Hasan Prishtina: Sjelljet e Greqisë kundrejt Shqipërisë
Sjelljet e Greqisë kundrejt Shqipërisë
Në Ballkan gjenden dy kombe që nga shumë pikëpamje interesat e tyre bashkohen dhe afrimi ndërmjet njëri-tjetrit është jo vetëm një çështje vitale për të dy anët, por sidomos për ekuilibrin e Ballkanit. Këto dy kombe janë shqiptarët dhe grekët.
Shqiptarët gjithmonë kanë patur dëshirë të shkojnë mirë me të gjithë fqinjët, por për fat të keq grekët aspak nuk kanë dashur të afrohen. Sikundër dihet diplomacia greke, deri vonë, jo vetëm që ka qënë kundra Shqipërisë, por edhe është munduar me mish e me shpirt për prishjen edhe për shkatërrimin e shtetit shqiptar; fatmirësisht nuk ka mundur ta arrijë këtë qëllim të dobët e të rrezikshëm, jo vetëm për ne, por edhe për ata vetë. Për të thënë të drejtën duhet të dëshmojmë se midis diplomatëve të Greqisë ka patur një pakicë burrash shteti që kanë ushqyer një dëshirë të nxehtë e të sinqertë për të shkuar mirë me Shqipërinë; por pasi për Epirin ka patur një shkëndijë të fortë nuk kanë guxuar të dalin sheshit e të punojnë për realizimin e bindjes së tyre. Ka ca kohë tani që jo vetëm largpamësit, por edhe ata që kujtojnë se puna e Epirit është një ëndërr për Greqinë; pra në vënd që të kujtohen për shkëputjen e tij ose për autonominë e kësaj pjese të pandarë të shtetit shqiptar, gjoja që është e pamundur e fare e kotë, u bindën se është punë e dobishme të shkosh mirë me Shqipërinë e duke marrë parasysh la venerinë e Ballkanit e shohin të domosdoshme që duhet bërë një afrim me Shqipërinë.
Qeveria shqiptare është treguar me vepra se është shumë tolerante kundrejt grekëve që banojnë në Shqipëri, e asnjë shqiptar musliman a të krishterë nuk e preferon para këtyre; të gjitha të drejtat e pakicave ua ka dhënë prej kohësh: kanë shkolla në gjuhën e tyre etj, etj. Pra, edhe ne kemi të drejtë të kërkojmë prej Greqisë sjellje reciproke për shqiptarët që banojnë në Greqi dhe sidomos për çamët. Duhet Greqia t’ua japi edhe shqiptarëve të drejtat e pakicave sikundër ua dha bullgarëve që banojnë në Greqi.
Sapo të plotësohen këto kushte nga ana e Greqisë, nuk mbetet më asnjë shkak për mosmarrëveshje midis këtyre dy kombeve, që janë më të moçmit e Gadishullit të Ballkanit, e që kanë patur një lidhje historike prej më shumë shekujsh: gëzimet dhe mjerimet i kanë kaluar bashkë. Pra, për çfarë këta fatosa të Ballkanit të mos bëjnë një lidhje e të punojnë së bashku? Pse të mos merren vesh? Pse të mos bëjnë një aleancë ndërkohë që interesat e të dy shteteve shkojnë paralel? Është një faj politik mos t’i japësh rëndësi kësaj çështjeje e mos të kërkosh rrugën për ta realizuar këtë nevojë. Ky mendim e kjo dëshirë, që sot duket ëndërr, me pak mirëdashje nga dy palët edhe me pak përpjekje e mundim, jam i bindur se ka për t’u zgjidhur.
Dy-tre muaj më parë, për një punë private, shkova në Athinë, e u takova me shumë deputetë që kanë një pozitë me rëndësi në parlamentin grek, e me shumë burra shteti, fola gjërë e gjatë për një afrim të ngushtë ndërmjet të dy kombeve. Nga bisedimet që rrodhën kujtova se atje ka një frymë të fortë për të shkuar mirë me Shqipërinë, madje disa prej këtyre shfaqën mendimin për një konfederatë ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Kur u ktheva në Shqipëri u hoqa vrejtjen disa ministrave në kuadrin e këtyre ideve e privatisht iu luta për t’u kujdesur për këtë punë që intereson shtetin shqiptar thellësisht.
Me shumë punë e provë, sidomos me të lëshuarin nga ana e Greqisë të 14 katundeve pa kurrëfarë kundërshtimi tregon qartazi se grekët e sotëm nuk janë ata që ishin në 1912-ën. Kjo ndodhi, tregon plotësisht se grekët dëshirojnë të jenë në marrëdhënie të mira e miqësore me Shqipërinë. Unë duke marrë parasysh interesat jetësore të Shqipërisë, me anë të të kësaj po u bëj thirrje të nxehtë gjithë intelektualëve atdhetarë për të hapur një fushatë shtypi e për të përkrahur këtë mendim deri sa të bindet e të fitohet opinioni publik edhe kështu kjo që sot i duket njerëzve ëndërr, të bëhet realitet.