Betimi i Hipokratit
Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim;
Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim;
Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i
rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e
mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas
Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër.
Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të
pacientëve të mij, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë.
Nuk do t’i jap një bar vdekjeprurës askujt që do ta kërkojë atë, dhe as nuk do t’ia
sugjeroj dikujt këtë gjë. Po ashtu, nuk do t’i aplikoj asnjë gruaje një mjet që shkakton
abortin.
Do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dlirësi. Nuk do të merrem me
kirurgji, madje edhe tek pacientët që vuajnë nga gurët, por do ta lë që këtë punë ta bëjnë
atyre që iu vjen ndoresh.
Në çdo shtëpi që të hyj, do të hyj vetëm në të mirë të të sëmurit, duke qëndruar
larg prej çdo padrejtësie dhe të pabëre, e sidomos prej akteve seksuale mbi trupat e grave
dhe të burrave, qofshin këta njerëz të lirë, apo skllevër.
Çfarëdolloj gjëje që do të dëgjoj gjatë një mjekimi, apo edhe që nuk ka lidhje me
mjekimin, për sa iu takon jetës së personave e që nuk duhet të nxirret në pazar, këtë gjë
do ta mbaj për vete, duke ruajtur fshehtësinë e plotë.
Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe
profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e
dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm.