Christopher R. Hill: Të negociosh me Millosheviçin
Pjesë e shkëputur nga libri “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me autor Christopher R. Hill, i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, botim i Shtëpisë Botuese UET-Press
Në kujtimet e fëmijërisë së Christopher R. Hill, Serbia kishte lënë gjurmë të hidhura. Kur jetonte me familjen ne Beograd, ish-Jugosllavinë e Titos, shtëpinë e tij e sulmuan një grup anti-amerikanësh që kërkonin që babai i tij, oficer politik në ambasadën amerikane, të largohej nga vendi. Por, kur Hill ishte një diplomat në kulmin e karrierës, do të kishte të bënte sërish me serbët dhe madje me më të keqin e tyre, Slobodan Millosheviç, kur u caktua si i dërguar special i SHBA-ve në zgjidhjen e krizës së Kosovës. Kujtimet e tij për takimet me Millosheviç dhe tentativat për ta bindur që të largohej nga Kosova para se NATO të niste bombardimet vijnë në shqip në librin e botuar nga UET-Press “Pararojë”. Hill ishte në Tiranë gjatë promovimit të librit, ku u nderua dhe me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.
“…U takuam me Rugovën atë pasdite në shtëpinë e tij. Ai e mbante gjithmonë ndezur televizorin ndërkohë që priste njerëz. Në fillim mendova e bënte për shkak të përgjimeve Serbe, por më pas, arrita në përfundimin se thjesht kishte qejf ta mbante TV-në ndezur.
Holbrooke propozoi një ide që e ndoqëm me Milosheviç-in ditët e mëparshme. “A do të vinit në Beograd dhe të takoheshit me Presidentin Milosheviç?” Rugova nuk ishte i interesuar dhe filloi të shprehë ngurrim, por para se të caktoja takimin e radhës, Holbrooke hodhi një ide tjetër: Pas vizitës në Beograd, a e dini se Presidenti Clinton do të ishte i interesuar t’ju takonte në Shtëpinë e Bardhë.” Ky ishte truk i vjetër diplomati, ku bashkë me elementët e vështirë përfshije edhe elementë që sillnin një kënaqësi të veçantë. Por sigurisht, askush në Washington nuk dinte gjë mbi një takim të tillë. Ato nuk ofroheshin aq lehtë, ishin “qershia mbi tortë”. Ata që përcaktonin axhendën presidenciale, janë njerëz të cilët të thonë “jo” u vjen natyrshëm, janë pothuajse po aq të fuqishëm sa personi, axhendën e të cilit ata kontrollojnë. Por, Holbrooke po ngjitej lart në vitet që pasuan Dayton dhe me shumë gjasa ai mund ta realizonte.
Në 15 maj, shkova në Beogad për të qenë afër, kur Rugova të takonte Milosheviç-in për një takim jo-përfundimtar. Në 28 maj, Rugova u takua me Presidentin Klinton në një Zyrë Ovale (për një mbledhje tjetër jopërfundimtare).
Çështja këtu, nuk ishte, të takoje njerëz, siç u mundova t’ia shpjegoj Holbrooke-ut. Problemi qëndronte tek fakti se, Rugova po humbiste influencën ndaj UÇK-së. Takimi i tij me Presidentin Clinton dhe me Milosheviç, nuk do të ndryshonte situatën.
Në qershor, nisa të shkoja sa në Kosovë, ashtu edhe në Beograd, në një përpjekje për të gjetur një terren të përbashkët midis Shqiptarëve dhe Serbëve, në formën e një statuti të përbashkët, që mund të ruante autonominë e Kosovës dhe të caktonte një bazë për negociata. Departamenti i Shtetit më dërgoi Tina Kaidanow, një zyrtare jashtëzakonisht profesionale, fluente në Serbisht nga detyra e saj e mëparshme në Beograd. Përfshiva në skuadër gazetarin e atashuar në Ambasadën e Shkupit, Phil Reeker. Tina dhe Phil erdhën me mua në të gjitha udhëtimet, ndërkohë Zëvendës Shefi i Misionit Paul Jones drejtoi Ambasadën në Shkup.
