Saimir Strati synon rekordin e dhjetë në Guinnes me portretin e Nënë Terezës
Artisti Saimir Strati kërkon të shënojë një tjetër rekord Guinness.
Kësaj radhe me një krijim të veçantë, atë të portretit të Shenjtores Nënë Tereza.
Portreti i Shën Terezës ka filluar filluar të marrë formë ndërsa në ambientet e Muzeut të Kosovës, artisti Strati punon pa u ndalur.
Në një platformë druri të sofistikuar, do të përdoren rreth 1.5 milionë kopsa teli me dy ngjyra, është e bardha dhe kafja, sepse ky material kaq mundësi të jep, por diku diku ka edhe pak tredimensional, dhe sipas mjeshtrit, kjo është një teknikë relativisht e vështirë, nga më të vështirat e rekordeve që ai ka kryer. Ky rekord do të mbajë dimensionin 10 metra katrorë. Ideja për një vepër të tillë ka qenë e ndërlidhur me shumë gjëra.
Për KultPlus ai thotë se ideja për të bërë një rekord të dhjetë, ishte që kësaj radhe të bëjë diçka për Nënë Terezën, gjë që gjithmonë e kishte paramenduar, por materialin se kishte gjetur, thjeshtë ishte subjekti për Nënën Terezë. Por, idenë e ka plotësuar duke parë në lajme fluksin e emigrantëve dhe ku diku në një shtet kishin vendosur tela me gjemba, në mënyrë që t’i ndalojnë njerëzit dhe aty artisti kishte thënë ‘Vetëm Nënë Tereza i shpëton këta njerëz’.
“Aty më erdhi ideja që duhet të gjejë diçka që ka të bëjë me tela. Kënaqësia më e madhe është që Nënë Tereza është me origjinë shqiptare, ne vërtetë jemi një vend i vogël por ja që edhe ne bëjmë gjëra të mëdha”, shprehet Saimir Strati. Ai thotë se autorët e rekordeve Guinness në Londër e kanë pranuar si tentativë dhe tashmë pritet që ta përfundoj veprën, por çdo ditë ai ju dërgon fotografi online në Londër. “Puna është parashikuar të përfundoj për një muaj. Kam ardhur më 1 nëntor për ta përfunduar më 30 nëntor, por unë dua ta përfundoj më 28 nëntor”, rrëfen artisti i 9 rekordeve Guiness.
Këtë vit unë do ta quaja viti i Nënë Terezës, thotë Strati duke shtuar se ”ne nuk mund të bëjmë dot atë që ajo ka bërë, por sado pak, qoftë edhe për sensibilizimin të tregojmë që ne e duam paqen dhe jemi paqësorë dhe ne dimë të shfaqim edhe vepra arti”.