Albspirit

Media/News/Publishing

Të fshehtat e ‘Rrugës së Durrësit’, motrat seksi polake që çmendën djemtë e Tiranës

Viteve të diktaturës, ajo ishte një nga rrugët më të famshme të Tiranës. Një famë që vazhdon ta mbajë edhe sot, por atëherë ishte e famshme jo vetëm sepse buzë saj ngriheshin përfaqësi diplomatike, por të famshme e bënin dhe dyqanet me shitësit që vazhdonin të ndiqnin “modën e vjetër” të përshëndetjeve me zonjë e zotëri, me lepe e peqe, edhe pse ishin hequr nga fjalori.

Të famshme e bënin këtë rrugë personalitetet që banon në pallatet e ngritura buzë saj, artistë e futbollistë. Për ata që jetuan rininë në vitet e diktaturës, të paharruara edhe motrat bionde, polaket e bukura, për të cilat djemtë bënin gjithfarë marrëzish, edhe pse ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit. Bëhet fjalë për Rrugën e Durrësit, e quajtur për njëfarë kohe si “Kongresi i Përmetit”. Idenë për të bërë një rrugë qendrore moderne e funksionale, me aks lindje-perëndim, me hyrje nga “Zogu i Zi”, nga të dalloheshin qartë Sahati e Xhamia e Et’hem Beut si simbolet e kryeqytetit, e dha Mbreti Ahmet Zogu. Ajo do t’i shërbente gjithashtu edhe familjes së tij për të shfrytëzuar plazhin dhe vilën në bregdet.

Ambasada Polake
Ambasada Polake

Kjo rrugë apo zonë, pas viteve 60-70’ me pikë referimi “Florën” filloi të frekuentohej gjerësisht nga rinia e Tiranës, madje u shtri deri te “Zogu i Zi”, për historinë e së cilës e ka treguar me shumë interes e të detajuar prof. Y.Pango në librin e tij, “Zogu i Zi”. Ndërtimi i pallateve në zonën e “Florës” filloi në fund të ’50-s dhe në vitet e para të ‘60-s, disa ishin përfunduar e me banorë, kurse në vitin 1964 me rastin e 20-vjetorit të Çlirimit, thuajse i gjithë blloku kryesor ballor ishte i banuar. Arkitekti i tyre ka qenë inxhinier Ibrahim Prushi, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Torino, i cili i dha shumë rëndësi paraqitjes së jashtme pallateve të vendosura në krah të rrugës si i vetmi arter që lidhte Aeroportin e Rinasit me Tiranën, ku do të kalonin në veçanti të huaj. 

NGA “GASTRONOMI”, TE “PARFUMERIA” DHE “MALEV”

Quhej “Gastronomi” dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe në formë trekëndëshi, një “ushqimore” multifunksionale në të majtë kur fillonte rruga. Përballë saj “Parfumeria” e famshme, në të cilën kryeqytetasit blinin kolonjë me shishe ose të hapur. Një pastiçeri e madhe që vinte pas “Parfumerisë”, për të vijuar me “Gjellëtoren”, “Rrobaqepësinë” dhe agjencinë ajrore hungareze “Malev”.

Shumë afër tunelit të dytë, kjo agjenci udhëtimi ishte e vetmja që i lidhte shqiptarët me botën, madje kush futej aty kuptohej se do të merrte një biletë avioni dhe do të dilte jashtë shtetit, pra ishte i privilegjuar. Kujtimi, shoferi i agjencisë, ishte njeriu që e kishin dhe kishte mik të gjithë banorët e zonës.

Fillimi i Rruges se Durresit
Fillimi i Rruges se Durresit

SALLAMERIA E GAZHELËVE

I përfshirë në bllokun me disa dyqane të tjera, poshtë pallatit të parë majtas, menjëherë pas “Gastronomit”, ai mori famë jo vetëm për atë çfarë tregtonte, por për popullaritetin e miqësitë që kishin Gazhelët me sportistë e artistët. Fat Gazheli, një çiklist i njohur, mblidhte kryesisht ata të volejbollit të Partizanit, si Dash Fagu, Ylli Tomorri, Bert Borova etj.

