Dokumentet e rralla/ Si u urdhërua asgjesimi i dosjeve
|
||||
Ndër problemet e shumta që i ofrohen publikut në të njëjtën kohë, edhe që njerëzit të mos merren me problemet jetësore dhe imediate për zgjidhje, është dhe ai i Hapjes së Dosjeve në variantin e Qeverisë dhe i Lustracionit dhe Hapjes së Dosjeve për palën tjetër.Për ne ato janë pjesë e problemit të dekomunistizimit në shoqërinë shqiptare, domethënë i njohjes, dënimit dhe heqjes dorë nga praktikat e atij regjimi kriminal dhe të turpshëm, është prej kohësh në rend të ditës por, shohim, se po mbizotëron vullneti refuzues i ideatorëve dhe zbatuesve të asaj politike dhune dhe zhvendosja e problemit. Duke e njohur problemin e Lustracionit dhe hapjes së dosjeve qysh në vitin 1991, kur me kërkesën time sigurova ligjet e Gjermanisë, Çekosllovakisë dhe Hungarisë nëpërmjet ambasadorëve të këtyre vendeve, menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 ngritëm një grup pune për të hartuar projektligjin përkatës, i cili ishte gati në shtator të po atij viti dhe u vu në jetë. Për hartimin e tij morëm një njohje paraprake me Platformat e Sigurimit të Shtetit, praktikat e tij dhe dokumentacionin në Arkivin e ish Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ruhej në gjendje jo të mirë dhe i shpërndarë në bazë. Por për ta vënë në jetë atë ligj lipsej njohja më e plotë me dokumentacionin dhe për këtë me vendimin nr, 407 të K.M. datë 21.09.1992 “Për njohjen e shkallës së ruajtjes dhe gjendjes e dokumentacionit të ish ministrisë së Punëve të Brendshme” u ngrit një grup pune i posaçëm i cili paraqiti një Raport paraprak përkatës, ndërsa një informacion më i plotë na u paraqit në vitin 1995. Kjo gjë ishte e domosdoshme që në të ardhmen të mund të bëhej dhe Hapja e Dosjeve, si} është bërë zakon të quhet procesi njohjes me të kaluarën jo vetëm në plan individual. Pas kësaj, por dhe krahas, filloj puna për grumbullimin dhe sistemimin e dokumentacionit i cili ruhej në vende të ndryshme, një punë mjaftë e vështirë dhe që kërkonte kohë. Sipas të dhënave paraprake rezultonte që një numër i madh dosjesh ishte “asgjësuar”- termi në Urdhërat përkatës, pasi sipas drejtuesve të ish M.P.B. me depenalizimin e nenit famëkeq 55 (Ligji nr. 7380 datë 08.05.1990), njerëzit që deri dje i hartuan dhe i përdornin i quajtën “të panevojshme”. Ne nuk po zgjatemi për të debatuar se cilat dokumente , në përputhje me “Rregullore e Evidencës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme” nr, 01-27 dt. 23.8.86 duhet të “ruhen përgjithmonë” dhe cilat pas një afati të përcaktuar “asgjësohen” dhe si u shkel kjo rregullore. Pra veç pastrimeve të herëpashershme që bënin Komisionet e Ekspertizës në bazë, të cilat duhej ti miratonte ai në qendër, duke përcaktuar ato dokumente që do ruheshin përgjithmonë dhe ato që kishin plotësuar afatet e ruajtjes dhe “asgjësoheshin”, në përputhje me rregullat në fuqi, gjatë viteve të fundit nën pretekstin se nuk kanë më vlerë u bë një asgjësim masiv i tyre. Të dhënat që di unë tregojnë se gjatë viteve 1980-1992 për 26 rrethet e vendit janë asgjësuar rreth 39500 dosje. Ndërsa prej tyre vetëm gjatë viteve 1989-1992 janë asgjësuar rreth 29000 dosje, dmth pak a shumë rreth 75% e tyre. Si rregull ky veprim duhet të bëhej me lista veçimi (dmth emrat-individi- kanë procesverbalin e tyre) të shoqëruar me një procesverbal. Sipas rregullave në fuqi ishte Komisioni vendor i Ekspertizës që vendoste për asgjësimin, pas shqyrtimit dhe përputhshmërisë me rregullat dhe afatet e ruajtjes. Këtë vendim duhej ta miratonte Komisioni Qendror i Ekspertizës e vetëm atëherë kryej asgjësimi. Por në vitet e fundit të regjimit komunist si dhe në vitin e parë të tranzicionit këto rregulla u shkelën dhe në Arkiv janë gjurmët apo dëshmitë e veprimeve të tilla, për të cilat urdhërdhënësit janë proceduar e përgjigjur penalisht. Me interes në këtë aspekt është radiogrami “urgjent” që Ministri i kohës Simon Stefani i dërgon Kryetarëve të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe më datë 2 korrik 1990 me nr. 277,278: “lidhur me përpunimet anëtarë e kandidatë partie, si dhe materialet në ruajtje të veprohet në këtë mënyrë: ato për ta të shqyrtohen nga sekretari i parë i rrethit… të rruhen vetëm ato për spiunazh dhe organizime”….ndërsa“ato që janë ruajtur thjesht për agjitacion e propagandë e që me Ligjin e ri nuk konsiderohen më të asgjësohen menjëherë.”….Asgjësimi të bëhet në bazë të rregullave. Kjo punë të përfundoj brenda 15 korrikut.”
Duket se kaq mjaftoi për të vazhduar me ritme të shpejta këto veprime të asgjësimit të dëshmive të dhunës së diktaturës komuniste. Interes të veçantë për kohën kur është hartuar e dërguar paraqet një telegram tjetër i ministrit Hekuran Isai me datë 15 Dhjetor 1990 dërguar Kryetarëve të Degëve të P.B. (shifër nr. 615), po japim të plotë përmbajtjen e tij: “Të angazhohen pa pritur përfaqësuesit e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve dhe dosjet e tjera që janë veçuar për asgjësim, si dhe kartelat e kontingjenteve të hequr, librat e evidencës së punëtorëve operativ të hequr nga përdorimi dhe dokumenteve e përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës sekret, Ares personal dhe SRV dosjet hetimore e gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi dhe ato që nuk kanë plotësuar afatin 5 vjeçar por jo dosjet hetimore për zbulimin e autorëve. Këto janë veprime normale që bëhen sipas kërkesës suaj, pra nuk lidhen me situatën. Për sa më sipër na lajmëroni për realizimin e kësaj detyre.”
Fraza e parafundit tregon preokupimin e tyre për krijimin nga studentët dhe qytetarët e Tiranës së një partie opozitare (Partia Demokratike) dhe jo të asaj të “studentëve dhe intelektualëve të rinj” sipas idesë ramiziane të shoqatave e të pseudopluralizmit. Për këtë vlen të kujtojmë fjalën e urtë : gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Ky justifikim flet qartë për qëllimin e këtij veprimi në kundërshtim me Vendimet e K.M. dhe Ligjit për Arkivat. Ndërkohë situata politike në Shqipëri po ndryshonte vrullshëm dhe më shpejtësi, në mes të shkurtit vazhdon greva e studentëve të Universitetit të Tiranës e cila mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe kishte një qëndrim të qartë antiregjim. Pikërisht në 18 shkurt ministri Hekuran Isai dërgon një Urdhër me nr. 01-7 që titullohet: Për disa problemet Evidencës Operative, Përmbajtja e të cilit jepet në hyrje: “Me qëllim që të lehtësohen arkivat e sektorëve të Evidencës nga dosje e dokumente operative pa vlerë”. Në letrën shoqëruese kërkohet që brenda 20 marsit ti dërgohet ministrisë informacion për zbatimin e detyrave. Po japim shkurtazi përmbajtjen e Urdhrit ( bashkëngjitur është origjinali). 1. Të ruhen në Arkiva dosjet e agjentëve e informatorëve që kanë dhënë për veprimtari të rëndësishme armiqësore e keqbërëse kur sektori operativ gjykon se ka interesa të mëvonshme për t’i rimarrë në lidhje. Dosjet e tjera të bashkëpunëtorëve të asgjësohen me listë veçimi… 2. Të ruhen… dosjet e personave në përpunim aktiv, kontroll operative në përpunim paraprak, .. të dënuar.. për veprimtari armiqësore e keqbërëse si dhe të atyre që nuk janë dënuar..por janë ndjekur për tendenca spiunazhi, terrori,organizimit, diversionit, sabotimit e ….. Në vlerësimin e dosjeve të përpunimit të mbështeteni në ndryshimet e KP.. (Dosjet për krimet e parashkruara të asgjësohen). Dosjet e tjera si dhe kartelat e përpunimeve që nuk kanë Dosje të asgjësohen.. si dhe shumë lloje të tjerash dosjesh e dokumente… …. 5. … të hapen dosje e kartela për ata që merren të dhëna për veprimtari armiqësore e keqbërëse…. Vijohet me porosi të tjera për arkivimet e asgjësimet…si dhe për rekrutime të reja E urdhra të tilla vijojnë të dërgohen nga titullarët deri në janar 1992. Çdo koment mbi këto urdhra besoj se është i tepërt. Deri më sot është bërë e bëhet në media një zhurmë e qëllimshme (përçarëse dhe kundërvënëse) për “zhdukjen” e Dosjeve, krahas asaj për hapjen e tyre, në mënyrë që të mbulohet apo të lihet mënjanë qëllimi i gjithë kësaj lëvizje për dekomunistizimin dmth lustracionin dhe njohjen e sistemit të dhunës nëpërmjet fakteve ku ndër to janë dhe Dosjet dhe jo vetëm ato që na propozon Ministria e Mirëqenies, kur ky problem i takonte asaj të Drejtësisë në bashkëpunim me SHISH e Ministrinë e Brendshme ku ndodhen Arkivat. Përpara se të fillohet me Lustracionin dhe Hapjen e Dosjeve duhet që opinioni publik të informohet me imtësi për gjendjen e Dokumentacionit të ruajtur: Regjistrat, dosjet e ndryshme, librat e punës së operativëve, kartelat, urdhra e dokumentacion tjetër i dobishëm, për të qenë të bindur se ky proces mund të kryhet dhe në çfarë mase mund të kryhet, por dhe kur kanë ndodhur gjatë viteve e deri më sot dëmtimet e tij. Publikut pra po i thuhet edhe me tendencë dezinformimi, se ruhen vetëm rreth 17000 dosje bashkëpunëtorësh dhe të ndjekurish, çka është e vërtetë por edhe të pavërteta (psh: ..sipas një informacioni të vitit 1995 figurojnë të regjistruara 12602 dosje bashkëpunëtorësh ndërsa në SHISH janë vetëm 6522 dosje.- kur informacioni i sipërpërmendur, flet qartë se aq janë të regjistruara në Regjistrin Mod.-10, ndërsa në Arkiv janë 6522- pra aq sa janë dhe sot-SHQIP 20.12.2014) duke përgatitur opinionin publik për rezultatet e zbatimit të Ligjit Qeveritar. Në këtë drejtim është domethënëse fraza e Fatos Klosit “ ..Çdo njeri që mendon se është ndjekur, apo e di se është ndjekur, do të shohë dosjen e vetë, për të parë çfarë është thënë. E quaj më shumë si plotësim të dëshirës së atyre që e kërkojnë këtë gjë, e quajnë të rëndësishme…” (SOT 14 janar 2015). Në të mirë të miratimit të Ligjit dhe transparencës duhet që vijat kryesore, të secilit nga dy propozimet dërguar Kuvendit, të paraqiten në media nga autorët e tyre çfarë parashohin ato. Po kështu, në Kuvend, përpara duhet të shtrohet për miratim Ligji i Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut i hartuar dhe ai me asistencë gjermane e përvojën e vendeve të tjera, të cilit mund t’i bëhen amendamente. Lustracioni është veprimi i mënjanimit nga qenia në poste politikëhartuese dhe zbatuese, përfaqësi diplomatike, drejtues të mediave e të institucioneve arsimore e të tjera, e atyre që gjatë diktaturës komuniste kanë qenë në poste si: Plenumi i KQ të PPSH-anëtarë e kandidatë, Qeveri-ministra e zv., Deputetë të Kuvendit Popullor, sekretarë të parë e të dytë në Rrethe, Drejtues të policisë e të Sigurimit të Shtetit, operativë legalë e ilegalë, hetues. Të kenë kryer shkollën e kurse të Sigurimit e tjera. Projekt-ligji i GSHDNJ i jep me hollësi këto dhe për këtë duhet që publiku të njihet aq sa njohu atë të Qeverisë. Me interes për publikun dhe ligjvënësit do të ishte gjithashtu njohja me përvojën dhe legjislacionin e vendeve të tjera ish-komuniste dhe vlerësimin e kësaj veprimtarie nga partnerët.. Vetëm kështu do të mund të kryhet procesi i Dekomunistizimit, Lustracionit dhe Hapja e Dosjeve i kërkuar me ngulm nga partnerët tanë dhe i nevojshëm për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara.
Respublica.al |