Letra që Nixoni i shkruante Trumpit në 1987: Do t’i fitosh zgjedhjet
Pothuajse 30 vjet më parë, Richard Nixon (presidenti amerikan 1969-1974) i shkroi një letër manjatit të pasurive të patundshme Donald Trump në të cilën parashikonte se në qoftë se ndonjëherë do të vendoste të “kandidonte për president”, do të ishte fituesi, raporton “New York Daily News”.
Letra mban datën 21 dhjetor 1987. Në të, presidenti amerikan tregonte se gruaja e tij Pat Nixon ishte “tërhequr” nga fjala e Trump në një shfaqje televizive, i prezantuar nga Phil Donahue, në të cilën presidenti i sapo zgjedhur foli për problemet me të cilat përballej vendi dhe si duhet të zgjidheshin ato.
Në letër, Nixon shkroi: “Unë nuk e pashë programin, por zonja Nixon më tha se ishit i mrekullueshëm”. Ai i shpjegoi se gruaja e tij është “eksperte në politikë dhe parashikon se nëse vendosni të kandidoni për president, do të fitoni”.
Letra është nënshkruar thjesht me akronimin RMN (Richard Milhous Nixon).
Ekzistenca e kësaj letre u zbulua në vitin 2015 në një biografi të shkruar për miliarderin, tashmë presidenti i sapozgjedhur, me titull “Nuk është kurrë e mjaftueshme” (Never Enough), shkruar nga Michael D’Antonio.
Letra e Nixonit është bërë e famshme së fundmi pas zgjedhjeve kur dhe Trump doli fitimtar duke marrë 279 votat e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor përballë 228 të marra nga Hillary Clinton.