Albspirit

Media/News/Publishing

Dosjet e sigurimit u asgjesuan në masë

Problemi i lustracionit dhe hapjes së dosjeve të sigurimit ishte një nga problemet kryesore që ne ndeshëm qysh nga viti 1991.

Brenda pak muajsh nga ardhja në pushtet në mars të vitit 1992, ne hartuam një ligj për këto qëllime bazuar mbi ligjet e Gjermanisë, Çekosllovakisë dhe Hungarisë.

Për hartimin e zbatimin e tij na u desh të njihnim paraprakisht platformat e Sigurimit të Shtetit, praktikat e tij dhe dokumentacionin në Arkivin e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPP), i cili ruhej në gjendje jo të mirë dhe i shpërndarë në bazë. Kjo detyrë iu ngarkua një grupi të posaçëm pune i cili paraqiti në vitin 1995 një raport të plotë.

Sipas të dhënave paraprake rezultonte se një numër i madh dosjesh ishte “asgjësuar’—termi i përdorur në urdhrat përkatës—me arsyetimin se, sipas drejtuesve të ish-MPB-së, me dekriminalizimin e nenit famëkeq 55, dosjet tashmë ishin “të panevojshme”.

Duhet thënë se ekzistonte një “Rregullore e Evidencës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme” (Nr. 01-27, datë 23.08.86) e cila përcaktonte dokumentet që “ruhen përgjithmonë” dhe ato të cilat pas një afati të përcaktuar “asgjësohen”, por kjo rregullore u shkel dhe nën pretekstin nën pretekstin se nuk kanë më vlerë u bë një asgjësim masiv i dokumenteve në periudhën e fundit të komunizmit deri para ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.

Të dhënat që unë kam tregojnë se gjatë viteve 1980-1992, janë asgjësuar rreth 39 500 dosje. 75 për qind e tyre, ose rreth 29 000 dosje u asgjësuan gjatë viteve 1989-1992. Si rregull ky veprim duhet të bëhej me lista veçimi (dmth emrat-individi- kanë procesverbalin e tyre) të shoqëruar me një procesverbal.

Sipas rregullave në fuqi ishte Komisioni vendor i Ekspertizës që vendoste për asgjësimin, pas shqyrtimit dhe përputhshmërisë me rregullat dhe afatet e ruajtjes. Këtë vendim duhej ta miratonte Komisioni Qendror i Ekspertizës e vetëm atëherë kryej asgjësimi. Por në vitet e fundit të regjimit komunist, si dhe në vitin e parë të tranzicionit, këto rregulla u shkelën dhe në Arkiv janë gjurmët apo dëshmitë e veprimeve të tilla, për të cilat urdhërdhënësit janë proceduar e përgjigjur penalisht.

Me interes në këtë aspekt është radiogrami “urgjent” që Ministri i kohës Simon Stefani i dërgon Kryetarëve të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe më datë 2 korrik 1990 me Nr. 277-278:

lidhur me përpunimet antar e kandidat partie dhe materialet në ruajtje të veprohet në këtë mënyrë: …ato për ta të shqyrtohen nga sekretari i parë i rrethit …të ruhen vetëm ato për spiunazh dhe organizime, ato që janë ruajtur thjesht për agjitacion e propagandë e që me Ligjin e ri nuk konsiderohen më të asgjësohen menjëherë.

Asgjësimi të bëhet në bazë të rregullave.

Kjo punë të përfundojë brenda 15 korrikut.

simoni-1simoni-2

Duket se kaq mjaftoi për të vazhduar me ritme të shpejta këto veprime të asgjësimit të dëshmive të dhunës së diktaturës komuniste.

Interes të veçantë për kohën kur është hartuar e dërguar paraqet një telegram tjetër i ministrit Hekuran Isai me datë 15 Dhjetor 1990 dërguar kryetarëve të Degëve të Punëve të Brendëshme (shifër Nr. 615) me këtë përmbajtje:

Të asgjesohen pa pritur përfaqësuesit e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve e dosjet e tjera që janë veçuar për asgjësim, si dhe kartelat e kontigjenteve të hequr, librat e evidencës së punëtorëve operativ të hequra nga përdorimi dhe dokumentet e përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës sekret, A res personal dhe SRV. Dosjet hetimore e gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi dhe ato që nuk kanë plotësuar afatin 5 vjeçar (por jo dosjet hetimore për zbulim autori). Këto janë veprime normale që bëhen sipas kërkesës tuaj, pra nuk lidhen me situatën.

Na infomoni për realizimin e detyrës.

asgjesimi-1990-1asgjesimi-1990-2

Fraza e parafundit tregon preokupimin e tyre për krijimin nga studentët dhe qytetarët e Tiranës të një partie opozitare (Partia Demokratike) dhe jo të asaj të “studentëve dhe intelektualëve të rinj” sipas idesë ramiziane të shoqatave e të pseudo-pluralizmit. Për këtë vlen të kujtojmë fjalën e urtë: gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Ky justifikim flet qartë për qëllimin e këtij veprimi në kundërshtim me Vendimet e K.M. dhe Ligjit për Arkivat.

Ndërkohë, situata politike në Shqipëri po ndryshonte vrullshëm dhe më shpejtësi. Në mes të shkurtit 1991 u mbajt greva e studentëve të Universitetit të Tiranës e cila mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe kishte një qëndrim të qartë kundër regjimit dhe figurës së Enver Hoxhës.

Pikërisht në 18 shkurt ministri Hekuran Isai dërgon një Urdhër me Nr. 01-7, i cili titullohej “Për disa probleme të Evidencës Operative” dhe kishte për objekt “Me qëllim që të Lehtësohen arkivat e sektorëve të Evidencës nga dosje e dokumente operative pa vlerë.

Urdhri ndër të tjera kërkonte:

1. Të ruhen në Arkiva dosjet e agjentëve e informatorëve që kanë dhënë për veprimtari të rëndësishme armiqësore e keqbërëse kur sektori operativ gjykon se ka interesa të mëvonshme për t’i rimarrë në lidhje. Dosjet e tjera të bashkëpunëtorëve të asgjësohen me listë veçimi…

2. Të ruhen… dosjet e personave në përpunim aktiv, kontroll operative në përpunim paraprak, …të dënuar… për veprimtari armiqësore e keqbërëse si dhe të atyre që nuk janë dënuar… por janë ndjekur për tendenca spiunazhi, terrori, organizimit, diversionit, sabotimit e…..

Në vlerësimin e dosjeve të përpunimit të mbështeteni në ndryshimet e KP.. (Dosjet për krimet e parashkruara të asgjësohen). Dosjet e tjera si dhe kartelat e përpunimeve që nuk kanë Dosje të asgjësohen.. si dhe shumë lloje të tjerash dosjesh e dokumente…

….

5. …të hapen dosje e kartela për ata që merren të dhëna për veprimtari armiqësore e keqbërëse….

Vijohet me porosi të tjera për arkivimet e asgjësimet …si dhe për rekrutime të reja.

Urdhra të tilla vijojnë të dërgohen nga titullarët deri në janar 1992. Çdo koment mbi këto urdhra besoj se është i tepërt.

Deri më sot është bërë në media një zhurmë e qëllimshme (përçarëse dhe kundërvënëse) për “zhdukjen” e dosjeve, krahas asaj për hapjen e tyre, në mënyrë që të mbulohet apo të lihet mënjanë qëllimi i gjithë kësaj lëvizje për dekomunistizimin, domethënë lustracionin dhe njohjen e sistemit të dhunës nëpërmjet fakteve, ku ndër to janë dhe dosjet.

Përpara se të fillohet me lustracionin dhe hapjen e dosjeve duhet që opinioni publik të informohet me imtësi për gjendjen e dokumentacionit të ruajtur: regjistrat, dosjet e ndryshme, librat e punës së operativëve, kartelat, urdhra e dokumentacion tjetër i dobishëm, për të qenë të bindur se ky proces mund të kryhet dhe në çfarë mase mund të kryhet, por dhe kur kanë ndodhur gjatë viteve e deri më sot dëmtimet e tij.

Publikut pra po i thuhet, me prirje keqinformimi, se ruhen vetëm rreth 17 000 dosje bashkëpunëtorësh dhe të ndjekurish, çka është e vërtetë por edhe e pavërtetë (për shembull, …sipas një informacioni të vitit 1995 figurojnë të regjistruara 12 602 dosje bashkëpunëtorësh ndërsa në SHISH janë vetëm 6 522 dosje... kur informacioni i sipërpërmendur, flet qartë se aq janë të regjistruara në Regjistrin Model 10, ndërsa në Arkiv janë 6 522, pra aq sa janë dhe sot) duke përgatitur opinionin publik për rezultatet e zbatimit të Ligjit Qeveritar.

Lustracioni është veprimi i mënjanimit nga qenia në poste politikëhartuese dhe zbatuese, përfaqësi diplomatike, drejtues të mediave e të institucioneve arsimore e të tjera, e atyre që gjatë diktaturës komuniste kanë qenë në poste si: anëtarë dhe kandidatë të Plenumit të KQ të PPSH, ministra e zëvendës ministra, deputetë, sekretarë të parë e të dytë në rrethe, drejtues të policisë e të Sigurimit të Shtetit, operativë legalë e ilegalë, hetues, të kenë kryer shkollën apo kurse të Sigurimit e tjera.

Vetëm kështu do të mund të kryhet procesi i Dekomunistizimit, Lustracionit dheHapja e Dosjeve i nevojshëm për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga e kaluara.

dsc03041-1991-zhduka-e-materialeve

dsc03042

Një variant më i gjatë i këtij artikullit është botuar në respublica.al në mars 2015.

Please follow and like us: