Fjalori ”Shqip-Suedisht”, tashmë pjesë e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar
Sadulla Zeneli – Daja, i dhuron Muzeut Kombëtar punën e tij madhore, një fjalor 35 mijë fjalësh Shqip-Suedisht.Në gjithë botën skandinave, ai njihet thjesht dhe shkurt si “Daja”. Por emri i tij i vërtetë është Sadulla Zeneli.
Me 15 libra të botuara në prozë e poezi, Sadulla Zeneli njihet dhe si hartuesi i disa fjaloreve ku më i rëndësishmi është ai “Shqip-Suedisht” me 35 mijë fjalë. Këtë vepër madhore, por dhe shumë të tjera nga krijimtaria e tij, Sadulla Zeneli ia dhuroi dhe bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.
Personaliteti i madh shqiptar në botën skandinave, u prit nga drejtori i Muzeut Kombëtar, Melsi Labi. Mes tyre u zhvillua një bisedë miqësore, ku drejtori Labi vlerësoi jo vetëm dhuratën e “Dajës”, por dhe krijimtarinë e tij në përgjithësi dhe kontributin në çështjen shqiptare.
“Fjalor Shqip–Suedisht”, është një studim që i ka kushtuar më shumë se 8 vite pune autorit. Fjalori përmban fjalë dhe shprehje të leksikut të përgjithshëm dhe të veçantë të gjuhës shqipe me përkthimet përkatëse në gjuhën suedeze. Fjalori përmban 35 000 fjalë të ligjërimit të përditshëm, të cilat janë pajisur edhe me sqarime të nevojshme të shpërndara në 1512 faqe.