Hafize Elshani: Unë jam askushi, por gjithsesi ju sfidoj
Quhem Hafize Elshani dhe flas në emër të drejtësisë. Jemi një grup i vogël që përbëhet vetëm nga unë. Ndoshta për disa dukem shumë e vogël, por unë jam këtu që ta ngrë zërin tim për t’u thënë ju të rriturve që patjetër t’i ndryshoni mënyrat e drejtësisë. Apeli im sot nuk ka axhendë të fshehur, unë jam duke luftuar për të ardhmen time, të familjes e shtetit tim dhe të botës sonë.
Humbja e ardhmërisë sime, të fëmijëve tanë, të familjes nuk është njësoj sikur të humbësh zgjedhjet ose si humbja e disa pikave në tregun e aksioneve.
Sot unë flas për të gjithë brezat e sotëm dhe të ardhshëm, flas për fëmijët e uritur të botës dhe jo vetëm për ata të vendit tim, sepse thirrja e tyre nuk është dëgjuar askund dhe asnjëherë.
Kam frikë të dal në diell për shkak të vrimave në ozon, kam frikë të thith ajrin, sepse nuk e di çfarë përbërjesh kancerogjene ka në të.
Dikur fëmijët peshkonin në fshatin tim Baicë, por sot atje mund ta gjesh vetëm ndonjë peshk kanceroz nga ajri që ndotet nga ferronikeli duke mos vënë filtrat dhe duke mos pas kurrfarë kujdesi për mjedisin. Kështu po ndodh edhe në botë siç është në Vancouver apo në vende të tjera të industrializuara, që janë edhe ndotësit më të mëdhenj.
Në jetën time si fëmijë kam ëndërruar si çdo moshatar që sot ëndërron të shikoj kopetë e mëdha me kafshë të egra, ndërsa sot ato i vrasin dhe çdo herë zhduken më shumë, kjo botë gjithë e më tepër po më frikëson.
Por tani pyes veten: A do të egzistojnë që edhe fëmijët e mi t’i shohin të gjitha këto që ndodhin para syve tanë dhe në ende veprojmë sikur kemi kohë dhe sikur i kemi të gjitha zgjedhjet!
Unë jam vetem një dhe nuk kam forcë dhe zgjedhje të tjera.
Por dua të them që as ju nuk i keni! Nuk dini si t’i rregulloni filtrat e një fabrike, ndrësa bota mban mbi krye vrimat kërcënuese të ozonit.
Nuk dini si ta ktheni prapë peshkun, nuk mund t’i ktheni sërish malet e gjelbërta, të cilat tani janë si shkretëtira të pafund.
Ju mund të jeni përfaqësues të qeverive të ndryshme, njerëz të bizneseve, organizatorë ose politikanë, por nga ana tjetër ju jeni gjithashtu edhe prindër, motra dhe vëllezër, teze e dajë dhe të gjithë ju jeni familja e dikujt… Unë jam vetëm një, por e di fare mirë se krejt bota është thjesht një familje.
Në zemërimin tim unë nuk jam e verbër dhe në frikën time nuk tutem t’i tregoj botës si ndjehem, si jetoj ankthshëm çdo muajm vit dhe dekada me radhë
Në vendin tim ne bëjmë aq shumë mbeturina, ne blejmë dhe hedhim ku të mundim, hedhim dhe blejmë pa menduar se mjediset e gjelbra dhe krejt natyra bëhet më e vogël, më imcake dhe më e padurueshme për të jetuar.
Në vendin tim, në vendin tënd, në krejt planetin thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Këta të parët nuk ndajnë asgjë për të varfërit ose bëjnë sikur ndajnë. Mandej edhe kur ka më shumë se sa duhet, sërish nuk shpërndahet diçka nga pasuria dhe të ardhurat marramendëse
Sot unë mund të jem një fëmijë i uritur i Somalisë ose një viktimë e luftës në Lindjen e Mesme, mund të jem pa duar e këmbë nga Siria, pa shtëpi, pa ujë e bukë nga Azia, mund të jem e vdekur në burg pa ditur askush si ndodhi, mund të burgosem për krimet që dikush tjetër i bën, mund të vdes e policia mos të tregoj realitetin; kjo ndodh në Kosovë, por mund t’i ndodhë një lypësi në Indi apo një varfanjaku në Shqipëri.
Të gjitha ato para të harxhuara në luftëra e konflikte, ndërsa mund të shpenzoheshin duke kërkuar zgjidhje më të mira për mjedisin, për mbarimin e varfërisë dhe atëhere çfarë vend i mrekullushëm kjo botë do ishte!
Në shkollë, madje edhe në kopshte ju na mësuat e na mesoni si të sillemi me botën, si të jemi të edukuar, të sjellshëm, të drejtë, atëhere pse dilni jashtë këtij morali që ne na thonit kurrsesi mos t’i bëjmë?
Prindërit gjithmonë i ngushëllojnë fëmijët e tyre duke u thënë se nuk është fundi i botës, por nuk besoj që mund të tvazhdojmë ta themi më kështu.
Bota është në rrezik, nga mjedisi, nga politika, jo nga vetëm nga dyshja Putin-Tramp, por nga vetë kasta politike që gjithçka e ka kthyer në biznes e jo demokraci, që gjithçka është shndërruar në demonkraci. Bota po na braktis dhe po ashtu shteti im Kosova po na lë përball saj të zhveshur e të pa mbrojtur.
Ju lutem veprimet tuaja të pasqyrojnë falët tuaja.
Unë jam askushi, por gjithsesi ju sfidoj.