Madje, para takimeve të rëndësishme në kohën e rivalitetit të madh të kohës me Dinamon, kur trajneri Kona kalonte dhe i shihte lojtarët e tij tek rrinin aty, ishte i qetë, pasi e trajtonte si një formë grumbullimi qëndrimin e tyre së bashku. Të shumtë janë ata që i kujtojnë radhët e gjata për sallam, kryesisht për atë 140 lekësh, apo “Turist”, ndërsa në banak bashkë me Xhavit Gazhelin shërbente edhe shitësi tjetër Jaho Pronja.

NË MESNATË PËR “MIFA” APO “ROBUSTA”

I kujtoni dyqanet në gjatësinë e pallatit që lidh Ambasadën Kubaneze me Gjykatën e Tiranës? I pari ishte ai “Fruta Perime”, një “Mapo veshmbathjesh”, deri në kulmin tjetër të tij me dyqanin e njohur, pasi aty janë shitur biçikleta, motobiçikleta, motorë, pastaj televizorë e frigoriferë dhe më pas ka shërbyer si dyqan riparim shërbimi për televizorë.

Për të blerë biçikletat e markës “Mifa” e “Robusta” për meshkuj e femra, shumë të preferuara asokohe, njerëzit zinin radhë pas mesnate dhe me lista në dorë prisnin të hapej dyqani. Aty janë shitur edhe motorë “Java” 250 cc, që kushtonin 5400 lekë. Pastaj televizorë prodhim URT e frigoriferë “Obodin” apo “Ingnis”, 4500 lekë.

ish amabsada jugosllave
Ish ambasada jugosllave

“TRIKOTAZHI” DHE GOLFËT AKRILIKË

Më shumë se i famshëm dhe me emër të madh, i njohur për prodhimin e trikove me dhe pa golf, ose golf fals, ishte “Trikotazhi”, një punishte e madhe në krahun e djathtë dhe në katin e parë të pallatit në hyrje të rrugës dytësore, “Mine Peza”. Radhët për një golf me porosi ishin të jashtëzakonshme.

Mjaftonin 300 gr. lesh akrilik me një çmim modest për të ndjekur modën. Për shumë vite ajo punishte ka funksionuar me intensitet të madh dhe i ka veshur gjithë shqiptarët me triko e golfë. Kur hapej dera, numri i madh i njerëzve që ishin në radhë merrte përpara edhe banakun. Të kishe një punonjës mik te “Trikotazhi” ishte një favor i rëndësishëm.

DEMNERI, UNIKAL PËR KOHËN

Edhe sot, ai dyqan bulmeti kujtohet dhe mban emrin mitik “Demneri”, në katin e parë të ndërtesës që vjen pas “Florës”, madje në shpinë me të, ku kanë jetuar familja e Safa Vokopolës, Shaban Lundrës. Në të parë ishte një dyqan si gjithë të tjerët, por e bënte të veçantë njeriu që i dha emër, shitësi Zyhdi Demneri. Demneri ka qenë i vetmi shitës apo tregtar jo vetëm i sjellshëm, i edukuar, pa fjalë, por që çdo klienti i drejtohej me shprehjen “Ç’urdhëroni zonjë, si urdhëroni zotni, Peqe, faleminderit etj.”. I paharruar, një person më shumë se autentik për atë rrugë, për atë brez, ashtu si edhe shitësi i “Fruta Perime” Sadik Muka apo Xha Sadiku, ngjitur me të.

PUNISHTJA, “KËPUCË ME POROSI”

Një tjetër punishte që mori emër dhe pati një fluks të madh për sa kohë funksionoi në atë rrugë ishte ai “Këpucë me porosi me mbrapshtina”. I vendosur në kryqëzimin e dytë (pastaj u transferua ngjitur me “Trikotazhin”), punishtja e këtij formati u jepte mundësinë shqiptarëve të porosisnin këpucë, por me një kusht, duke dorëzuar mbrapshtinat e një palë këpucëve të tjera jashtë përdorimit.

kafe Flora 19630001

Pasi vendosje këmbën mbi një letër, një punonjës të merrte masën me një laps dhe ti zgjidhje modelin e këpucëve. Kushtonin 750 lekë dhe ato u përhapën gjerësisht jo vetëm në Tiranë, por mbarë Shqipërinë. Për të përballuar kërkesat punohej me tre turne nga specialistët më të mirë që ishin në qarkullim.

