Çfarë ndodh pas fitores së Trump?
Rënie e Bursave dhe dollarit, panik mes aleatëve të SHBA: ata aziatikë dhe ata europianë të NATO-s. Një Trump i paduruar që bëhet shumë shpejt i zemëruar (ose i depresionuar) kur zbulon që, me një Kongres kundër tij (shumë republikanë që e kundërshtojnë njësoj si demokratët), nuk mund të bëjë pothuaj asgjë. Dhe nëse do të arrijë të vërë në zbatim një prej pak pikave të programit që i ndan me partinë e tij, zhbërjen e reformës shëndetësore të Barak Obamës, më shumë se 10 milionë amerikanë do të humbasin asistencën mjekësore.
Parashikimet e shumicës së qendrave kërkimore mbi atë që do të ndodhë në rast fitoreje të Donald Trumpit anojnë pothuaj gjithmonë nga më e keqja, me një farë tendence drejt katastrofikes. E vërteta është që mund të bëhen vetëm parashikime të përgjithshme, sepse askush nuk e di se çfarë ka në të vërtetë në mendje “The Donald”, një personazh i cili gjatë të gjithë fushatës elektorale ka treguar se e konsideron dukjen dhe aftësinë për të influencuar median dhe opinionin publik, më të rëndësishme se sa realiteti i fakteve. Për pesimistët do të vazhdojë në këtë regjistër edhe si president, sepse kjo është natyra e tij: i rrëmbyer, i paaftë të përqëndrohet në një dosje, të thellohet në një argument, të kërkojë zgjidhje për një problem kompleks.
Por ka edhe nga ata që mendojnë se “The Donald” është një sipërmarrës i shpenguar, por jo budalla: nuk është frenuar në përdorimin e një retorike populiste gjatë fushatës, por si president do të shmangë gabime që do të kishin qenë katastrofikë ekonomikisht, si përshembull dëbimi i miliona imigrantëve të paligjshëm, që punojnë në SHBA, apo fillimin e luftërave tregtare mbi të gjitha me Kinën, gjë që do të bënte të binin shkëmbimet tregtare.
Në çdo rast, rrugëtimi i tij do të ketë të bëjë edhe me ndikimin e faktorëve të jashtëm, të cilët do t’i ndeshte edhe Hillary – Kongresi i pakontrollueshëm dhe ridimensionimi i rolit të SHBA në botë – dhe për mungesën e përvojës së tij politike dhe në qeverisje. Trumpi është mësuar që të konsiderojë të gjithë aspektet e jetës (duke përfshirë martesat) si transaksione, marrëdhënie biznesi. Por kriza si ajo siriane, në të cilën kryqëzohen interesa të fuqive rajonale, fraksioneve lokale, grupeve terroriste, entiteteve fetare, nuk zgjidhen duke firmosur (apo mohuar) një çek.