera: disa sportistë, aktorë apo muzikantë të famshëm kanë fëmijë që kanë arritur famë në po të njëjtin sektor; por janë shumë më të shumtë fëmijët që ndjekin rrugë të ndryshme dhe kërkojnë kënaqësi të tjera në jetën e tyre profesionale. Një emër i famshëm mund të të ndihmojë që të të hapë dyert, por nuk pengon domosdoshmërisht përplasjen e derës në fytyrë.

Flitet shumë për këto dinasti politike, por ndoshta realiteti është më pak shqetësues. Në moshë të vonë, John Adams dhe kundërshtari i tij i një herë e një kohe, Thomas Jefferson, patën një korrespondencë shumë interesante. Mes argumentave të shumta që diskutonin, ishin edhe disa refleksione mbi temën e lidershipit dhe atë që ata e konsideronin “aristokracia natyrale e talentit”.

Një demokraci, ishte bindja e tyre, funksionon më mirë nëse gjen mënyra për të kultivuar dhe pranuar këtë aristokraci të talentit. Arsimi publik fillor falas, ngritja e universiteteve të mëdha shtetërore, ndihmat financiare për shkencëtarët dhe studiuesit premtues janë disa prej formave se si kjo bindje ka gjetur realizim.

Një pjesë e madhe e sistemit politik amerikan sot është plazmuar nga paratë dhe pushtetet e tilla, por mbetet ende mjaftueshëm transparente: është e mundur për një person me prejardhje modeste që të hipë në majë, si ndodhi me Barack Obamën, ashtu sikurse është e mundshme që një person me prejardhje mbresëlënëse të dështojë, si ndodhi me Jeb Bushin.

Zgjedhjet e të martës nuk do të vendosen nga origjina familjare e Donald Trumpit, apo nga zgjedhja për bashkëshort e Hillary Clintonit. Do të vendoset prej perceptimit që kanë zgjedhësit për kandidatët. Dhe kjo tingëlln, në tërësinë e vet, mjaftueshëm demokratike.

Please follow and like us: