Jonathan FREEDLAND: SHBA zgjodhi liderin e vet më të rrezikshëm, kemi plot për t’u frikësuar
Menduam se Shtetet e Bashkuara do të zmbrapseshin nga humnera. Ne besuam dhe sondazhet na bënë që të ndjehemi të sigurtë se amerikanët, në fund, nuk do t’ia dorëzonin detyrën më të pushtetshme në tokë një fanatiku të paqëndrueshëm, një grabitqari seksual dhe një gënjeshtari të pandreqshëm.
Njerëzit kudo në botë kanë parë dhe pritur, përgjatë tmerreve të njëpasnjëshme të fushatës elektorale të vitit 2016, duke besuar se “makthi Trump” do të kalonte. Por sot, Shtetet e Bashkuara – vendi që e ka parë vetën që nga lindja e tij, si një fanar që do të frymëzonte botën, një shoqëri që e vlerëson veten si “shpresa e fundit më e mirë në tokë”, kombi që u duk se po përulte harkun e historisë drejt drejtësisë, ashtu si Barak Obama mbahet mend ta ketë thënë si këtë mëngjes tetë vjet më parë – ka ecur në humnerë.
Sot, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë jo si një burim frymëzimi për pjesën tjetër të botës por si një burim frike. Në vend të nderonte presidenten e vet të parë femër, duket se ka vendosur ta dorëzojë pushtetin mrekullueshëm të detyrës së vet më të lartë një njeriu që përshfaq injorancën e tij, racizmin dhe mizogjininë. Dikush që e njeh mirë e përshkruan atë si një sociopat të rrezikshëm.
Dhe çfarë pushteti të paparë do të ketë ai së shpejti. Republikanët nuk sfiduan pothuajse çdo projektim, parashikim dhe model kompjuterik të dhënash për të fituar presidencën. Ata fituan gjithashtu Dhomën e Përfaqësuesve dhe pjesën më të madhe të Senatit. Trump do të përballet me më pak kontroll ndaj tekave të tij. Një njeri që nuk kontrollon dot impulse e veta do të jetë i pakufizuar, pushteti i një superfuqie në shërbim të egos dhe idit të tij.
Ndikimi më i madh i dukshëm do të jetë në vendin që së shpejti ai do të drejtojë. Vetëm mendoni për ato që ai ka premtuar. Një forcë deportimi që do të rrethojë e dëbojë 11 milionë emigrantë pa dokumente që përbëjnë 6 për qind të forcës amerikane të punës. Një ndalim të të gjithë muslimanëve për të hyrë në vend, të cilin më pas e zvogëloi në një zotim për të vendosur “skanim ekstrem” të të gjithë atyre që vijnë nga ndonjë tokë e dyshimtë. Një mur gjigand për të vulosur kufirin meksikan. “Forma ndëshkimi” për gratë që kërkojnë abortin, dhe burg për gruan që sapo mposhti.
Njerëzit do të thotë se të gjitha këto ishin thjesht fjalë. Por ata e thanë këtë përgjatë gjithë fushatës, duke këmbëngulur se Trump do të “ndryshonte” drejt një qëndrimi më të moderuar, që ai do të shndërrohej në më shumë “presidencial”. Ai asnjëherë nuk e bëri këtë. Dhe me siguri ai do ta shohë këtë fitore si provë se ai ka pasur gjithnjë të drejtë, se instiktet e tij janë perfekte dhe se nuk duhen sfiduar kurrë. Nuk kaa rsye që të moderohet. Detyra që ka mbajtur Thomas Jefferson, Abraham Lincoln, Franklin Roosevelt dhe John F Kennedy është tashmë koshi i tij. Ai mund të bëjë atë që i pëlqen.
Kjo do të jetë, fillimisht, përvoja e parë e hidhur e Amerikës. Por që do të na ndikojë të gjithëve. Një yll televiziv i shfaqjeve reality pa eksperiencë si në politikë apo në ushtri do ta ketë butonin bërthamor si lojën e vet. Ky, mbani mend, është njeriu që raportohet se pyeti disa herë gjatë një konference ushtarake përse Shtetet e Bashkuara nuk i përdorin armët bërthamore përderisa i disponojnë ato. Ky është njeriut që ka thënë “e dua luftën”. Propozimi i të cilit për të zgjidhur problemin ISIS është “t’i bombardojmë derisa t’i shfarosim” dhe të vjedhim naftën.
Mendoni për ankthin e këtij mëngjesi në Riga, Vilnius apo Tallinn. Gjatë verës, Trump tha për “New York Times” se ai nuk besonte në vlerat themelore të NATO-s: se një sulm ndaj një vendi anëtar, duhet të gjejë përgjigjen e gjithë të tjerëve. Ai dukej se e shihte NATO-n si një dallavere e mbrojtjes mafioze: nëse miqtë e vegjël nuk paguajnë, ata duhen lënë pa mbrojtje.
Vladimir Putin – heroi i Trump, i admiruar si modeli i vërtetë i liderit nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara – nuk ka nevojë për më shumë sinjale sesa kaq. Diktatori rus me siguri do ta kapë mundësinë për të pushtuar një apo më shumë shtete balltike për të zgjeruar perandorinë e tij. Presidenti Trump vetëm sa do të admirojë sjelljen prej maçoje të një lëvizjeje të tillë.
Një luftë tregtare me Kinën varet në horizont, vendosja e tarifave që do të vinin në rrezik të gjithë sistemin global të tregtisë. Amerika është në prag të kthimit pas, drejt proteksionizmit. Tregjet që tashmë e kanë përcjellë verdiktin e tyre në lidhje me këtë. Ato u ulën.
Po çfarë mund të themi për planetin tonë? Trump beson se ndryshimet klimaterike janë një rreng i kryer nga kinezët. Ai nuk do të bëjë asgjë për të reduktuar çlirimin e gazrave: ai nuk beson se ato ekzistojnë.
Por, përtej të gjithë kësaj, ka një tjetër pasojë të këtij vendimi të tmerrshëm, jo më pak i errët. Suksesi i Trump ka gëzuar nacionalistët e bardhë dhe racistët në vendin e tij dhe përtej tij. Fitoret e tij në shtetet kyçe të betejës, u përshëndetën nga David Duke, një ish-mendimtar i Ku Klux Klan: “Zoti e bekoftë Donald Trump,” shkroi ai në Twitter. “Ka ardhur koha ta rimarrim Amerikën”. Nacionalisti holandez, Geert Wilders ishte në një humor të ngjashëm: “Njerëzit po rimarrin në dorë vendin e tyre”, tha ai. “Kështu do të bëjmë edhe në”. Marine Le Pen do të ndjejë të njëjtin ngazëllim, si çdo populist apo nacionalist tjetër që jeton në urrejtje.
Për shkak se e kanë parë pushtetin e mesazhit të ngritur mbi frikën dhe urrejtjen. Nuk është mjaftueshëm të thuhet se e gjitha kjo erdhi edhe nga ankthi për ekonominë të atyre që janë lënë mënjanë, edhe pse një gjë e tillë qartë luajti rol në fitoren e shteteve të caktuara për Trump. Por është një shpjegim i paplotë për shkak se Trump nuk fitoi vetëm me këto vota. Ai fitoi 63 për qind të burrave të bardhë dhe 52 për qind të grave të bardha. Jo të gjitha ata ndjeheshin të lënë mënjanë. Shumë prej tyre ishin njerëz të tërhequr nga një mesazh që ishte, pjesërisht dhe sidoqoftë, pak i mbuluar, për rivendosjen e privilegjeve të të bardhëve.
Kush duhet fajësuar? Lista është kaq e gjatë, që nga Partia Republikane deri tek media, që nga kompanitë e sondazheve dhe të diturit e të dhënave që e kuptuan kaq gabim deri tek ekipi i fushatës së Clinton që i kujtuan të marra bastionet e dikurshme të demokratëve, përfshirë vetë Clinton, e cila me gjithë pushtetin që kishte, ishte një kandidate me të meta.
Mund të fajësoni çdokënd prej tyre, por në një ditë si kjo kujt po i bie ndër mend për fajin? Vendi më i pushtetshëm në botë do të drejtohet nga lideri i vet më i rrezikshëm ndonjëherë, një figurë që mund të dilte nga ndonjë tekst shkollor që tregon për historinë më të errët të shekullit të 20-të. Mbajtësi në kohë lufte i kësaj detyre që në janar do të jetë e Trump, dikur u tha amerikanëve se nuk “kishin asgjë për t’u frikësuar veçse vetë frikës”. Kjo nuk është e vërtetë sot. Amerika dhe ne, pjesa tjetër, kemi shumë për të pasur frikë – duke nisur nga njeriu që tani qëndron në krye të botës.
*Jonathan FREEDLAND është gazetar britanik që shkruan një kolonë të përjavshme për “The Guardian”. Ai është kontribues i rregullt edhe për “The New York Times” dhe “The Neë York Revieë of Books”. Ai u zgjodh “kolumnisti i vitit” në 2002.
Përktheu: Juli Prifti