Bashkimi Europian caktoi gjithashtu një negociator, një diplomat inteligjent dhe të mirënjohur, Ambasadorin Austriak në Belgjikë, Wolfgang Petritsch. Ai ishte nga një vend fqinj si Austria dhe njëkohësisht, kishte origjinë nga Sllovenia. Wolfgang e njihte Ballkanin shumë mirë. Ishte kënaqësi të punoje me të. Ai kuptonte komplikacionet e historisë, pasojat e Perandorisë Osmane dhe ndikimin e kishës kombëtare në identitetin e vendit, mitizimin e Serbëve mbi Kosovën, por njëkohësisht, rëndësinë e Kosovës për Serbët. Ai ishte i zgjuar, i përkushtuar, i rafinuar dhe punonte mirë me këdo. Isha i lumtur që e kisha pjesë të ekipit dhe që kisha Europianët, si partnerë, në të gjithë procesin. Në fund, qëllimi ishte të bashkoja Ballkanin me Europën, një projekt që kishte qenë disi i dukshëm, se Bashkimi Europian, kishte nevojë të ishte pjesë e projektit.
Negociatat që po mbyllnim, unë dhe Wolfgang (gjatë itinerareve ditore të ndryshme, gjithmonë të koordinuara me telefonata dhe takime të vazhdueshme) u zhvillua në një kontekst shumë të vështirë në terren. Brenda pak ditësh, nga takimi me Clinton, rreth njëzet shqiptarë të Kosovës u vranë, si një shpagim ose hakmarrje për vrasjen e një polici Serb në Glogovac. Procesi i paqes së Dayton-it i dha fund luftës në Bosnjë, megjithatë shumë njerëz besonin se në realitet ishin sulmet e NATO-s, dhe nuk kuptohej çfarë diplomacie po ndiqnim dhe pse trupat e NATO-s nuk ndërhynin.
Diplomacia jonë shihej thjesht si një zgjatim i fuqisë sonë. Në Washington aleancat jo të zakonshme midis liberalëve dhe neo-konservatorëve kërkonin të veprohej. Në një prej mbledhjeve, e gjeta veten përballë Paul Wolfowitz, i cili vështirë se gjente ndonjë problem që nuk e zgjidhte me ndonjë bombë, apo Mort Abramowitz, ish Drejtor i Fondacionit Carnegie, që vështirë se kishte ndonjë shtet në Ballkan që s’donte ta shihte të pavarur. Ata po bashkonin forcat, për t’i bërë presion qeverisë Amerikane, megjithëse vinin nga perspektiva të ndryshme.
Ndjesia triumfale e SHBA-së në vitet 1990 ishte e dukshme. Pavarësisht, sa guximtarë dhe të vendosur, ishte kapaciteti ynë për të zgjidhur zakonisht me forcë, ndër dekada apo shekuj historie të vështirë. Ata që nuk ishin pjesë e këtij botëkuptimi, kishin ngelur në të shkuarën, të pazotët për të kuptuar paradigmën e re të “Shekullit të Ri Amerikan”.
Kështu, Ballkani me trashëgimin e tij historike, do të ishte vendimtar në këto instrumente të së duhurës dhe të së drejtës. Rwanda do të ishte, sipas këtij këndvështrimi, kapitulli i fundit i kësaj periudhe, ku konceptet e vjetra të pavarësisë dhe interesave kombëtare kishin prodhuar pasoja shkatërrimtare. Rwanda do të vazhdonte të jetonte si një pikë memorieje e fortë për ata që nuk mund të pajtoheshin me të ardhmen.
Problemi ishte se jo kushdo e përqafonte këtë Paqe Amerikane (Pax Americana). Si fillim, francezet, kishin shqetësime rreth një vendi ( një “superfuqi”, siç e quante ShBA-në, ministri i jashtëm Hubert Vedrine), i cili evitoi miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mbi ndërhyrjet e armatosura.
Kursit të lirë që ndoqëm, vitet e para të 1990-ës i kishte ardhur fundi, sidomos kur rusët kuptuan se, respekti ynë për interesin e tyre, nuk përfshinte edhe mbajtjen e ish vendeve të Paktit të Varshavës në NATO.
Amerikanët në të majtë e të djathë, garantuan një status aq të veçantë për Amerikën sa shumë vende në botë na vendosnin ne, mbi ligjin. Tendenca jonë për të zvogëluar probleme mjaft komplekse historike në dramat morale Manikeiste nuk i joshte Europianët. S’kishte diskutime mbi suksesin e Marrëveshjes së Dayton-it, falë pjesëmarrjes Amerikane.