Të kishe një palë këpucë me tegel sipër, sipas modeleve italiane, ishte një preferencë për meshkujt modernë të kryeqytetit. Jo vetëm banorët e lagjes, por edhe të tjerë banorë të vjetër të Tiranës e kujtojnë ushqimoren me peshoren në mes, me shitëse Pinën, dyqanin “Fruta Perime”, i pari te pallati pas legatës kubaneze, që vijonte me “Veshmbathjen e madhe”, apo “Mapo”-n pas Demnerit (që kishte dyndje kur njerëzit informoheshin se ishte furnizuar). Por edhe berberhanen me dy berberët popullorë Suatin e Besim Kastratin, “Permanentin”, “Farmacinë Nr.3” me Xhelal Rusin e Naz Alibalin, Arkën e Kursimit dhe dyqanin e bukës me shitëse Lenin te kthesa ngjitur me tunelin e pallatit të “Hotel Pensionit”.

“HOTEL PENSIONI”, SA NOSTALGJIK

Në fund të rrugës, te trekëndëshi që ruhet edhe sot, ka qenë një hotel me emrin “Hotel Pensioni”. I vendosur në harkun e pallatit e mori këtë emër, pasi aty jetonin e strehoheshin familje për një kohë të gjatë. Ai ishte ndër të paktët hotele që funksiononte në këtë mënyrë, duke i siguruar përkohësisht familjeve pa strehë, apo të transferuara në Tiranë një qëndrim të përkohshëm me dhoma që ishin kthyer në apartamente.

Tek ai hotel nuk kishte prenotime ditore, por funksiononte i tillë, me banues dhe familje deri sa ato të gjenin strehim definitive për t’u zhvendosur. Pa harruar hotel “Internacionalin”, një tjetër ndërtesë historike, ndonëse nuk ishte në rrugën kryesore, por në hyrje në paralelen me të, aty ku është edhe sot.

Pallati i Oficerave
Pallati i Oficerave

LEGATAT E FAMSHME

Kështu janë quajtur, Legata! Legata Jugosllave, ajo Polake, Sovjetike dhe Kubaneze, tri prej tyre të vendosura në buzë të rrugës, nga të cilat vetëm ajo polake ishte pak më e futur. Ambasada Sovjetike ka qenë ndërtesa ku sot është Ministria e Arsimit, të paktën deri në ditën që u prishën marrëdhëniet diplomatike. Ndërsa ajo Jugosllave (ish-muzeu i luftës pas ‘45-s), me tri vilat e vogla shumë të bukura thuajse në kryqëzimin e tretë, sidomos gjatë viteve ‘70-‘80 ka qenë në survejim të plotë.

GJITHASHTU LEXO:  Hapet “Bunk’Art 2”, muze kushtuar viktimave të komunizmit (Foto)

Në një prej dritareve të apartamentit, në katin e parë në pallatin përballë, punonin me turne punonjës të Sigurimit. Aq e tensionuar ishte situata sa në stendën e vendosur, kur dikush ndalonte për të parë fotot, nga kabina dilte polici dhe me zë të ulët njoftonte: “Qytetar largohu, mos qëndro aty!”. Pastaj vinte ajo Polake në një nga rrugët e kryqëzimit të dytë, për të vijuar me Ambasadën Kubaneze, një ndërtesë e mirëmbajtur dykatëshe në fillim të Rrugës së Durrësit që, përveç një polici, nuk shihje mbikëqyrës të tjerë.

EDHE GJYKATA PJESË E SAJ

Dy ishin dikasteret kryesore të kësaj rruge: Ministria e Arsimit, në mjediset e së cilës për shumë vite ka qenë edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe Redaksia e gazetës “Sporti Shqiptar”. Ndërsa institucioni tjetër mbetet Gjykata, një ndërtesë trekatëshe në të cilën janë zhvilluar procese gjyqësore të famshme për shumë vite, të cilat ndiqeshin nga familjarët, por edhe nga nxënës, studentë që braktisnin shkollën për të parë seancat.

Të dënuarit i sillnin me një “makinë-burg” dhe nga hyrja anësore lindore ata zbrisnin të shoqëruar me policë. Hyrja, me përjashtim të rasteve specifike, ishte e lirë. Kur bëhej fjalë për njerëz të njohur, fluksi në mjediset e gjykatës ishte shumë i madh, që prisnin hyrjen e daljen e personit.

PALLATI I OFICERËVE, PËR ARTISTË E SPORTISTË

I ndërtuar në kryqëzimin e tretë të Rrugës së Durrësit, në formë harku në të majtë kur vjen për Tiranë, nga të gjithë është njohur madje edhe sot si Pallati i Oficerëve, por që ky emër nuk ka pasur lidhje me ata që kanë banuar aty, pasi ka qenë dhe mbetet “Pallati i Artistëve e Sportistëve”.

Ngjitur me të ka qenë dikur edhe Klubi i Partizanit. Shkrimtarë, kompozitorë, artistë e sportistë të njohur nga N.Bulka, P.Nika, M.Xhemali, F.Ibrahimi, K.Laro, Xh.Hafizi, motrat Irma e Eranda Libohova, apo familja e Besim Fagut (Agim Fagu në atë pallat ka rininë e tij), deri te futbollistët Robert Jashari, Mikel Janku e kolosi Loro Boriçi janë banorët legjendarë të tij, pa harruar edhe intelektualin e kompletuar Preng Zhupa, ish-nxënës i Harri Fulcit, një anglishtfolës i shkëlqyer në Radio-Tirana.

DRAGO SILIQI, DRAMA E NJË SHKRIMTARI

Shumë simpatik, i sapo martuar dhe banues në Rrugën e Durrësit, në pallatin e parë mbi “Parfumeri”, Drago Siliqi, fatkeqësisht do ta kishte jetën shumë të shkurtër. Poet dhe publicist, pasi kreu studimet e larta në Universitetin e Moskës, ai punoi si drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.

U nda nga jeta më 13 korrik 1963, në moshën 33-vjeçare në një aksident ajror, kur avioni i kompanisë “Aeroflot Tupolev Tu -104 B”, duke fluturuar nga Kina për në Shqipëri, u përplas në malet siberiane pranë qytetit Irkutsktë të Bashkimit Sovjetik. Në këtë aksident vdiqën 32 persona, ndër të cilët gjashtë shqiptarë, midis tyre Drago Siliqi dhe gruaja e ambasadorit Reiz Malile me dy fëmijët. Drago Siliqi la gruan me dy vajzat, Darinën dhe Laurën, që sot punon tek “Zëri i Amerikës”.

DOKTOR MOKINI ME XHEKUN E TIJ

Doktor Potrucian Mokini ka qenë mjek i njohur me orgjinë armene, doktor edhe i Ahmet Zogut, por qëndroi në Shqipëri dhe nuk u largua me Mbretin Zog. Djali i tij, Vasken Mokini, mjek në Spitalin Ushtarak, kur u kthye në Shqipëri në vitin 1943 pas studimeve për Mjekësi në Austri, solli me traget nga Italia një majmun, të cilin ia kishte blerë një ushtaraku gjerman.

Majmuni emrin Xhek jetoi deri 15 vjeç. I vinin një shirit të bardhë në kokë dhe gjatë ditës ai qëndronte në dritare, i veshur me bluzë, duke u bërë një personazh i dashur për qytetarët kryeqytetas, të cilët kalonin qëllimisht për të parë Xhekun, që përbënte një eveniment i madh për kohën.

SOTIRI, I PARI I FESË TE KJO RRUGË

Njeriu i rëndësishëm ai që përfaqësonte fenë ortodokse në Tiranë, Sotir Kanxheri, i njohur nga të gjithë banorët e Rrugës së Durrësit, ka jetuar në një apartament në pallatin te kryqëzimi i dytë bashkë me Gjoni Athanas, Fatos Korbin, familjen e muzikantit Topi, familjen Santo. I gjatë e simpatik, me mjekër të shkurtër, i diplomuar në Ekonomi, Dhjaku zotëronte gjuhët frëngjisht e italisht dhe ka shërbyer për shumë kohë si prift në ish-Kishën Ortodokse (sot hotel “Tirana”) dhe më pas në Rrugën e Kavajës, deri në vitin 1967, ditën kur feja u ndalua.

