Falimenton kompania e njohur e veshjeve, simboli i femrave të pavarura!
Faqja online e veshjeve, “Nasty Gal”, ka shpallur falimentin si pjesë e strategjisë së saj për të kaluar telashet financiare të nisura prej 2 vitesh. Kompania është një sipërmarrje e Sophia Amorouso-s, 32-vjeçares së cilësuar si një nga 30 femrat miliardere që e kanë arritur këtë pasuri vetë.
Amorouso ka vendosur të mbajë të premten një konferencë, ku do shprehë të gjithë rrugëtimin e saj deri tani, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ajo ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i drejtueses ekzekutive të kompanisë, teksa kalon nëpër procesin e ristrukturimit.
“Vendimi ynë për të nisur një proces që do të monitorohet nga gjykata, do na ndihmojë të zgjidhim problemet që lidhen me aftësinë tonë paguese duke ulur kostot dhe duke shlyer detyrimet. Shpresojmë që të ruajmë shërbimin cilësor dhe produktin për të cilin krenohemi në treg”, u shpreh një përfaqësues i kompanisë.
Dy vite më parë, “Nasty Gal” është përballur me shkurtim të vendeve të punës si një strategji për të dalë nga situata e veshtirë ekonomike, ndërkohë që duket se këtë herë drejtuesit kanë zgjedhur të shpallin falimentin si formën më të mirë.
Firma e njohur është një produkt i sipërmarrëses Sophia Amorouso, i cili u ngrit kur ajo ishte vetëm 22 vjeçe. Pas një jete të vështirë në rrugë, pa familje dhe shpeshherë edhe duke vjedhur, Sophia vendosi të niste këtë faqe, që shumë shpejt u bë një simbol i femrave të pavarura dhe të lira. Libri i saj “#Girlboss” u kthye në një best-seller nderkombëtar.