Por megjithëse, ne u përpoqwm për të ndarë suksesin me të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit nga Evropa, paguam një çmim atje, për zgjidhjen e rindërtimit, faturë që i takonte Evropës, ndërsa ne prisnim një tjetër luftë.
Nuk do të ishim të suksesshëm në përfundimin e dhunës në Kosovë, nëse nuk do të kishim punuar me Europianët. Nëse do të kishte një luftë tjetër, na duhej Europa, në anën tonë.
Ndërkohë që vera e pluhurosur e Ballkanit të vitit 1998-ës kalonte, po kuptoja se të vendoseshin bashkë në një tryezë, Serbët dhe Shqiptarët, dukej më i largët. Shqiptarët kishin vetëm një gjë në mendje: NATO, pra ShBA-ja të ndërhynte, ushtarakisht. Ai që ishte një konflikt me intensitet të ulët, u shndërrua në një luftë me nivel të ulët inteligjence, sepse Serbët, herë pas here, kundërpërgjigjeshin me provokime të dhunshme dhe brutale, çka dokumentohej dhe rriste, nga ana tjetër, simpatinë për rastin e Kosovës.
Për të mbrojtur popullsinë civile nga sulmet Serbe, nisa një përpjekje me Milosheviç-in, për ta bindur të pranonte një mision ndërkombëtar vëzhgimi. Ai refuzoi. “Por ju lejoni diplomatë të akredituar në vendin tuaj, për të vizituar Kosovën.”- theksova.
“Po, por ata janë diplomat të akredituar në vendin tonë. Ata nuk janë monitorues ndërkombëtarë.”
“Por, a nuk janë ata të lejuar të raportojnë çfarë shohin në Kosovë?”
“Patjetër”.
“A mund të shkojnë si grup?”
“Po, patjetër, varet prej tyre.”
“Atëherë, a mund t’i quajmë “Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës”?
“Është puna juaj si i quani”.
Më tej, u krijua misioni vëzhgues, që do të përfshinte rreth dy mijë diplomatë. Unë isha ndër të parët që e vizitoi Kosovën, me këtë status. Teksa shkoja në një rrugë në jug të Pejës, një qytet i madh në perëndim të Kosovës, kuptova arritjen e madhe të krijimit të këtij misioni. Teksa kalova një rresht me shtëpi Shqiptare të braktisura, banorët e të cilëve ishin nisur maleve, dëgjova një shpërthim të vogël pas një shtëpie, disa metra më tutje. U tërhoqa mbrapsht dhe pashë shtëpinë nën flakë. Ishte sikur Serbët po na thoshin “Përshëndetje anëtarë të misionit, vëzhgojeni këtë!”
Rugova kish qenë lideri de facto i Shqiptarëve të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe sigurisht, nën këndvështrimin tim, meritonte të trajtohej me respekt. Por, ai po etiketohej në Washington si i paefektshëm dhe më së shumti, si një person që s’kishte lidhje me armët.
Në majin e vonë, Gelbard mori një hov, duke takuar një anëtar të UÇK-së në Gjenevë, në atë kohë, kur unë dhe Holbrooke kishim një takim me Rugovën. Çështja ishte se, ne ishim lajmi i së djeshmes, ndërkohë Gelbard ishte me njerëzit e duhur. Por ndërkohë, që unë dhe Dick u drejtuam për në tokën Kosovare, para se të kthehej në SHBA, shkuam në një qytezë në jugperëndim të provincës së quajtur Junik, që kish qenë qendra e dhunës. Fshatarët na ftuan në një fermë, ku u ulëm në tokë me gota çaji Turke me sheqer të fortë, të dëgjonim atë që kishin për të na thënë njëzet fshatarët. Disa minuta më vonë, një ushtar i UÇK-së, që i ngjante Che Guevara-s u bashkua me ne, me një uniformë ushtarake kamuflazhi dhe u ul pranë Holbrooke.
Kishte shumë pak hapësirë në dhomë dhe botës që e shihnin në internet, ai dukej se ishte ulur pranë këmbëve të Holbrooke.
Ai kuptoi se megjithëse, kjo shënonte një pikë plus ndaj Gelbardit, mund t’i shkaktonte probleme me Milosheviç-in, të ngjashme me ato të Gelbardit, para disa kohësh. Holbrooke më kërkoi, të kthehesha në Beograd ditën tjetër, për të takuar Milosheviç-in dhe ta siguroja se hyrja e “Che”-s në atë dhomë ishte tërësisht e papritur.
Ditën tjetër, Milosheviç u ngrit pa dëshirë për të më përshëndetur, ndërkohë që u ulëm, më hodhi tek gjunjët gazetën dhe tha: “A e di se sa e ndërlikuar është tashmë kjo situatë për mua? Unë dëshiroj të punoj me ty dhe Deek” Siç e quajti Dick, “por njerëzit në Serbi janë të inatosur tanimë. Shumë të inatosur”.
I shpjegova se, pavarësisht asaj fotoje me ushtarin e UÇK-së, ulur pranë Holbrooke, ne nuk kishim gisht. Theksova se ndërmjetësit duhet të flasin me të gjithë palët. Ai më ndërpreu, duke thënë diçka që e dinim tashmë, se kjo nuk do të na ndihmonte as me Rugovën.
Por, më në fund dukej sikur do të lëshonte pe. Ai kishte parë edhe raportin për takimin e Gelbardit dhe arrinte të perceptonte (saktësisht) se kishte një nivel konkurrence midis Gelbard dhe Holbrooke. Komenti i tij për këtë rast ishte: “më pëlqen Deek, por për hir të karrierës, ai do të hante fëmijë të vegjël për mëngjes.”
E binda Rugovën të vinte me mua për një shëtitje nëpër Malishevo, Ostrozub, Rahovec dhe Suharek, të takonte njerëz që po ktheheshin në shtëpitë e tyre. Rugova ishte mbyllur në vetvete, ose për arsye sigurie (ato ishin gjithmonë të pranishme) ose për arsye psikologjike, për të cilat shqetësohesha më shumë. Rugova, më shumë se sa ndonjë lider i besueshëm që shfaqej nga strukturat ende të paqarta të UÇK-së, gëzonte admirimin e popullit të tij, ndaj kisha frikë për ditën që ata do ta “shkarkonin”, sikurse kishte bërë Bianca Jagger dhe ekspertë të tjerë që gjendeshin në Kosovë. Mund të shihja se, nëse Kosova do të fitonte pavarësinë nëpërmjet planeve të zgjerimit gradual të autonomisë, kjo do të garantonte forcimin e institucioneve demokratike, ose nëpërmjet një lufte të përgjithshme që po vinte, dhe një person si Rugova me staturën dhe angazhimin ndaj moderimit duhej të ishte pjesë.
E mora në makinë në 3 Nëntor, si fillim në një fshat të vogël piktoresk, Banja Malishevo. Minarja e xhamisë ishte rrëzuar nga një fushatë e tankeve dhe kufomat blegtorale që i përkisnin fshatarëve, ishin ende të kalbëta në fushë, nga një muaj më parë, kur serbët i kishin përdorur ato si objektiv për sulm. Vazhduam në një fshat të vogël në Ostrozub, ku dolëm nga rruga kryesore, e mbushur me banorë që ktheheshin duke mbajtur dhe tërhequr çantat, nga malet me pyje, ku ishin fshehur për javë të tëra. Reagimi ndaj pamjes nga ana e Rugovës ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit, si fillim hezituan ndaj shikimit të udhëheqësit të tyre për më shumë se një dekadë, u afruan dhe i hodhën krahët rreth qafës, duke e puthur në faqe. Disa e përqafuan dhe ranë në gjunjët e tij, duke e puthur në dorë sikur të ishte Papa.
Takova Milosheviç-in në zyrën e tij në Beograd. Ai ishte i inatosur, aq shumë sa nuk e përmbante dot veten. Pas dy orësh, e binda të pranonte një shkëmbim, por kishte një kleçkë. Duke këmbëngulur për shkëmbimin, ishte si të pranoje, të tjera “rrëmbime”, siç i quante ai, e ra dakord për çlirimin e Serbëve dhjetë ditë para ushtarëve të UÇK-së. Duke punuar mbi këtë çështje për orë të tëra, e di që ishte më e mira që mund të arrija, kështu që, u sigurova që ushtarët e UÇK-së do të çliroheshin.
“Kjo është marrëveshja jonë. Jemi të qartë?”
“Patjetër”, u përgjigj Milosheviç. “Keni fjalën time”.
Ky është mendim ngushëllues, mërmërita me vete. Megjithatë vendosa: Në qoftë se, do t’i çlirojë pas dhjetë ditësh, siç premtoi, do të ishte marrëveshja e parë gjatë luftës dhe do të ofronte një moment paqeje në proces. Në qoftë se jo, do të jepja dorëheqjen menjëherë. E gjeta veten duke kërkuar për rezultatet e mëvonshme.
Kishim vendosur kreun e “misionit diplomatik vëzhgues” në Tetor dhe tashmë kishim një mision të përshtatshëm të titulluar “misioni vlerësues për Kosovën”. (Verifikimi ose vlerësimi shihej shpesh si më i fortë, si një koncept më pak pasiv se sa thjesht monitorimi, megjithëse këto ndryshime tingëllonin më të rëndësishme në Washington se sa në terrenin Kosovar.) Misioni ynë ishte nën mandatin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSCE). Bill ishte ambasador i lartë i SHBA-së, me një eksperiencë të gjatë në Amerikën Qendrore. Gjithsesi, kjo nuk do të thoshte, se ai kishte njohuritë më të mira për historinë e Ballkanit, por ishte një karakter i trashë dhe i ashpër, që mund të ishte i besueshëm për të gjitha palët, në këtë armëpushim delikat.
Serbët u liruan ditën e nesërme, ndërsa Shqiptarët nëntë ditë pas asaj. Ky ishte momenti i fundit me lajme të mira. Disa ditë më vonë, dyzet e pesë banorë të fshatit të vogël Racak, u masakruan dhe trupat e tyre u hodhën në kanalet e kullimit. Masakra, më e tmerrshmja në ato muaj, u krahasua me masakrën e Srebrenicës, në Bosnjë, që kish qenë edhe shkaku i ndërhyrjes së NATO-s. Vrasësit e Racakut u denoncuan nëpër botë dhe vendosën ndërhyrjet ushtarake në një udhë pa kthim
Shqetësues ishte fakti që Serbët ishin të gatshëm për autonominë, ndërsa Shqiptarët e Kosovës nuk donin të dëgjonin ndonjë fjalë që fillonte me “A”. Kjo ishte arsyeja pse kisha shtuar fjalën interim në planin që kisha përgatitur. Milosheviç nuk kishte reaguar mirë ndaj idesë se marrëveshja do të ishte një plan pesë vjeçar, por ushtrova presion, si të ishte zgjidhja e vetme, pasi Shqiptarët nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga misioni i marrjes në dorë të territorit të tyre.
Ndërkohë, Serbët bënë të qartë se ata mund të negocionin për aspekte të një autonomie të re për Kosovën, por nuk do të binin dakord për një status “republikë”, që do ta nxirrte jashtë Serbisë. Po aq nuk ishin të gatshëm për të pranuar “trupa të huaj” në ndonjë formë implementuese.
Paqja e papërfunduar…
“Delegacioni Shqiptaro-Kosovar u kthye në Kosovë, për të përgatitur paqen dhe të bënte që edhe të tjerët në vend, të bënin të njëjtën gjë. Serbët u kthyen në shtëpi të përgatiteshin për luftë. Sikurse pritej, dhuna u rikthye në stinën e pranverës atë vit, nën vëzhgimin e Sekretares Albright. Shkova në Kosovë të takoja komandantë të UÇK-së në perëndim të Prishtinës, duke kaluar me kujdes pikat e kontrollit. Në 8 mars, isha I aftë të raportoja se UÇK-ja e kishte pranuar përfundimisht Rambujenë. Të dërguar të Presidentit Milosheviç u kthyen duke raportuar se kishte refuzuar përfundimisht Marrëveshjen e Rambujesë. Në 19 mars, në Paris, e gjithë udhëheqja e Shqiptarëve të Kosovës nënshkruan marrëveshjet, ndërkohë që Wolfgang Petritsch, unë dhe të tjerët qëndronim prapa tyre. Ishte një moment i ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht, sepse të gjithë e dinim, sidomos unë dhe Wolfgang, se në mungesë të firmës Serbe dhe me gjendjen e dhunshme që ekzistonte, do të kishte luftë. Por kishte diçka inkurajuese. Pas muajsh të tërë përpjekjesh, kishim arritur të bindnim udhëheqjen Shqiptare të bashkëpunonte, dhe kjo ishte një arritje. Mendova që ky ishte një ogur i mirë për të ardhmen, por takimi ishte një divorc nga propaganda Serbe- pasi kisha dëgjuar disa here nga vetë Milosheviç-i, se të bashkoje liderët Kosovarë ishte e pamundur. Hodha sytë nga Tina dhe Phil, dy zyrtarë të rinj të Shërbimit të Jashtëm, që në të ardhmen do të bëheshin të dy ambasadorë, dhe u buzëqesha. Ata kishin dhënë gjithçka, që marrëveshja të arrihej. Isha krenar për të dy. Washington, në gjykimin e tij kolektiv, vendosi se ne duhej të bënim një përpjekje më shumë, dhe i kërkoi Holbrooke-ut të kthehej në Beograd, të takonte Milosheviçin. Marrëdhëniet e mija me këtë të fundit, ishin përkeqësuar, nën dritën e Rambujesë. Vizita në Beograd, pas sugjerimit të Sekretares Albright dhe Jamie Rubin, kishte shkuar keq. Më pas, më dërguan sërish në Beograd, duke parashikuar për këtë propagandë refuzimin e Milosheviç-it për të më parë, sikurse bëri, e duke më dërguar ministrin e tij të jashtëm fshatar. Holbrooke, unë, bashkë me një delegacion nga Washington-i u takuam me Milosheviç-in në mbrëmjen e 22 Marsit. Ai ishte me një humor të zi, më e pakta që mund të thuhet.
“Ju jeni superfuqi. Nëse doni të thoni se e Marta është e Mërkurë, ju mund ta bëni këtë. Nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët”.
Kaluam orë të tëra në përpjekje për një zgjidhje mbi përfshirjen e NATO-s, sipas Marrëveshjes së Rambujesë, por ishte e pamundur. Milosheviç-i dhe Serbët e tjerë nuk ishin të gatshëm të pranonin trupa të huaj. Milosheviç-i na kish thënë se, përfshirja e trupave të NATO-s në strukturat e Kosovës i takonte parlamentit Serb, Skupstina, që do të mblidhej mëngjesin e 23-it. Atë natë, unë dhe Holbrooke diskutuam mbi zgjidhjet e mundshme, por të dy, ishim të mendimit se asgjë s’do ndodhte. Megjithatë, menduam të qëndronim atë mëngjes. Pas një sërë fjalimesh të frikshme kundër NATO-s nga deputetët, Skupstina iu përgjigj negativisht pyetjes mbi ftesën e trupave të NATO-s. Shkuam në aeroport pasditen e vonë të 23 Marsit. Tina, Phil dhe unë përgatitëm një avion të vogël, për në Shkup, ku do të përmblidhja detyrat e mija si Ambasador. Holbrooke dhe të tjerët morën një avion për në Budapest, nga ku do të niseshin për në Shtetet e Bashkuara. Ambasada jonë në Beograd, u evakuua po atë ditë. Tina, që kishte punuar më parë në Beograd dhe njihte disa prej punonjësve të aeroportit, u dha lamtumira të përlotura. Nëntëdhjetë minuta më vonë,arritëm në kryeqytetin e Maqedonisë, ku fytyrat miqësore të punonjësve të aeroportit ishin të trishtuara, nga mundësia e një lufte në kufijtë e tyre. Mëngjesin tjetër, mbyllëm ambasadën, duke riparë procedurat dhe duke kërkuar më shumë ndihmë nga policia lokale. U ula në tryezën time, për të bërë një telefonatë të fundit ndihmësit të ministrit të jashtëm të Milosheviç-it, Bojan Bugarcic, si një mundësi e fundit. Ai më tha, “Ne nuk do të jemi më në kontakt për një kohë shumë të gjatë. Ju urojmë të mirat”.
Në 24 Mars bombardimet filluan.