Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, votën e Trumpit e paraprin protesta “topless”. Dyshime te vota e Melanias?

E ndërsa rivalja e tij demokrate votoi vetëm pak më herët në Chappaqua, New York, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë ka zgjedhur të votojë pas saj, këtë herë në Midtown të Manhattanit.

Por edhe këtu ka vend për të bërë krahasime mes popullaritetit të dy kandidatëve. Gjatë votimit të Clinton, e cila u paraqit pranë qendrës zgjedhore të vendlindjes së saj e shoqëruar nga bashkëshorti Bill Clinton, ish-president i Amerikës ky, njerëz të shumtë ishin mbledhur për të bërë qoftë edhe një “selfie” me çiftin e njohur të politikanëve, e pse jo pati edhe nga ata që brohorisnin “Fituese do të jeni ju”.

Ndërkohë, ndryshe nga kjo atmosferë, në qendrën e votimit të manjatit të pasurive të paluajtshme, në Manhattan u zhvillua një protestë. Nuk ishte një dosido, por një protestë e mbajtur nga dy gra të zhveshura “topless”, të cilat natyrshëm që pas këtij akti përfunduan në prangat e policisë së Nju Jorkut.

Trump ende nuk ishte paraqitur në zonën e tij zgjedhore për të hedhur votën, kur gratë e veshura me xhinse thërrisnin në kor “Jashtë nga vendvotimet tona zoti Trump. Jashtë nga vendvotimet tona!”. Madje pati edhe thirrje aspak etike.

Sipas Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, dy femrat e moshës 28 dhe 30 vjeç u morën në pyetje në rajon dhe nuk do të lejohen të shfaqen në zonën zgjedhore derisa të përfundojnë zgjedhjet. Emrat e tyre nuk janë bërë publike, ndërsa mund të ngrihen edhe akuza.

Ndërkohë rrjetet sociale kanë nisur të ironizojnë me kandidatin republikan, i cili është kapur nga aparatet fotografike të medieve amerikane teksa sheh me bisht syri se për kë do të votojë Melania Trump. Po, po, Melania, bashkëshortja e tij që e ka përkrahur fort, të paktën në dukje, bashkëshortin e saj kandidat për Shtëpinë e Bardhë.

Please follow and like us: