SHBA, 9 shtete votuan edhe për legalizimin e marijuanës
Dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte kyçe jo vetëm për shpalljen e Presidentit të ri të vendit, por edhe për legalizimin e marijuanës. Në shtetet e Kalifornisë, Nevadas, Arizonas, Mainit dhe Masaçusetsit, zgjedhësit patën mundësinë të votonin edhe për legalizimin e lëndës narkotike, ndërkohë që në Montana, Dakotën e Veriut, Florida dhe Arkansas u votua për legalizimin e marijuanës mjekësore.
Nëse të gjitha votat kalojnë, kjo do të thotë se rreth ¼ e amerikanëve do të jetojnë në shtete ku marijuana do të jetë e ligjshme, që do të shënojë një pikë kthese në qëndrimin e qeverisë federale mbi këtë çështje. Kalifornia, Masaçusets e Nevada votuan pro legalizimit. Të paktën për shtetin e Masaçusets, shitja ligjore do të fillojë që prej 15 dhjetorit të këtij viti, për personat mbi 21 vjeç, ndërkohë që në Kaliforni, çdokush mund të rrisë deri në 6 bimë të tilla në shtëpi. Nevada do të krijojë një sistem liçensimi për shitjen e marijuanës në dyqane e klube. Sipas parashikimeve, shteti i Main ka gjasa të votojë pro-legalizimit, ndërkohë që në Arizona shanset që kjo të ndodhë janë minimale.
Në Florida, Arkansas dhe Dakotën Veriore, përqindje të larta të amerikanëve kanë votuar pro-legalizimit të marijuanës mjekësore, e cila do të këshillohet për personat me dhimbje kronike apo për ata të cilët vuajnë nga çrregullime e trauma nga stresi. Nuk ka gjasa që marijuana mjekësore të legalizohet në Montana, ku 51% e votuesve ishin kundër këtij propozimi.