Më pas pati probleme, si gjithë klerikët, madje tentuan edhe ta dënonin, e burgosën, por doli i pafajshëm, e për vitet që vijuan ka punuar si ekonomist në një ndërmarrje të kryeqytetit. Në 1990 iu kthye sërish angazhimeve fetare, në ringritjen e Kishës Ortodokse, në krah të Janullatos.

Nga Vasil Laçi te Krushovi, Sihanuk e Çu En Lai

Ka qenë dhe mbetet rruga e vetme që lidh Aeroportin e Rinasit me Tiranën. Për këtë arsye aty kanë kaluar të gjithë, personalitete politike, klubet sportive etj. Për pritjen, në veçanti të delegacioneve të miqësive, përgjatë rrugës organizoheshin dhe dilnin qendrat e punës, nxënës, studentë e punonjës me flamuj e lule në dorë që përshëndesnin të ardhurit. Nga Viktor Emanueli, Zhukov, Hrushovi, Ho Shi Min, Mbreti i Kamboxhias, Norodom Sihanuk, Çu En Lai, por edhe Irlanda e Xhorxh Bestit, Gjermania e Bekenbauerit, Overat, Netzer e Myler, tek Ajaks me Krujfin, Oransoda me dy amerikanë, një pafundësi…

Gjatë vizitës së Çu En Lai-t në Tiranë
Gjatë vizitës së Çu En Lai-t në Tiranë

Aty e ka kryer Vasil Laçi atentatin ndaj Viktor Emanuelit gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ajo që kujtohet lidhur me këtë rrugë është vendosja horizontalisht e autobusëve tek Ambasada Kubaneze për festat tradicionale të “1 Majit”, apo paradat ushtarake të 28 e 29 Nëntorit, me qëllim që të mos lejonin kalimin e personave të paftuar në këto evenimente.

Stefani dhe motrat polake që çmendën Tiranën

Historia e motrave që morën famë si protagoniste të kësaj rruge është e lidhur me mesvitet ‘60-‘70, bashkë me to edhe Stefani, djali i ambasadorit polak. Zasha dhe Grisha ishin vajzat e një funksionari të Ambasadës Polake, të cilat vinin sistematikisht për pushime gjatë periudhës së verës në kryeqytet. Banonin në hyrjen e parë në katin e dytë të pallati përballë bar “Roberti” sot.

Bionde shumë të bukura, me flokë të gjata e balluke, 22 e 19 vjeçe, rreth tyre u krijua një situatë admiruese, madje deri edhe flirte të vogla. Djemtë e Tiranës që tentonin të futeshin në apartamentin e tyre, duke kaluar nga një ballkon te tjetri, shkëmbenin në frëngjisht letra dashurie me to. Shumë bujë bëri dashuria e Zashës më një bodyguard me ngjyrë të Ambasadës Kubaneze, një djalë simpatik, kaçurrel, i gjatë e që vishej me kostum të bardhë e me gjyzlykë, çka tërhiqte vëmendjen kur çifti ulej te “Flora”. Ishin ato që sollën në Tiranë minifundet e para me pala shumë joshëse. Të rinjtë qëndronin te bordurat në pritje për t’i parë kur ato kur kalonin. Ishin adhuruese të muzikës, në veçanti të këngëtarit amerikan Tom Xhons.

Mjaftonte të vërshëlleje melodinë e “Delilah”, që ato të dilnin me vrap në ballkon. Edhe pse ruheshin nga punonjës të Sigurimit, ato nuk hezitonin të provokonin në pafundësi pasionet dhe simpatitë e djemve të asaj rruge. Ndërsa Stefani, që shëtiste në Rrugën e Durrësit me një biçikletë sportive, edhe pse nën kontrollin e ndjekësve që nuk i ndaheshin, kishte krijuar miqësi me djem e vajza të Tiranës dhe shpesh në Ambasadën Polake i ftonte, duke organizuar dëfrime, vallëzime, madje në shumë raste nuk kanë munguar historitë e dashurive të tij me bukuroshet e kryeqytetit.

UVIL ZAJMI

Please follow and like us: