Albspirit

Media/News/Publishing

VJEN PËRSËRI NË SHQIP IAN BURUMA

 me një tjetër libër të shkëlqyer

 “VRASJE NË AMSTERDAM”

 

Titulli: Vrasje në Amsterdam: Vdekja e Theo van Goghut dhe caqet e tolerancës

Autori: Ian Buruma

Përkthyes: Virgjil Muci

Numri i faqeve: 272 fq

Çmimi: 700 lekë

Botues: Botimet IDK

ISBN978-9928-136-45-9

 

“Një libër tepër i rëndësishëm për të kuptuar çfarë ndodh kur Islami politik përplaset me Perëndimin laik, duke e çuar tolerancën në caqet e veta.”

 

Ishte një krim që bëri mjaft bujë: në një ditë të ftohtë nëntori, një i ri musliman vrau në mes të Amsterdamit regjisorin e famshëm e kontrovers Theo van Gogh (stërnip i piktorit të famshëm). Vetë mënyra e vrasjes ngjalli tmerr: vrasësi e qëlloi me revole, më pas i preu fytin me satëre. Arsyeja: një film që, sipas vrasësit, “fyente profetin Muhamed”. Ngjarja shkaktoi një tronditje aq të madhe në Holandën e qetë, sa mund të thuhet shënoi një pikë kthese në këtë vend që historikisht qe mburrur me traditën e saj të tolerancës, e që kishte mirëpritur aq shumë turq, marokenë, sirianë, trakenë etj. Në fakt, emocionet e forta që ajo shkaktoi, ashtu si një sërë ngjarjesh të ngjashme, që nga atentatet e Madridit, të Londrës, të Parisit, Brukselit, e deri te protestat e dhunshme të muslimanëve në mbarë botën kundër karikaturave të Profetit, vetëm sa kishin nxjerrë në sipërfaqe një prej dilemave më të vështira që po përjeton sot Europa, duke shtruar shumë pyetje, të cilave ky libër mundohet t’u japë përgjigje. Ian Buruma u kthye në atdhe pak kohë pas vrasjes, për ta hetuar atë, duke rindërtuar jetët tragjike si të viktimës ashtu dhe të vrasësit. Rezultati qe një kryevepër, një libër që lexohet si një thriller që të rrëmben, e që njëkohësisht sjell një analizë brilante të një prej konflikteve më të komplikuar të kohës sonë.

 

Buruma ia ka dalë të shkruaj një histori shembullore të kohës sonë.

                                                           – Hans Magnus Enzensberger

 

Një libër që jua rekomandoj ta lexoni… Sepse s’është thjeshtë për  vrasjen e Theo van Ghogut në Holandë, por për vetë natyrën e Islamit në Europë, e po ashtu për temën e identitetit evropian aq shumë të diskutuar sot.

                                                                             – Oliver Roy, autori i librit Globalizimi i Islamit

Buruma është sot një ndër mendjet më të mençura të planetit dhe një ndër shkrimtarët më të mirë kur vjen puna për tema si ajo e identitetit kombëtar, qytetërimit e kulturës. Me syrin e një romancieri dhe erudicionin e një dijetari… ka shkruar një libër që s’është thjesht për një vrasje… por një shqyrtim i shkëlqyer i sëmundjes prej së cilës vuan sot Europa, e më gjerë, bota e globalizuar.

                                                                                                                      – Strobe Talbott

                                                          -Zv. Sekretar i Shtetit në administratën e presidentit Klinton

 

Ian Buruma – shkrimtar e historian holandez, i cili që prej vitit 2003 jeton e punon në Nju Jork, SHBA. Është autor i shumë librave të përkthyer në mbarë botën. Konsiderohet një prej figurave më me ndikim sot në botë.

Prej tij është botuar po ashtu në shqip libri ‘Oksidentalizmi, Perëndimi dhe armiqtë e tij.    

 

Please follow and like us: